Komentet e fundit të presidentit francez, Emmanuel Macron, mbi një bashkësi (komunitet) paralele evropiane për vendet që presin të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, janë një ripërtëritje klasike e idesë së vjetër për një kontinent të përbërë nga unaza të ndryshme vendesh që gëzojnë nivele të ndryshme të integrimit në BE, me Eurozonën në epiqendër absolute. Është një ide që ka të ngjarë të mos realizohet pasi ka shumë kundërshti ndaj saj, jo vetëm jashtë BE-së, por në mënyrë thelbësore edhe brenda unionit.
“Paradhoma” e vërtetë e BE-së është, dhe ka shumë të ngjarë të mbetet e tillë, procesi i anëtarësimit në BE i Gjeorgjisë, Moldavisë dhe Ukrainës që tani kanë aplikuar zyrtarisht për t'u bashkuar me bllokun, dhe kjo do të bëhet gjithnjë e më e dukshme.
Por, ndërsa ideja e Macronit për arkitekturat e reja politike evropiane mund të jetë e paqartë, ai ka plotësisht të drejtë për një gjë tjetër në dukje të diskutueshme: do të duhen dekada që një vend si Ukraina (dhe si rrjedhojë edhe Gjeorgjia me Moldavinë) të anëtarësohen në BE.
Kjo vjen pavarësisht betejës heroike të kombit ukrainas dhe simpatisë së gjerë që gëzon në mbarë botën, përfshirë mbështetjen e qytetarëve në vendet e BE-së, të cilët besojnë se një ditë ajo duhet të bëhet anëtare e saj.
Por, e vërteta e hidhur është se: asnjë vend nuk ka hyrë në Bashkimin Evropian duke u bazuar vetëm mbi emocionet.
Duhen vite reformash të mundimshme politike dhe ekonomike, nevojiten miliarda euro për të rindërtuar vendin dhe vullneti i të 27 anëtarëve të BE-së gjatë rrugës – diçka që nuk do të jetë gjithmonë aty.
Për një vend në mes të luftës, me ekonominë dhe bazën industriale të shkatërruar dhe me një fqinj gjakatar që synon të shtypë gjithë ekzistencën e tij, kjo mund të jetë pothuajse e pamundur. Edhe sikur të shfaqej papritur, ç’gjë ka pak gjasa të ndodhë, një demokrat dashamirës në Kremlin, kjo nuk do ta shndërronte rrugëtimin e Kievit drejt Brukselit nga dekada në vite.
Për të pasur një ide se sa i ngadaltë do të jetë ky proces, mjafton të shihni rrugëtimin e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.
Po, krahasimet gjeografike janë zakonisht të padrejta, dhe kontekstet politike, historike dhe ekonomike ndryshojnë shumë, por këtu ka shumë paralelizma që thjesht nuk mund të anashkalohen.
Argumenti më i zjarrtë për anëtarësimin e shpejtë të Ukrainës janë vetë sakrificat heroike që po bëjnë ukrainasit duke u rezistuar pushtuesve rusë. Ata po luftojnë jo vetëm për kombin e tyre, por për gjithçka që përfaqëson vërtet Perëndimi.
E gjithë kjo është e vërtetë, por kjo ishte e vërtetë edhe për Bosnjë e Hercegovinën dhe Kosovën. Ata përjetuan gjithashtu masakra, krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe shfaqën stoicizëm dhe heroizëm mbresëlënës për të mbijetuar si popull dhe si komb.
Megjithatë, kjo nuk i ka ndihmuar shumë ata në përpjekjet e tyre për t’u anëtarësuar në BE, me Sarajevën dhe Prishtinën që mbeten në pritje me statusin e kandidatëve të mundshëm.
Dikush mund të thotë se kjo është për shkak të situatës problematike në të cilën dy shtetet ndodhen, me Kosovën që ende nuk e njohin një pjesë e vogël e shteteve anëtare të BE-së dhe Bosnjën, me strukturën e saj jofunksionale politike.
Por, çfarë lloj Ukraine po del realisht nga kjo luftë? Cila Ukrainë po aplikon në fakt për në BE?
I gjithë Perëndimi mbështet integritetin territorial të vendit, duke përfshirë Krimenë dhe Donbasin, por sa të mëdha janë shanset tani dhe në muajt dhe vitet në vijim që Qeveria e Kievit të ketë kontroll politik mbi këto rajone?
Të njëjtat pyetje mund t'i shtrohen Moldavisë dhe Gjeorgjisë në lidhje me rajonet e tyre separatiste. Dhe, nëse nuk ka përgjigje të qarta për këto pyetje, është e vështirë të parashikohet ndonjë shans real mbi anëtarësim në BE, pasi Moska do të vazhdojë t’i përdorë këto rajone të pushtuara për të lidhur treshen me sferat e saj të ndikimit.
Por, krahasimet nuk mbarojnë këtu. Ndërsa ka probleme të konsiderueshme në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë korrupsionin, keqfunksionimin e pushtetit gjyqësor, madje edhe kapjen e drejtpërdrejtë të shtetit (gjëra që janë të pranishme edhe në treshen e vendeve lindore që aspirojnë të anëtarësohen në BE), e vërteta është se një arsye tjetër pse ky rajon nuk është tashmë në BE është sepse shumë në union nuk janë veçanërisht entuziastë për integrimin e tyre në radhë të parë.
Më pak se një vit më parë, disa vende anëtare të BE-së vunë në dyshim vendosjen e fjalës "zgjerim" në deklaratën e samitit të fundit të Ballkanit Perëndimor.
Para pushtimit rus, më 24 shkurt, çdo përpjekje që linte të kuptohej se vende të tilla si Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina kishin shanse që një ditë t'i bashkoheshin unionit, hidheshin gjithmonë poshtë nga disa vende të Evropës Perëndimore.
Ndonëse kishte më shumë solidaritet në muajt e fundit nga Bashkimi Evropian, ishte mjaft e qartë në diskutimet që u zhvilluan midis udhëheqësve të BE-së, në muajin mars në Versajë, se ato vende që ishin pro hapjes së portave për treshen, ose të paktën për Ukrainën, ishin anëtaret më të reja të BE-së në Evropën Qendrore dhe Lindore.
Dhe, nuk kemi prekur ende as çështjen e përparimit të vendeve, të cilat janë mbajtur peng nga çështje të tjera.
Edhe këtu kemi një shembull të Ballkanit Perëndimor – Maqedoninë e Veriut - padyshim një nga vendet që i ka plotësuar më së miri kushtet e BE-së në vitet e fundit. Edhe Franca edhe Bullgaria e kanë bllokuar hapjen e negociatave të saj për çështje që lidhen drejtpërdrejt me Shkupin, për Sofjen, dhe me zgjerimin në përgjithësi për Parisin.
Kush mund të thotë se kjo nuk do të ndodhë me Ukrainën? Ashtu siç Turqia po kundërshton aplikimin e Suedisë dhe Finlandës për t’u anëtarësuar në NATO (dhe kërcënimi i presidentit kroat për të bërë të njëjtën gjë), çdo proces zgjerimi paraqet një mundësi të përsosur për të nxjerrë përfitime dhe lëshime të ndryshme, për përdorime të brendshme apo gjetkë.
Pra, kur Komisioni Evropian në fillim të muajit të ardhshëm të vijë me opinionet e tij për aplikimet për në BE, të Gjeorgjisë, Moldavisë dhe Ukrainës, prisni disa hezitime.
Mund të ndodhë shumë mirë që të rekomandohet statusi i kandidatit, të paktën për Ukrainën, por mos u habitni nëse ai kushtëzohet me reforma të mëtejshme dhe detyra të tjera.
Siç kanë mësuar vendet e Ballkanit Perëndimor, Komisioni është shpesh më optimist dhe më i gatshëm se Këshilli, ku shtetet anëtare duhet të binden dhe konsensusi është i domosdoshëm.
Në fund mund të jetë më i mundshëm statusi i kandidatit dhe më i pranueshëm për 27 vendet anëtare sesa një status i pakushtëzuar kandidat, pasi ata mblidhen në Bruksel më 23-24 qershor “për të vlerësuar” rekomandimin e Komisionit.
Pak para këtij samiti, ata do t’i presin të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor në kryeqytetin belg.
Shpresa është ende se do të ketë dritë jeshile për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Deri më tani, sinjalet nuk janë shumë inkurajuese.
Por, për të ecur përpara me një rajon, ose të paktën një vend, Ukrainën, por jo me zgjerimin e Ballkanit Perëndimor, sipas disa zyrtarëve të BE-së, kjo do të dërgonte sinjale të gabuara.
Mund të shihet si e padrejtë ndaj Kievit, por Brukseli gjen gjithmonë mënyra për të zhgënjyer – thjesht pyesni çdo zyrtar nga Ballkani Perëndimor. Dhe, Kievi fare mirë mund të ankohet, duke përmendur me të drejtë mungesën e guximit, vullnetit dhe të menduarit gjeostrategjik nga BE-ja dhe të pretendojë se është e gjitha e papranueshme.
Por, ashtu si Ballkani Perëndimor, ata do të kuptojnë se ka pak opsione të tjera në dispozicion për ta, ndërsa zënë vendet e tyre në paradhomën e BE-së.