Numrat janë befasues dhe po vazhdojnë të rriten. Pandemia e koronavirusit ka shkaktuar rreth 450,000 vdekje, shkatërrim të jetës e jetesës dhe ka krijuar kaos ekonomik.
Disa familjarë të viktimave –veçanërisht në ato vende që ishin të ngadalta në veprime, sa i përket menaxhimit të krizës – janë duke kërkuar përgjigje nga ligjvënësit dhe zyrtarët, që sipas tyre janë fajtorë.
Në botë, janë shfaqur akuzat e para kundër qeverive të cilat po akuzohen nga publiku për mosveprim dhe vendime të këqija, dhe disa nga shtetet të cilat po akuzohen janë duke i zbutur masat e izolimit edhe pse frika është duke u rritur për ardhjen e valës së dytë të infeksioneve me koronavirus.
Në një vend evropian, i cili u godit rëndë nga sëmundja Covid-19, që e shkakton koronavirusi, prokurorët kanë marrë në pyetje kryeministrin në lidhje me shpërthimin e virusit. Në një vend tjetër, qytetarët kanë paditur qeverinë nën akuzat se kanë bërë “vrasje për shkak të pakujdesisë së madhe”. Dhe në shtetin ku koronavirusi u shfaq fillimisht, është ngritur një padi ku kërkohet dëmshpërblim, për gjoja mbulim të shpërthimit të virusit.
Këtu janë disa vështrime në lidhje me veprimet juridike që po ndërmerren nga qytetarët e disa vendeve të cilët po kërkojnë drejtësi, lidhur me atë që ata po i konsiderojnë si vendime të këqija të qeverive, që çuan në humbje të panevojshme të jetës së njerëzve.
Itali
“Kjo histori nuk mund dhe nuk duhet të përfundojë kështu... Do të ketë një vendim gjyqësor dhe ne shpresojmë për një vendim gjyqësor adekuat”, tha Noi Denunceremo në një rrëfim personal, nëpërmes një postimi në Facebook.
Më 10 qershor, 90 të afërm të viktimave që humbën jetën nga koronavirusi, dorëzuan 200 ankesa në zyrën e prokurorit të qytetit italian, Bergamo, në lidhje me veprimet e autoriteteve, qësipas tyre dështuan t’i ndërmarrin, kur pandemia e koronavirusit u shfaq në rajonin e Lombardisë.
Ankesat kryesisht përqendrohen në pretendimet se zyrtarët në këtë rajon, dështuan të informonin pacientët lidhur me rreziqet që vijnë nga koronavirusi dhe nuk siguruan pajisje mbrojtëse për punëtorët shëndetësorë. Ata po ashtu po i akuzojnë autoritetet që nuk përfshin në “zonën e kuqe”, disa qytete të rajonit të Lambordisë, kur virusi shpërtheu. Kështu ka thënë Noi Denunceremo nga Komuniteti për të vërtetën dhe drejtësinë për viktimat e Covid-19, një grup i përbërë nga familjet e viktimave që kanë më shumë se 55,000 anëtarë në Facebook.
“Qëllimi ynë është i thjesht, ne duam të vërtetën! Ne duam të dimë pse ndodhi kjo masakër në Lombardi, veçanërisht në Bergamo dhe Breshia. Virusi është përhapur në të gjithë botën, por pse ka vrarë këtu kaq shumë njerëz?”, tha , për Radion Evropa e Lirë, Stefano Fusco, bashkëthemeluesi i Komunitetit për të vërtetën dhe drejtësinë për viktimat e Covid-19.
Bergamo është në mesin e qyteteve më të prekur me koronavirus në botë, me më shumë se 3,000 vdekje, ndërsa Italia është një nga vendet më të goditura në Evropë, me më shumë se 237,000 raste me koronavirus dhe 34,000 vdekje, sipas shifrave të publikuara deri më 18 qershor.
Zemërimi më i madh i këtij grupi është ndaj kryeministrit italian, Giuseppe Conte, i cili është marrë në pyetje për tre orë nga prokurorët e Bergamos për gabime të mundshme të bëra në fillim të shpërthimit të koronavirusit.
Në mes të temave të diskutimit ishin edhe pse dy qytete të Lombardisë, që kishin numër të lartë të rasteve me koronavirus, Alzano dhe Nembro, nuk u përfshinë në “zonën e kuqe”, të krijuar në fund të shkurtit.
Gjëja kryesore të cilën Noi Denunceremo për momentin kërkon është që të ketë kallëzime penale, duke lënë të hapur mundësinë që në të ardhmen të ngreh edhe padi civile.
Mbretëri e Bashkuar
“Ne kemi shprehur ngushëllimet tona, kemi folur për familjet tona si dhe për veprimet e qeverisë dhe kemi vendosur që duhet të bëjmë diçka”, thotë Matt Fowler.
Më 18 qershor, Mbretëria e Bashkuar u rendit e katërta në botë për sa i përket infeksioneve me koronavirus, me më shumë se 300,000 persona të infektuar si dhe vendi i tretë në botë, për nga numri i viktimave, përkatësisht më shumë se 42,000.
Tani avokatët janë duke u përgatitur me shpresën se gjykatat do ta detyrojnë qeverinë të fillojë një hetim publik për veprimet zyrtare.
“Mbretëria e Bashkuar padyshim që kurrë nuk mund ta shmangte plotësisht pandeminë. Sidoqoftë, një reagim me kohë nga ana e qeverisë mund të parandalonte vdekje e më të dashurve tanë. Ne jemi bashkuar për të ndjekur drejtësinë në emër të familjarëve tanë”, tha për Radion Evropa e Lirë, Matt Fowler, bashkëthemelues i grupit “Familjet në zi që kërkojnë drejtësi në Mbretërinë e Bashkuar”.
Organizata e Fowler, e përbërë prej më shumë se 450 të afërme të viktimave të Covid-19, kërkon nisjen e një hetimi publik . Këtë gjë, ky grup e kërkoi me anë të një letre drejtuar kryeministrit Boris Johnson dhe Sekretarit për Shëndetësi, Matt Hancock, pasi një shkencëtar në Qeverinë britanike tha se nëse masat e izolimit do të vendoseshim një javë më herët, kjo gjë do të përgjysmonte vdekjet në Mbretëri të Bashkuar.
Qeveria britanike vendosi masat e izolimit më 23 mars, gati dy muaj pas shfaqjes së rastit të parë me koronavirus.
“Familjet në zi që kërkojnë drejtësi në Mbretërinë e Bashkuar”, nuk është i vetmi grup që po sfidon reagimin e Qeverisë britanike kundrejt koronavirusit.
Disa firma private juridike kanë shprehur gatishmërinë për të punuar me familjet e prekura nga Covid-19. Themeluesi i “The Good Law Project”, Jo Maugham ka nisur përpjekjet për financimin e këtij grupi së bashku me Shoqatën e Mjekëve në Mbretërinë e Bashkuar, në mënyrë që të vendosin përgjegjësinë te qeveria për vdekjen e punëtorëve shëndetësorë.
Kinë
“Unë jam i zemëruar, aq shumë njerëz humbën jetën gjatë kësaj pandemie. Ajo që ata bënë ishte vrasje,” tha për The Telegraph, Zhang Ha, djali i një viktime nga Covid-19.
Në Kinë, padia e parë ndaj qeverisë është ngritur nga një qytetar.
E përditshmja britanike The Telegraph raportoi më 14 qershor se Zhang Ha, humbi babanë e tij 76-vjeçar nga Covid-19, dhe ai tani po kërkon dëmshpërblim, për atë që ai e quan, keqmenaxhim të krizës nga ana e qeverisë.
“Nëse qeveria nuk do ta fshihte sëmundjen në fazat e hershme, babai im nuk do të vdiste,” tha Zhang për The Telegraph.
Zhang po kërkon gati 280,000 dollarë dëmshpërblim nga autoritetet, për të cilin avokati i tij thotë se nuk do t’i fitojë.
Francë
“Udhëheqësit tanë kanë zbuluar rreziqet që buruan nga vendimet e tyre në momente të rëndësishme dhe nga paaftësia e tyre për të perceptuar urgjencën”, -peticion për të kërkuar kallëzime penale kundër qeverisë.
Në Francë, qindra mjekë janë nënshkruar në një iniciativë për të ngritur kallëzime penale kundër kryeministrit, Edouard Philippe dhe ish-ministres të Shëndetësisë, Agnes Busen.
Deri më 18 qershor, këtë peticion e kanë nënshkruar më shumë se 520,000 persona.
Aktualisht, Qeveria franceze po përballet me 80 padi ku akuzohet për vrasje dhe neglizhencë gjatë pandemisë së koronavirusit.
Këto kritika kanë bërë që presidenti Emmanuel Macron të caktojë një fjalim me të cilin do t’i drejtohet francezëve më 21 qershor, i cili do të përqendrohet në pandemi dhe menaxhimi i krizave nga qeveria.
Spanjë
Spanja, e cila prin me numrin më të madh të infeksioneve në Evropë, me më shumë se 244,000, qëndron e treta pas Italisë dhe Francës për nga numri i vdekjeve, me më shumë se 27,000 –mijëra qytetarë kanë ngritur padi kundër kryeministrit Pedro Sanchez dhe kabinetit të tij nën akuzat për “vrasje për shkak të pakujdesisë së rëndë”.
Kryeministri Sanchez dhe 22 anëtarët e tjerë të Këshillit të ministrave akuzohen se kanë lejuar që pandemia të përhapet përmes mosveprimeve të tyre, duke shkaktuar vdekjen e shumë njerëzve.
Argumentet ligjore
Shtrohet pyetja nëse, kur ballafaqohemi nga një shpërthim i paparë në kohët moderne, a duhet që dikush të mbajë përgjegjësi.
Por, disa studiues juridikë argumentojnë se mbrojtja e shëndetit të qytetarëve është një e drejtë themelore e njeriut dhe mosveprimi në bazë të rekomandimeve nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), mund të konsiderohet shkelje e detyrimeve të shteteve sipas Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit (IHR).
Pedro Villareal, bashkëpunëtor i lartë në Institutin Max Planck me seli në Gjermani, la hapësirë për interpretim kur adresoi pyetjen se nëse devijimi nga këshillat e OBSH-së ishte në të vërtetë një shkelje.
“Përgjigja (kontroverse) për mendimin tim është: varet”, shtoi ai në një shkrim të botuar në Opinionjuris.org, një blog kushtuar diskutimit të ligjit ndërkombëtar.
Villarreal thotë se IHR-ja ka një numër detyrimesh “të vështira dhe të shpejta”, pajtueshmëria ndaj të cilave mund të përcaktohet menjëherë. Detyrimi për të njoftuar OBSH-në për një shpërthim, për shembull, futet në këtë kategori.
Por, neni 43 i IHR, nen i përmendur shpesh si bazë ligjore për rastet kundër qeverive rreth pandemisë, “që si tërësi nuk është 'e vështirë dhe e shpejtë’, në kuptimin që nëse nuk pajtohesh me rekomandimet e OBSH-së, mund të çojë në shkelje”, thotë Villareal.
Në një postim, Villarreal shkruan se “IHR, në teori, mund të thirret në individë të të drejtave të njeriut të secilit rajon ose te gjykatat e vendit, sa herë që ato besojnë se ka ndonjë shkelje”.
Por, ai shton se derisa “është e mundur thirrja në nenet e IHR, në nivel lokal”, varësisht nga sistemi ligjor përkatës, nuk duhet ‘të merret si i mirëqenë’.