Ndërlidhjet

Vendimi i gjykatës për Dodikun, më 26 shkurt


Presidenti i Republikës Sërpska, Milorad Dodik, mbërrin në seancën përfundimtare të gjykimit, Sarajevë, 19 shkurt 2025.

Vendimet e Gjykatës së shkallës së parë ndaj presidentit të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, dhe ndaj ushtruesit të detyrës të drejtorit të Gazetës Zyrtare të këtij entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë, Millosh Llukiq, do të shpallen më 26 shkurt.

Kështu njoftoi gjykatësja Sena Uzonoviq pasi Prokuroria e Bosnje e Hercegovinës dhe mbrojtja mbajtën fjalët përfundimtare më 19 shkurt.

Vendimi do të mund të apelohet si nga Prokuroria, ashtu edhe nga mbrojtja.

Dodik dhe Llukiq akuzohen për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt, dhe rrezikojnë të dënohen me burgim deri në pesë vjet dhe ndalim të veprimtarisë politike.

Dodik akuzohet për nënshkrimin e dekreteve presidenciale, me të cilat shpalli të vlefshëm dy ligje jokushtetuese të Republikës Sërpska, që më parë ishin anuluar nga përfaqësuesi i Lartë. Llukiq akuzohet për publikimin e këtyre ligjeve dhe dekreteve, të cilat parashikojnë se vendimet e përfaqësuesit të Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës nuk do të zbatohen në atë entitet.

Prokuroria e Bosnjë dhe Hercegovinës, në seancën përfundimtare më 19 shkurt, kërkoi nga Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës që t’i shqiptojë një dënim me pesë vjet burgim presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, dhe t’ia ndalojë atij veprimtarinë politike për dhjetë vjet.

Të njëjtin dënim maksimal prokurorët e kërkuan edhe për Millosh Llukiqin, ushtrues detyre i drejtorit të Gazetës Zyrtare të Republikës Sërpska.

Çfarë tha Dodiku para gjykatës?

Në deklaratat e tij përfundimtare, Millorad Dodik, tha se “ne duhet të luftojmë së bashku në mënyrë që Bosnje e Hercegovina të mos jetë më protektorat, por të rifitojë sovranitetin e saj”.

Ai vazhdimisht përsëriti se Schmidt është zgjedhur në mënyrë të paligjshme dhe se nuk ka asnjë vendim të ndonjë institucioni që thotë se ai është përfaqësues i Lartë, prandaj, Dodik argumentoi se Schmidt nuk ka legjitimitet që të ndryshojë ligje.

Ai vuri në pikëpyetje Fuqitë e Bonit, duke i quajtur “blofi të komunitetit ndërkombëtar”.

Dodik tha se Prokuroria dhe Gjykata e Bosnje e Hercegovinës nuk janë kategori kushtetuese dhe se ai është i vetmi në gjykatore, në cilësinë e presidentit të Republikës Sërpska, që është kategori kushtetuese.

Ai theksoi se Prokuroria duhet të padisë përfaqësuesin e Lartë të Bosnjës për shkelje të Kushtetutës së shtetit dhe të Kushtetutës të Republikës Sërpska, në vend se ta ndjekin atë penalisht për mosrespektimin e një vendimi, që ai e konsideroi të paligjshëm.

Dodik tha se asnjë nga procedurat e parapara me ligj për emërimin e Përfaqësuesit të Lartë nuk janë ndjekur.

Në fund, ai i tha gjykatëses se vendimi i saj do të jetë subjekt i një analize ligjore dhe se vendimi i saj do të tregojë nëse ajo do të mbrojë Kushtetutën dhe ligjet e Bosnjës apo do të mbrojë Schmidtin, apo “Përfaqësuesin e Lartë të paligjshëm”.

Më herët gjatë ditës, mbrojtja e Dodikut dhe Llukiqit në fjalën përfundimtare deklaruan se vepra penale, për të cilën janë akuzuar, "nuk ka pasoja ligjore apo çfarëdo pasoje tjetër", pasi përfaqësuesi i Lartë i ka anuluar të dyja ligjet dhe se për këtë arsye "nuk ka as vepër penale".

Ata kujtuan se Dodiku kishte nënshkruar dekretet për shpalljen e dy ligjeve, ndërsa Lukiq kishte urdhëruar publikimin e tyre, para se vendimet e përfaqësuesit të Lartë, me të cilat këto ligje u anuluan, të publikoheshin në Gazetën Zyrtare të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe të hynin në fuqi.

Mbrojtja argumentoi gjithashtu se, nëse Dodiku dhe Llukiqi do të kishin refuzuar të nënshkruanin dhe publikonin dekretet, ata do të kishin shkelur Kushtetutën dhe ligjet e Republikës Sërpska dhe në atë rast do të përballeshin me dënim me burgim deri në 12 vjet.

Në fjalën përfundimtare, procesin ata e cilësuan sërish si "politik" dhe "nën ndikimin e të huajve", ndërsa Christian Schmidtin e quajtën "përfaqësues të lartë jolegjitim", duke përsëritur tezat e vjetra se ai nuk është konfirmuar nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ashtu siç janë konfirmuar përfaqësuesit e mëparshëm.

Përpara ndërtesës së Gjykatës së Bosnjë dhe Hercegovinës gjatë 19 shkurtit u vërejt një prani e shtuar e forcave policore të Ministrisë së Brendshme të Kantonit të Sarajevës. Aty janë mbledhur edhe përkrahësit e Dodikut.

Derisa po pritet përfundimi i një gjyqi njëvjeçar, presionet ndaj Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës po rriten.

Nga njëra anë, udhëheqësia e RS-së kërcënon me "vendime radikale" dhe braktisjen e të gjitha institucioneve të Bosnjë dhe Hercegovinës nëse Dodiku dënohet.

Presion ushtrojnë edhe përfaqësuesit e autoriteteve të Serbisë fqinje, si dhe të Hungarisë.

Kështu, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi në Budapest më 17 shkurt se shpreson që "në Bosnje e Hercegovinë të mos merren vendime gjyqësore që mund të rrezikojnë stabilitetin".

Dy ditë para seancës së fundit, edhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, bëri thirrje për "ndalimin e ndëshkimit të Dodikut", i cili, bashkë me të gjithë udhëheqësinë e RS-së, është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për korrupsion dhe minimin e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Çfarë çoi në këtë gjyq?

Në seancat e Asamblesë së RS-së në qershor të vitit 2023 u miratuan ligje jokushtetuese që parashikonin se aktet ligjore të përfaqësuesit të Lartë nuk do të publikoheshin në Gazetën Zyrtare të RS-së dhe se vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës, të cilat sipas Kushtetutës së këtij shteti janë përfundimtare dhe detyruese, nuk do të zbatoheshin në territorin e këtij entiteti.

Përfaqësuesi i Lartë, Christian Schmidt, i anuloi këto dy ligje entiteti më 1 korrik 2023 përmes kompetencave të tij të Bonit dhe ndryshoi Kodin Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës, duke e bërë vepër penale moszbatimin e vendimeve të përfaqësuesit të Lartë.

Më 7 korrik 2023, Dodik nënshkroi dekretet, me të cilat i shpalli këto ligje të vlefshme, dhe ato u botuan në Gazetën Zyrtare të RS-së. Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës ngriti aktakuzë ndaj Dodikut dhe Llukiqit më 11 gusht, dhe gjykata e konfirmoi atë më 11 shtator.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG