Rusia ka nisur bombardimin e kufirit të rajonit të Harkivit, më 10 maj, dhe ka filluar një ofensivë tokësore në veri. Po zhvillohen beteja të ashpra dhe po kryhen bombardime të vazhdueshme. Kryekomandanti i forcave të armatosura të Ukrainës, Oleksandr Syrskiy, thotë se përpjekjet e trupave ruse për të thyer mbrojtjet ukrainase janë ndalur, por se situata është e vështirë. Luftimet po vazhdojnë në zonat në kufi me Federatën Ruse.
Banorët e Vovçanskut dhe të fshatrave të afërta po përpiqen të largohen nga zona, vetëm ose me ndihmën e vullnetarëve dhe të policisë. Më herët, qyteti i Vovçanskut ishte pushtuar nga trupat ruse, por në vjeshtën e vitit 2022 forcat ukrainase e çliruan rajonin. Tani, forcat ruse po përpiqen ta pushtojnë sërish qytezën ukrainase. (Përgatiti: Trim Haliti)