Ndërlidhjet

Një vështrim mbi fatkeqësitë e dyshimta ajrore në Rusi


Rrënojat e avionit presidencial polak që u rrëzua në Smolensk, në Rusi, më 10 prill 2010. Të 96 personat në bord vdiqën, përfshirë presidentin polak Lech Kaczynski, shefin e Shtabit të Përgjithshëm polak dhe dhjetëra zyrtarë ushtarakë, ligjvënës, klerikët dhe të tjerët.
Rrënojat e avionit presidencial polak që u rrëzua në Smolensk, në Rusi, më 10 prill 2010. Të 96 personat në bord vdiqën, përfshirë presidentin polak Lech Kaczynski, shefin e Shtabit të Përgjithshëm polak dhe dhjetëra zyrtarë ushtarakë, ligjvënës, klerikët dhe të tjerët.

Avioni i pasagjerëve Embraer Legacy 600 u zhduk nga radari rreth orës 6 e 11 të pasdites - sipas kohës lokale në Moskë - më 23 gusht. Vetëm pak kohë më parë ai ishte nisur nga Aeroporti Sheremetyevo i Moskës për në Shën Petersburg. Ekipet e shpëtimit i gjetën rrënojat e avionit disa orë më vonë pranë qytetit Tver, në veri të kryeqytetit rus.

Sipas zyrtarëve rusë, të dhjetë personat që ishin në bord, vdiqën. Me sa u tha, në mesin e të vdekurve ishte edhe njeriu që i shkaktoi sfidën më të rëndë Vladimir Putinit në 23 vjetët e tij si udhëheqës i Rusisë: Yevgeny Prigozhin.

I njohur si “kuzhinier i Putinit” e më pas si udhëheqës i grupit të mercenarëve, Wagner, Prigozhin supozohet ta ketë humbur jetën në incident. Këtë e konfirmuan hetuesit rusë.

Por, kjo nuk është hera e parë në Rusinë moderne që një avion rrëzohet, që rriten dyshimet përreth dhe implikohet politika.

Ja çfarë dihet për rrëzimin e avionit të Prigozhinit dhe për disa fatkeqësi të tjera ajrore në Rusi që, gjithashtu, ngritën vetullat...

Yevgeny Prigozhin në Vladivostok në maj.
Yevgeny Prigozhin në Vladivostok në maj.

Arsyet nuk mungojnë

Avioni Embraer, me numër RA-02795, ishte një nga të paktët që dihej se i përkiste Prigozhinit - sipas të dhënave të regjistrimit të avionëve. Autoritetet ruse të aviacionit publikuan një manifest pasagjerësh, që tregonte se në bordin e tij ishin shtatë pasagjerë, plus tre anëtarë të ekuipazhit.

Emri i Prigozhinit ishte në listë, ashtu si edhe i njërit prej togerëve të tij kryesorë - një ish-operativ i inteligjencës ruse i quajtur Dmitry Utkin.

Raportet fillestare sugjeruan se avioni mund të ishte rrëzuar nga mbrojtja kundërajrore ruse.

Një video e pakonfirmuar, e postuar në mediat sociale ndërkohë, tregonte një avion duke rënë nga qielli.

Rrënojat e enjë avioni duke u djegur, në të cilin besohet të ketë qenë si pasagjer edhe shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, më 23 gusht.
Rrënojat e enjë avioni duke u djegur, në të cilin besohet të ketë qenë si pasagjer edhe shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, më 23 gusht.

Më 24 gusht, një kanal në Telegram, i lidhur me agjencitë ruse të sigurisë, tha se hetuesit po hetojnë nëse në avion ishte e vendosur një pajisje shpërthyese.

Ka një mori arsyesh përse Kremlini, ose dikush në Ministrinë e Mbrojtjes, ose në komunitetin e inteligjencës ruse, mund ta ketë dashur vdekjen e Prigozhinit.

Prigozhin ka sfiduar hapur, dhe shpesh në mënyrë profane, komandantët rusë për luftën në Ukrainë. Ka fyer shpesh ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu, dhe kryetarin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralin Valery Gerasimov.

Rebelimi i Prigozhinit më 23 qershor - dy muaj para rrëzimit të avionit - ishte një ngjarje tektonike politike në Rusi. Drejtori i CIA-s e përshkroi atë si “sulmin më të drejtpërdrejtë ndaj shtetit rus, në 23 vjetët e Vladimir Putinit në pushtet”.

Por, përveçse i etiketoi kryengritësit si tradhtarë, Putin nuk bëri asgjë për ta ndjekur penalisht ose ndëshkuar ndonjërin prej tyre, e as Prigozhinin.

Dënimi i profilit më të lartë, i shqiptuar deri më tani, duket t’i jetë dhënë Sergei Surovikinit, i cili shkurtimisht komandoi pushtimin e Ukrainës, u pa si aleat i Prigozhinit dhe mund të kishte pasur njoftim paraprak për rebelimin. Surovikin raportohet se u hoq nga komanda e Forcave Ajrore të Rusisë, javën e kaluar.

Sfiduesi i mundshëm i Putinit

Aleksandr Lebed mori vëmendjen si gjeneral i forcave ajrore gjatë një përpjekjeje për grushtshtet në vitin 1991. Asokohe, ai refuzoi t’i urdhëronte forcat e tij që ta shtypnin rezistencën e udhëhequr nga Boris Yeltsini.

Ai fitoi famë të mëtejshme kur, si komandant i Ushtrisë së 14-të të Rusisë, drejtoi një luftë civile në Moldavi, më 1992, pasi fraksionet rivale ishin gati për konflikt të hapur.

Aleksandr Lebed
Aleksandr Lebed

Lebed garoi në zgjedhjet e diskutueshme presidenciale të vitit 1996, duke u renditur i treti - pas Yeltsinit dhe liderit të Partisë Komuniste, Genadi Zyuganov.

Më pas, ai i dha mbështetje Yeltsinit, i cili ia ktheu favorin duke e emëruar sekretar të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Lebed, më vonë, udhëhoqi negociatat me presidentin e vetëshpallur të Çeçenisë, Aslan Maskhadov, për t’i dhënë fund Luftës së Parë Çeçene në gusht të vitit 1996. Megjithatë, marrëveshja u pa si një kapitullim poshtërues nga disa politikanë të linjës së ashpër dhe një përplasje me këshilltarët e Yeltsinit çoi në shkarkimin e tij në tetor të atij viti.

Dy vjet më vonë, ai i fitoi zgjedhjet si guvernator i rajonit Krasnojarsk të Rusisë dhe kishte spekulime se mund të kandidonte për president në vitin 2000. Por, në fund, nuk mori pjesë në zgjedhje dhe ato i fitoi Putini.

Në prill të vitit 2002, Lebed ishte rrugës për të inauguruar një vendpushim të ri skijimi në malet e Krasnojarskut jugor, kur helikopteri Mi-8 me të cilin po fluturonte, së bashku me 16 pasagjerë dhe pjesëtarë ekuipazhi, u rrëzua.

Tetë persona humbën jetën, përfshirë Lebedin, i cili vdiq rrugës për në spital.

Autoritetet thanë se helikopteri u rrëzua pasi u përplas me linja të energjisë elektrike, si pasojë e mjegullës, dhe për incidentin fajësuan ekuipazhin.

Bashkëpunëtorët e Lebedit dhe së paku një anëtar i Parlamentit rus pretenduan se helikopteri ishte sabotuar.

Vdekja e Lebedit habiti ndjekësit që kishte krijuar gjatë viteve, si dhe mbështetësit e tij në ushtrinë dhe agjencitë e inteligjencës ruse.

Në kohën kur Putini po konsolidonte pushtetin e tij, disa gazetarë dhe aleatë politikë spekuluan se Lebed mund të ishte bërë një sfidues i frikshëm i tij.

Ai, po ashtu, kishte bërë armiq midis interesave të biznesit, që po konkurronin për kontrollin e industrisë së vlefshme të aluminit dhe të nikelit në Krasnojarsk.

Fantazmat e Katinit

Masakra e vitit 1940 e mijëra oficerëve ushtarakë polakë në pyllin Katin, pranë Smolenskut, ishte një plagë e hapur midis Varshavës dhe Moskës, me vite.

Në vitet 1980 dhe 1990, provat e zbuluara nga historianët sovjetikë dhe rusë se policia sekrete sovjetike, e jo roja naziste, kishte kryer vrasjet, ndihmuan në uljen e tensioneve.

Një burrë duke mbajtur një fotografi të Lech Kaczynskit gjatë një ceremonie përkujtimore për presidentin e ndjerë polak në Varshavë në shkurt të vitit 2016.
Një burrë duke mbajtur një fotografi të Lech Kaczynskit gjatë një ceremonie përkujtimore për presidentin e ndjerë polak në Varshavë në shkurt të vitit 2016.

Më 10 prill 2010, një avion i Forcave Ajrore Polake me 96 anëtarë të Qeverisë së Polonisë dhe të afërm të tyre fluturoi nga Varshava në Smolensk, për të shënuar 70-vjetorin e vrasjeve - një ngjarje historike në marrëdhëniet e dy vendeve.

Në kushte të mjegullës, avioni Tupolev u rrëzua derisa po i afrohej aeroportit të Smolenskut.

Të 96 personat në bord vdiqën, duke përfshirë presidentin polak, Lech Kaczynski, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Polonisë dhe dhjetëra zyrtarë ushtarakë, ligjvënës, klerikë e të tjerë.

Ngjarja ishte traumatike për Poloninë dhe u bëri jehonë vrasjeve të elitës polake, në vitin 1940.

Mbetjet e ruajtura të avionit Tupolev Tu-154
Mbetjet e ruajtura të avionit Tupolev Tu-154


As hetuesit polakë, as ata rusë nuk gjetën probleme teknike në avion.

Faji iu la pilotëve dhe ndoshta zyrtarëve ushtarakë në bord, që thuhet se kanë refuzuar ta devijojnë avionin në një fushë tjetër ajrore.

Autoritetet polake, më vonë, fajësuan njësinë ushtarake polake, përgjegjëse për fluturimet zyrtare.

Megjithatë, me kalimin e kohës, konstatimet e rusëve dhe polakëve ndryshuan. Disa në Poloni pretenduan se rrëzimi ishte i qëllimshëm dhe fajësuan kontrollorët rusë të trafikut ajror. Rusia, ndërkohë, refuzoi t’i dorëzonte regjistruesit e fluturimit të avionit.

Në prill të vitit 2023, vëllai binjak i Lech Kaczynskit, Jaroslav - i cili u bë një nga politikanët më të fuqishëm të Polonisë - sugjeroi se ka pasur përfshirje të Rusisë në aksident, duke e etiketuar atë si një atentat.

Top sekret

Në fund të viteve 1980, nën programin e liderit sovjetik, Mikhail Gorbachev, për ‘glasnostin’, ose hapjen e vendit, gazetarët e pavarur filluan të krijonin hapësira për veten e tyre.

Artyom Borovik ishte një pionier në këtë përpjekje, duke bërë raportime ekskluzive nga Afganistani, gjatë pushtimit sovjetik.

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, ai hapi gazetën hulumtuese, Sovershenno Sekretno, ku raportonte për korrupsionin në mesin e elitës ruse.

Borovik ishte kritik ndaj Luftës së Parë Çeçene dhe ishte shumë skeptik ndaj bombardimeve të apartamenteve më 1999, që i hapën rrugë Luftës së Dytë Çeçene. Për këto bombardime që vranë dhjetëra njerëz, zyrtarët fajësuan terroristët çeçenë.

Megjithatë, një grup i vogël dhe këmbëngulës gazetarësh dhe hetuesish të pavarur vuri në dukje disa prova, që sugjeronin se shërbimet ruse të sigurisë mund të kenë qenë të përfshira në shpërthime.

Në vitin 2000, Borovik po hetonte thashethemet se nëna e Putinit nuk kishte qenë një grua ruse nga Shën Petersburgu, por një grua që jetonte në varfëri në një fshat të Gjeorgjisë.

Më 9 mars të atij viti, Borovik dhe një biznesmen çeçen planifikuan të fluturonin për në Kiev, për t’i vazhduar këto hetime.

Sipas raporteve të shtypit në atë kohë, avioni Yakovlev Yak-40 me nëntë pasagjerë, përfshirë ata dy, u rrëzua disa sekonda pasi u ngrit nga Aeroporti Sheremetyevo.

Autoritetet ruse fajësuan pilotin për një gabim dhe thanë se krahët e avionit nuk ishin fshirë përpara nisjes.

Spekulimet se përplasja ishte e qëllimshme, ishin të shumta.

Kolegët e Borovikut në Sovershenno Sekretno thanë se ai kishte marrë vazhdimisht kërcënime me vdekje dhe se kishte qenë duke përfunduar një artikull për nënën e supozuar të Putinit.

Më vonë, gazetarë dhe historianë të tjerë e lidhën vdekjen e Borovikut me hulumtimet e tij për Putinin dhe me një artikull që kishte planifikuar ta botonte disa ditë përpara zgjedhjeve presidenciale të 26 marsit, 2000, në të cilat Putin konkurroi për herë të parë.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG