Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh lider i Lëvizjes Vetëvendosje ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e shpalli të ligjshëm dekretin për mandatimin e Avdullah Hotit për formimin e qeverisë së re.
Përmes një reagimi në Facebook, Kurti ka thënë se në pak vende të botës mund të gjendet ndonjë rast kur fituesi i zgjedhjeve dhe vetë qeveria në detyrë janë të gatshëm për zgjedhje të reja dhe kjo ju pamundësohet nga Gjykata Kushtetuese dhe presidenti i vendit.
“Gjykata e ka shkruar njoftimin në mënyrë të atillë thua se fituesi i zgjedhjeve nuk ekziston fare, sikur fituesi të jetë ineksistent. Ndërkaq, në anën tjetër, Gjykata shlyen dallimin midis shkarkimit dhe dorëheqjes së ekzekutivit. Gjykata paragjykon kur thotë se fituesi jo vetëm që s’ka propozuar një kandidat, por as që ka shprehur interesimin për një gjë të tillë. Kjo nuk qëndron, sepse në vazhdimësi është theksuar nga ne se fituesi i zgjedhjeve nuk po heziton dhe nuk po refuzon”, ka shkruar Kurti.
Duke shprehur kundërshtimin ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kurti tha se beteja kundër vendimit do të vazhdojnë, siç u shpreh ai, së bashku me popullin.
“Fatkeqësisht, Gjykata Kushtetuese u rreshtua me kapësit e shtetit. Ajo foli për veten, më parë e më shumë sesa për çështjen që trajtoi. Ajo e vulosi veten, ajo e zhvlerësoi veten. Beteja jonë vazhdon, bashkë me popullin e vetëdijesuar, kundër kësaj kaste të korruptuar”, ka shkruar Kurti.
Kurti tha se nuk ka pasur shpresa të mëdha në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, porse, sipas tij, ky vendim është “përtej imagjinatës e nën çdo nivel logjik e juridik”.
LDK synon ta formojë qeverinë brenda tri ditësh
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i dha të drejt presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit si kandidat për formimin e qeverisë së re, Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur që synon formimin e qeverisë në tre ditët e ardhshme.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk ka më asnjë pengesë për thirrjen e seancës për votimin e qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti.
“Ka konsultime lidhur me thirrjen e seancës së kuvendit. Tani do të shohim edhe me kryetarin e Grupit tonë Parlamentar (v.j. Arben Gashi) edhe me kandidatin për kryeministër (v.j. Avdullah Hoti) se kur do të thirret mbledhja e kuvendit, por edhe me partnerët tanë, AAK-në, Nismën e të tjerët”, deklaroi Mustafa.
Kreu i LDK-së, tha se ekziston mundësia që qeveria të votohet edhe të shtunën.
“Në qoftë se është gjithçka në rregull sa i përket aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, në pikëpamje të hyrjes në fuqi të këtij aktgjykimi, atëherë unë mendoj që nuk ka asnjë arsye të pritjet më shumë që të mbahet nesër (v.j. e shtunë). Nëse procedurat e aktgjykimit kërkojnë që afati të shtyhet atëherë do ta respektojmë edhe atë”, tha Mustafa.
Duke komentuar kundërshtimin e Vetëvendosjes sa i takon vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Mustafa tha se edhe partia e Albin Kurtit duhet të respektojë vendimin pasi sipas tij, gjithçka është bërë në frymë kushtetuese.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi në një deklaratë për gazetarët, tha se ka pasur takim konsultativ me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani për të cilën ka thënë se do të respektojë vendimin e Kushtetueses.
“Vjosa Osmani është kryetare e kuvendit dhe po ashtu është juriste e përgjegjshme dhe një figurë e rëndësishme politike në Kosovës dhe e respekton vendimin e Gjykatës”, deklaroi Gashi.
Thaçi: Të formohet sa më parë qeveria e re
Formim të shpejtë të qeverisë ka kërkuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Duke folur në një konferencë për media, presidenti Thaçi tha se kishte qenë i kujdesshëm për respektimin e Kushtetutës, kur vendosi për mandatimin e Avdullah Hotit, si kandidat për formimin e qeverisë së re.
“Duhet që sa më parë të themelohet qeveria e re, pasi rrethanat kërkojnë qeveri funksionale, efektive dhe efikase. Prandaj, u bëj thirrje të gjitha institucioneve, partive politike, të zbatojnë të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Pra, të zbatojnë dhe respektojnë. I ftoj liderët institucionalë dhe partiakë që të punojmë së bashku që të kemi një tranzicion të rregullt
demokratik”, tha presidenti Thaçi.
Të enjten në mbrëmje, Gjykata Kushtetuese tha se dekreti i presidentit është në përputhje me Kushtetutën dhe se mocioni i mosbesimit ndaj një qeverie, nuk rezulton me shpërndarjen e detyrueshme të kuvendit.
Vetëvendosje e kishte dërguar dekretin e presidentit për interpretim në Gjykatë Kushtetuese pasi e konsideronte antikushtetues. Vendimin e gjykatës, Vetëvendosje e ka quajtur skandaloz.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli tha se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, demokracia është në një moment vendimtar, siç është edhe e ardhmja e vendit.
“Refuzimi i LVV-së për ta dërguar te presidenti i vendit, për herë të dytë, emrin e mandatarit për kryeministër, ka imponuar këtë vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese”, tha Veseli.
Respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese kanë kërkuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ne kërkojmë nga të gjithë liderët të punojnë së bashku për një tranzicion të rregullt në interes të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës”, u tha në njoftimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë.
Edhe Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, kërkoi nga të gjitha partitë politike në Kosovë që të pranojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.