Ndërlidhjet

Engel: Lëvizja e kufijve, biletë drejt konflikteve të së kaluarës


Kongresmeni Eliot Engel, foto nga arkivi
Kongresmeni Eliot Engel, foto nga arkivi

“Nuk do të ketë ndarje të Kosovës, shkëputje të ndonjë pjese të saj dhe ky është një parim shumë i rëndësishëm”, thotë Eliot Engel, ligjvënës në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Engel, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje me 19 prill për normalizimin e marëdhënieve. Por, palët kanë tejkaluar afatet për hartimin e planit të zbatimit të saj. A mendoni se procesi i normalizimit është në rrezik?

ELIOT ENGEL
Jo. Mendoj se kur keni një proces të tillë normalizimi, gjithnjë do të ketë gjëra që dalin në rrugë, do të ketë pengesa, por mendoj se të dyja palët janë të përcaktuara për një marrëveshje, gjë që e bën dhe ta zbatojnë atë.

Mendoj se gjërat do të jenë në rregull. Qartazi që kjo është një situatë serioze. Të dyja palët kanë dyshime nëse kjo është gjë e mirë. Por, mendoj se ky është një hap i domosdoshëm që duhet të ndërmerret dhe besoj se do të funksionojë. Bashkimi Evropian natyrisht është aty dhe Shtetet Bashkuara do të jenë gjithnjë në krah të popullit të Kosovës në çdo hap.

RADIO EVROPA E LIRË
Kongresmen, debatet brenda dhe jashtë Kosovës po vazhdojnë rreth çështjes nëse marrëveshja po krijon mundësi për krijimin e një mini-shteti apo një Republika Sërpska në pjesën veriore të Kosovës. A po ndodhë kjo?

ELIOT ENGEL
Jo. Këto janë negociata mjaft të vështira. Ka shumë opinione nga më të ndryshmet, kishte armiqësi për shumë vjet. Viti 1999 është ende i freskët në mendjet e të gjithëve, posaçërisht tek pala e Kosovës. Unë mendoj se kjo marrëveshje është e domosdoshme.

Mendoj se në një marrëveshje asnjë palë nuk merr çdo gjë që dëshiron.

Marrëveshja është kompromis dhe kompromisi nënkupton se njëra palë merr diçka nga ajo që dëshiron dhe pala tjetër diçka nga ajo që dëshiron. Dhe si rezultat, asnjëra palë nuk është tërësisht e kënaqur, por të dyja palët kuptojnë se kjo është në interesin më të mirë, sepse ata mund të lëvizin përpara, mund të lënë të kaluarën apo të përpiqen të kenë të kaluarën prapa dhe të shohin drejt së ardhmes.

Për mua është shumë e thjeshtë. A duan popujt e Ballkanit të shohin gjithnjë nga e kaluara, ku gjithnjë kishte gjakderdhje, luftëra dhe urrejtje shekullore, apo duan të shohin përpara dhe të përpiqen që të ndërtojnë një jetë më të mirë për të ardhmen e tyre apo jetë më të mirë për fëmijët e tyre.

Mendoj se në këtë marrëveshje Kosova ka përfituar, sepse për herë të parë, Serbia “de facto” e ka njohur Kosovën dhe qeveria e Prishtinës do të shtrijë kontrollin në tërë Kosovën. Nuk do të ketë ndarje të Kosovës, shkëputje të ndonjë pjese të saj dhe ky është një parim shumë i rëndësishëm.

Pra qeveria e Kosovës është përgjegjëse për tërë Kosovën, qoftë Mitrovica veriore, jugu apo cilado pjesë e saj. Në shkëmbim të kësaj, serbët në veriun e Mitrovicës do të kenë një shkallë të autonomisë. Mendoj se ky është një pazar i mirë, sepse mendoj që autonomia nuk është gjëja më e keqe në botë.

Ju e dini se Kosova kishte autonomi në sistemin e vjetër jugosllav. Ajo nuk funksionoi sepse Millosheviqi e rrënoi atë në vitin 1988. Por, nëse kjo është autonomi e vërtetë dhe BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët e njohin faktin që Kosova është një dhe jo e ndarë, jo e copëtuar, në shkëmbim të një forme të autonomisë për serbët, mendoj se është një marrëveshje shumë e mirë për Kosovën dhe qeverinë në Prishtinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në kuadër të pikëpamjeve të ndryshme, kolegu juaj nga Dhoma e Përfaqësuesve, ligjvënësi Dana Rohrabacher, hodhi idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si rrugë për zgjidhjen e konflikteve. Ju, me gjasë nuk pajtoheni?

ELIOT ENGEL
Unë nuk pajtohem. Më lejoni të them se kolegu im Dana Rohrabacher është njeriu shumë i arsyeshëm dhe mendoj se ai e ka në zemër interesin më të mirë të Kosovës. Unë kam punuar për shumë vjet me të dhe jemi miq.

Por, unë nuk pajtohem se ndarja e Kosovës është rruga që duhet ndjekur. Kosova është në Ballkan, ku nuk e dini ku është fundi. Nëse lëvizni kufijtë në Ballkan, nëse ndani Kosovën, çfarë do të ndodhë kur Republika Sërpska dëshiron të jetë pjesë e Serbisë, çfarë ndodhë kur pjesë të Maqedonisë duan të ndryshojnë, çfarë do të ndodhë me Bosnjën? Nuk do të kishte fund dhe kam frikë se nuk do të kishte zgjidhje edhe për njëqind vjet të tjera.

Unë më me dëshirë do të pranoja zgjidhje si kjo me marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të provoja të ndërtoja mbi të rrugën e përparimit drejt së ardhmes. Mendoj se nëse filloni të lëvizni kufijtë, do të jetë një biletë e sigurt drejt konflikteve të së kaluarës. Do të ishte biletë për palë të ndryshme që ndjehen të rrezikuara dhe duan të jenë në këtë apo anën tjetër të kufirit.

Nëse do të kishim mundësi të ndërrojmë pjesë të Kosovës me të Serbisë dhe nuk do të ndodhte asgjë, do të thosha, në rregull. Mbase është diçka që ia vlen të mendosh për të. Por, është e pamundur të ndodhë kjo pa pasoja për pjesë të tjera të Ballkanit dhe prandaj mendoj se ky nuk është një propozim i mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Engel, në debatet në të cilët keni marrë pjesë bashkë me zotin Rohrabacher, ju keni bërë thirrje që Kosova të përfshihet në Evropë bashkë me fqinjët e saj për të shmangur krijimin e një “vrime të zezë” në Ballkan. Në disa raste zyrtarët në Prishtinë kanë kritikuar Brukselin për injorimin e arritjeve të Kosovës. A pajtoheni me këtë kritikë?

ELIOT ENGEL
Pajtohem më disa nga kritikat. Mendoj se atë çfarë ka bërë Kosova që nga shpallja e pavarësisë, është e mrekullueshme.

Mendoj se ka probleme, pa dyshim, të gjithë e dimë se ka probleme çdo vend dhe Kosova ka probleme si një shtet i ri. Por, mendoj se në përgjithësi Kosova ka përparuar dhe duhet të ecë përpara drejt së ardhmes. Mendoj se është me rëndësi që Shtetet e Bashkuara të qëndrojnë të përfshira.

E di se populli i Kosovës u beson Shteteve të Bashkuara dhe unë mendoj se nëse ia lëmë Evropës, nuk jam i sigurt që Kosova do të marrë çfarë meriton.

E di që nëse Shtetet e Bashkuara qëndrojnë atje do të kujdesen për popullin e Kosovës.

Kjo marrëveshje qartazi e vë Kosovën në rrugën drejt Bashkimit Evropian, po ashtu e vë Serbinë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Nuk më pengon nëse Serbia i bashkohet BE-së nëse edhe Kosova po ashtu i bashkohet Bashkimit Evropian. Nuk dua që Serbia të ketë mundësinë që të bllokojë Kosovën.

Mendoj se kjo marrëveshje nuk lejon që njëri vend ta bllokojë tjetrin. Mendoj se Bashkimi Evropian meriton përgëzim, për zonjën Ashton që punoi shumë, unë kam biseduar me të personalisht për situatën në Kosovë, në Serbi. Mendoj se Evropa po pret ditën kur të dyja Kosova dhe Serbia mund t’i bashkohen.

Sërish, mendoj se kjo është një marrëveshje shumë e mirë për popullin e Kosovës. A i jep Kosovës krejt çfarë ajo dëshiron? Jo. A është marrëveshje e përkryer? Jo. Por, këto veprime duhet të shihen si ecje përpara, prandaj mendoj se është marrëveshje e mirë, sepse, nuk ka rëndësi për mua nëse Serbia ka marrëdhënie formale diplomatike dhe e njeh Kosovën, por me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Serbia “de facto” e njohu të drejtën e Kosovës që të ekzistojë si një komb i pavarur.

RADIO EVROPA E LIRË
Më lejoni të përfundoj këtë intervistë duke ju kërkuar një pikëpamje për Shqipërinë dhe zgjedhjet e përgjithshme të muajit të ardhshëm, duke pasur parasysh fushatën e tensionuar dhe ndikimin që do të kenë këto zgjedhje në integrimet evropiane të Shqipërisë...

ELIOT ENGEL
Do të ketë ndikim shumë shumë të madh, e di që të gjithë i kanë sytë andej. Kishim një dëgjim javën e kaluar në Komitetin e Helsinkit për zgjedhjet në Shqipëri.

Shpresoj që zgjedhjet të ecin mbarë dhe shpresoj që kushdo që fiton të jetë fitues dhe të mos ketë mashtrime. Shqipërinë, e cila sot është një anëtare krenare e NATO-s, isha shumë i lumtur ta shihja duke hyrë në NATO dhe do të doja ta shihja që të anëtarësohet edhe në BE.

Bashkimi Evropian do t’i vëzhgojë këto zgjedhje dhe do të vendos nëse Shqipëria është kandidate për anëtarësim në BE, bazuar në masë të madhe në mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Shpresoj që mosmarrëveshjet që ekzistojnë tani në Shqipëri në raport me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe mosmarrëveshjet tjera do të adresohen. Shpresoj që kushdo që fiton, të ketë një fitore që do të respektohet nga të gjithë.

Nuk mund t’i kemi konfrontimet që patëm para disa vjetësh, nuk mund të kemi një situatë në të cilën një parti politike nuk merr pjesë në kuvend, cilado parti politike qoftë ajo. Kushdo që zgjidhet duhet të marrë pjesë në kuvend.

Shqipëria duhet ta dëshmojë se e meriton t’i bashkohet BE-së dhe zgjedhjet do të zënë një pjesë të madhe në gjykimin e BE-së për kandidaturën e Shqipërisë. Unë mendoj se Shqipëria duhet të jetë kandidate.

Do të doja të shihja si Shqipërinë, ashtu edhe Kosovën, por për Shqipërinë këto zgjedhje janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe mbarë bota i ka sytë nga këto zgjedhje.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG