Ndërlidhjet

Kriza energjetike: Evropianët zgjedhin mes ushqimit dhe ngrohjes


Një shporet me gaz. Fotografi ilustruese.
Një shporet me gaz. Fotografi ilustruese.

Reuters

Nuk ka më hekurosje, por ka përdorim të kufizuar të furrës dhe dush në punë. Kështu evropianë po përpiqen të kursejnë energjinë elektrike, por faturat e tyre po vazhdojnë të shtrenjtohen.

Teksa çmimet me shumicë për gaz dhe energji elektrike po rriten, miliona qytetarë në Evropë tani janë duke shpenzuar një sasi rekorde të të ardhurave të tyre për energji, tregojnë të dhënat e reja.

Në lindje të Anglisë në qytetin Grimsbi, Philip Keetley, ka nisur që të mos përdorë kondicionerin në shtëpinë e tij në kohën kur Britania këtë verë është përballur me valën rekord të të nxehtit.

Ai vendosi që të mos përdorë më pajisjen për të ftohur shtëpinë e tij, pasi e pa që nuk do të mund t’ia dilte financiarisht.

“Kostoja e jetesës është rritur dhe megjithatë nga ju pritet që të jetoni me buxhetin kur nuk kishte krizë.... Unë ose duhet ta ndez ngrohjen ose të ha”, tha Keetley.

Banorët në shtetet e tjera evropiane po ashtu në baza vullnetare po ndërmarrin hapa për të ulur përdorimin e gazit, rrymës, pasi çmimet e karburanteve janë rritur në nivele rekorde për shkak të luftës në Ukrainë, sanksioneve kundër Rusisë, por edhe për shkak të pasojave të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

Në 12 muajt e fundit, çmimi standard evropian i gazit është rritur për 550 për qind. Kostoja e energjisë për konsumatorët britanikë nga tetori do të rritet për 80 për qind, tha të premten rregullatori Ofgem. Kjo rritje do të bëjë që çmimi mesatar vjetor i amvisërive të arrijë në 3.549 funte (4.188 dollarë).

Qeveritë evropiane kanë nxituar që të ofrojnë ndihmë, por të dhënat tregojnë se ndihma e ofruar nuk ka bërë dallim të madh për amvisëritë.

Këtë dimër, britanikët do të shpenzojnë një mesatare prej 10 për qind të të ardhurave të familjes për gaz, elektricitet dhe karburante të tjera që përdoren për ngrohje. Po ashtu, ata do të shpenzojnë për karburantet për makinat e tyre – kryesisht benzinë dhe naftë – dyfish më shumë sesa më 2021, thuhet në të dhënat e ofruar nga Carbon Brief.

Kjo e bën krizën aktuale të energjisë më të rëndë se ato të viteve 1970 dhe 1980. Embargoja e prodhimit të naftës dhe revolucioni iranian më 1979 shkaktuan ndërprerje të mëdha dhe të gjata të furnizimeve me karburante në Perëndim. Në kulmin e asaj krize më 1982, qytetarët në Mbretërinë e Bashkuar shpenzonin 9.3 për qind të të ardhurave të tyre për energji.

Organizata bamirëse në Mbretërinë e Bashkuar, Veprimi Kombëtar për Energji (NEA), vlerëson se 8.9 milionë familje në vend mund të përballen me mungesë të furnizimeve të karburanteve pas tetorit, kur të rriten çmimet tavan në Britani. Vitin e kaluar, numri i amvisërive që u përballen me këtë gjë ishte 4.5 milionë.

Një familje përkufizohet se jeton në mungesë të karburantit, apo siç njihet ndryshe edhe varfëri të karburantit, nëse ka të ardhura të ulëta dhe duhet të shpenzojë 10 për qind apo më shumë të të ardhurave të saj për energji, tha NEA, por edhe organizatat e tjera bamirëse britanike. Ky përkufizim, jozyrtarisht përdoret edhe në shtetet e tjera evropiane.

“Rritja e faturave të energjisë që po shohim tani është krejtësisht e paprecedentë”, tha Peter Smith, drejtor i politikave dhe avokimit në organizatën NEA.

“Ne mendojmë se këto tendenca historike të numrit të familjeve me të ardhura të ulëta që shpenzojnë në mënyrë disproporcionale më shumë nga të ardhurat e tyre për energji janë ende shumë evidente”.

Ushqim ose ngrohje

Keetley humbin punën e tij si këshilltar në prill dhe tani jeton me 600 funte (706.44 dollarë) në muaj që merr nga skema e sigurimit social. Gjysma e kësaj shume atij i shkon për qira, dhe ai tha se me pjesën tjetër e parave që i mbeten, mezi mbulon shpenzimet e tij të nevojshme mujore.

Ai tani ha vetëm një vakt në ditë dhe pavarësisht se ka ulur në minimum shpenzimin e energjisë, ai shpenzon mbi 15 për qind të të ardhurave të tij për fatura të energjisë.

Një e tretave e amvisërive në Mbretërinë e Bashkuar kanë ulur përdorimin e shporetit dhe furrës, gjeti një studim i kryer nga Financial Fairness. Sipas këtij studimi, një e treta kanë ulur përdorimin e tyre, ndërkaq gjysma kanë nisur të ulin temperaturën në shtëpitë e tyre.

“Qytetarët po bëjnë shumë për t’u mundur që faturat e tyre të mos jenë të shtrenjta, por gjithsesi faturat po rriten. Prandaj, ne na duhen më shumë veprime nga Qeveria”, tha Jamie Evans, hulumtues i lartë në Universitetin Bristol. Evans ka qenë i përfshirë në studimin e Financial Fairness.

Dawn White, e cila ka probleme shëndetësore, tha se ka frikë se rritja e çmimeve të energjisë në Britani do të nënkuptojë që ajo nuk do të jetë në gjendje të paguajë për trajtim mjekësor, të cilin e ka të nevojshëm.

“Pa përdorur aparatin për dializë pesë herë në javë, 20 orë, unë vdes”, tha kjo 59-vjeçare e cila jeton në Anglinë juglindore.

Çmimet e gazit për amvisëri në shumicën e ekonomike kryesore evropiane në fillim të vitit 2022 tejkaluan çmimet e krizave të mëhershme në vitet 1970, 1980 dhe 2000, sipas indeksit të inflacionit për amvisëritë të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.

Në Evropë gjendja është më e rëndë sesa në ekonomitë e tjera të zhvilluara.

Deri në fund të çerekut të parë të vitit, sipas Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, indeksi i çmimeve të gazit ishte më i ulët sesa piku i krizave paraprake.

Sipas të dhënave të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, që datojnë nga viti 1978, tregojnë se megjithëse amvisëritë amerikane paguanin mesatarisht çmime më të larta për gazin natyror në katër dekadat e fundit, çmimet e gazit për amvisëritë evropiane kanë tejkaluar ato amerikane më 2022.

Dush në punë

Në Turqi, çmimet e gazit janë dyfishuar në korrik krahasuar me një vit më parë, ndërkaq çmimet e energjisë elektrike janë rritur me 67 për qind nga viti në vit, bazuar në të dhënat e Institutit të Statistikave të Turqisë.

Seyda Bal, 27-vjeçare nga Stambolli, tha se ajo ka nisur të përdorë tri herë më pak furrën për gatim me qëllim që të kursejë energji. Burri saj udhëton me autobus në punë për të kursyer karburant, edhe pse rruga deri në punë i është zgjatur për trefish.

Në Bashkimin Evropian, familjet italiane dhe gjermane janë në mesin e familjeve të goditura më së keqi nga çmimet e gazit, thuhet në të dhënat e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.

Faturat e energjisë për një familje mesatare italiane – kryesisht për gaz dhe elektricitet – u rritën në 5 për qind të shpenzimeve totale të amvisërive në korrik të këtij viti nga 3.5 për qind sa ishin më 2019, thuhet në të dhënat nga kompania hulumtuese Prometeia. Në korrik, është shënuar niveli më i lartë i çmimeve bazuar në të dhënat e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim që datojnë nga viti 1995.

Në Gjermani – ekonominë më të madhe në Evropë – faturat për gaz të amvisërive janë mbi dyfish më të larta sesa vitin e kaluar, kanë treguar të dhënat e portalit Check24. Ndërkaq, çmimet e naftës që përdoret për ngrohje nga amvisëritë janë rritur për 78 për qind krahasuar me një vit më parë.

Ercan Erden, 58 vjeç, jeton në Nida, në verilindje të Frankfurtit dhe punon në një fabrikë të ujit mineral.

“Tani dush bëj në vendin e punës pasi ta përfundoj orarin. Po ashtu, rruhem në punë”, tha ai.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG