Ndërlidhjet

Pse ekonomia e Taylor Swiftit nuk është reale?


Artistja Taylor Swift gjatë një koncerti në Evropë.
Artistja Taylor Swift gjatë një koncerti në Evropë.

Reuters

Artistja Taylor Swift ka zbarkuar në Evropë si stuhi, dhe kështu i ka nxitur disa ekspertë të ekonomisë që të analizojnë qarkullimin e saj financiar, teksa biletat për koncertet e saj, prej Dublinit në Vjenë, janë shitur me shpejtësi.

Ka pritje që Swift, bashkë me Lojërat Olimpike në Francë dhe Kampionatin Evropian të Futbollit (Euro 2024) që po mbahet në Gjermani, do të shërbejnë si injeksion financiar për kontinentin që ka kaluar nëpër recesion në pjesën më të madhe në dy vjetët e fundit dhe ka mbetur shumë mbrapa në krahasim me Shtetet e Bashkuara.

Mirëpo, ekziston një problem: E ashtuquajtura “Swiftonomics" nuk është reale.

Ajo mund të jetë duke shijuar një sukses të rrallë në industrinë e muzikës, mirëpo në momentin që ekzaltimi përfundon, duhet ndalur edhe analizuar përfitimin ekonomik.

E marrim shembull Stokholmin. Afro 180.000 tifozë kanë marrë pjesë në tri koncertet që ka mbajtur Swift atje në maj dhe gjysma e tyre kanë shkuar për ta parë prej vendeve tjera, duke gjeneruar kështu 81 milionë dollarë fitime për qytetin.

Këto fitime janë të mirëpritura prej Stokholmit, mirëpo janë vetëm një pikë në oqean për ekonominë e Suedisë, e cila renditet e teta në Bashkimin Evropian, me një qarkullim vjetor prej 623 miliardë dollarëve.

“Këto fitime shtesë janë të mrekullueshme për Stokholmin dhe në përgjithësi për sektorin e turizmit”, ka thënë Carl Bergkvist, ekonomist në Odën Ekonomike të Stokholmit.

“Mirëpo është vetëm aq – fitim i një fundjave që nuk do të ketë ndikim të madh në rritjen e përgjithshme të ekonomisë”.

Oda ka thënë se hotelet dhe restorantet kanë shënuar fitore të mëdha, gati 155 për qind më shumë sesa në situatën normale.

Ndikimi në çmime ka qenë gati i pavërejtshëm, ose edhe më i vogël sesa kur është mbajtur koncerti i yllit Beyonce në qytetin e njëjtë, vitin e kaluar, çka pati rritur pak inflacionin.

Megjithatë, pati apo nuk pati efekt, inflacioni suedez ka rënë prej 10 për qind sa ka qenë atëherë, në mbi 2 për qind.

“A ekziston efekti Taylor Swift?

Është jashtëzakonisht i vogël dhe i përkohshëm”, ka thënë Carsten Brzeski, economist.

“Bëhen studime të mëdha para ngjarjeve të tilla të mëdha, dhe për përfitimet që vijnë me to, mirëpo duhet analizuar vërtet me llupë për të vënë shifra të sakta pas këtyre përfitimeve”, ka thënë Brzeski.

E njëjta gjë vlen edhe për Lojërat Olimpike, edhe për Euro 2024.

Në periudhën e organizimit fitojnë shumë restorantet, shiten shumë birra, apo edhe shitësit e gjërave me personalizime për ato ngjarje, mirëpo nuk kanë efekt afatgjatë.

“Ato shpenzime që bëjnë konsumatorët, do t’i bënin edhe pa ato organizime, por vetëm ndoshta i bëjnë në të njëjtën kohë, si formë subvencioni”, ka sqaruar profesori Simon Shibli prej Universitetit Sheffield Hallam.

Argumenti është që paratë e gatshme që shpenzohen në një biletë koncerti apo në hotel, vijnë prej një buxheti familjar, që nënkupton se mbeten më pak para për organizime të tilla, apo për dalje nëpër restorante.

Indeksi i Bankës Danske për konsumim të birrës, ka treguar një rritje të madhe kur në Danimarkë është mbajtur Kampionati Evropian – pasi baret dhe restorantet kanë regjistruar 106 për qind rritje në shitje të birrave, në krahasim me periudhat tjera.

“Në nivel mikro, këto organizime janë si injeksion, mirëpo zgjasin pak, janë të përkohshme”, ka thënë Piet Haines Christiansen prej Bankës Danske.

“Ato të hyra janë të rëndësishme për sektorë specifikë, sikurse për hotelet nëpër vendet ku shkon Taylor Swift, apo në vendet ku njerëzit shkojnë për të parë futboll”.

Muajin e kaluar, disa media lokale kanë parë me vëmendje një hulumtim për shprehitë blerëse të tifozëve të Swiftit, duke sugjeruar se koncertet e saj do të rezultojnë me 1 miliard funta shtesë në ekonominë e Britanisë së Madhe.

Megjithatë, pavarësisht efektit që kanë këto shpenzime nëpër biznese lokale, në fakt pjesa më e madhe e të hyrave prej koncertit të Swiftit do të përfundojnë në Shtetet e Bashkuara.

Për ekonomitë, sikurse ajo e Britanisë, apo tjerat në kontinentin evropian, këto organizime as nuk do të regjistrohen në librat tregtarë.

Në Eurozonën me 20 vende anëtare, bilanci i eksporteve ndaj importeve ka qenë hiç më pak se 39 miliardë euro, vetëm në muajin prill.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG