“Unë mendoj se askush në Serbi nuk ka një pasqyrë të plotë të asaj që po ndodh në Kosovë. Një pjesë të së vërtetës e merrni nga vende të ndryshme", tha për Radion Evropa e Lirë, Dragana Kanjevac nga Beogradi.
Ajo beson se mediat nuk raportojnë mjaftueshëm në mënyrë objektive dhe gjithëpërfshirëse për pozitën e komunitetit serb në Kosovë, si dhe për ngjarjet tjera në Kosovë.
"Askush nuk i jep të gjitha informacionet, dhe është një nyje gordiane afatgjatë, e cila në vend se të zgjidhej dhe të qetësohej, është shtrënguar gjithmonë nga të gjithë. Njerëzit që jetojnë atje janë fatkeqësisht viktima të kësaj", shton ajo.
Edhe Vllada Lleshiq nga Beogradi thotë se nuk ka një pasqyrë të plotë të situatës dhe ngjarjeve në Kosovë.
“E vetmja pamje që mund të krijojmë është nëse dikush njeh dikë në Kosovë apo ka familje, dhe më pas e zbulojmë nga dora e parë ose ndoshta nga dora e dytë”, thotë Lleshiq.
Ngjashëm mendon edhe bashkëqytetari i tij, Velko Neshiq, i cili thotë se për arrestimin e katër të rinjve më 10 shtator në veri të Kosovës, ka mësuar nëpërmjet rrjeteve sociale.
"Unë e di që ka pasur disa arrestime në veri të Kosovës. Disa djem janë arrestuar për shkak të përleshjes verbale, të cilën ne as që e kemi kuptuar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë", thotë ai për REL-in.
Katër të rinj janë arrestuar në Mitrovicën e Veriut për “sulm ndaj një zyrtari”. Më 11 shtator, atyre u është shqiptuar masa e arrestit shtëpiak prej një muaji.
Policia e Kosovës ka deklaruar se ata kanë fyer dhe sulmuar dy policë, njëri prej të cilëve ka pësuar lëndime dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Disa aktivistë politikë nga Mitrovica e Veriut kanë publikuar në rrjetet sociale një video nga arrestimi, duke pretenduar se me atë rast policia ka përdorur forcë të tepruar. Policia e Kosovës, nga ana tjetër, është përgjigjur se “është përdorur forca minimale e nevojshme për arrestimin e personave dhe vënien e tyre nën kontroll”.
Më 10 shtator, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar veriun e Kosovës. Po atë ditë, dy përfaqësues të partisë Demokracia Serbe, Aleksandar Arsenijeviq dhe Ivan Orloviq, u arrestuan për prishje të rendit dhe qetësisë publike, pasi protestuan kundër vizitës së Kurtit. Ata më pas u liruan.
Shumica e mediave të Beogradit kanë raportuar për këtë ngjarje, duke u mbështetur kryesisht në deklaratat e zyrtarëve serbë dhe interpretimin e tyre për atë që ka ndodhur.
Edhe pse nuk specifikoi se çfarë do të thoshte, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po atë ditë tha se Serbia “nuk do të lejojë pogromin dhe persekutimin e popullatës serbe dhe është fare e qartë se ky është bërë qëllimi i vetëm i Qeverisë së Kurtit”.
Ndër titujt që mund të lexohen më vonë në tabloidet dhe portalet në gjuhën serbe në internet janë: “Kurti mburret në Kosovë dhe arreston”, “Kurti nuk ndalet së terrorizuari serbët”.
Rade Velanovski, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, i tha Radios Evropa e Lirë se “në Serbi çdo ditë po riprodhohet narrativi se dikush dëshiron t’i dëbojë serbët dhe ta shkatërrojë tërësisht komunitetin serb në Kosovë”.
“Tabloidet dhe mediat me mbulim kombëtar janë pjesë e aparatit propagandistik të Qeverisë serbe, ata e dinë se çfarë është puna e tyre dhe kjo është një shpërfillje e plotë e standardeve profesionale dhe etike të gazetarisë”, konsideron ai.
"Rrallë dëgjojmë anën tjetër"
Velanovski theksoi se, sidomos kur bëhet fjalë për çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën, është jashtëzakonisht e rrallë që publiku serb të dëgjojë palën tjetër dhe argumentet e saj.
"Dhe, ky duhet të jetë rregull bazë i gazetarisë, pavarësisht nga interesi i përfshirë".
"Kur katër të rinj serbë janë arrestuar nga policia, dikush ju thotë se kjo është për shkak se kanë provokuar, madje edhe kanë sulmuar fizikisht një polic. Nga ana tjetër, dikush e mban të heshtur", tha Velanovski.
Ai tha se nga media të caktuara mund të merret vesh se çfarë mendojnë dhe çfarë kanë për të thënë autoritetet e Kosovës për një problem. Megjithatë, vëren ai, këto media zakonisht nuk kanë ndikim të madh në Serbi.
“Këto janë kryesisht media që nuk mund të dëgjohen, shihen, lexohen në të gjithë territorin e Serbisë dhe kanë më pak ndikim se ato media që raportojnë në mënyrë të njëanshme dhe që praktikisht lejojnë të dëgjohet vetëm njëra palë, dhe kjo është pala serbe që ndonjëherë ka të drejtë, e ndonjëherë edhe fare”, vlerësoi Velanovski.
Aleksandar Popov nga Qendra Joqeveritare për Rajonalizëm vëren se mediat pro-qeveritare nuk janë vetëm jo objektive kur bëhet fjalë për Kosovën.
"Këtu kemi raportim të njëanshëm për gjithçka që ndodh në Serbi, por edhe në rajon. Pra, publikohet ajo që mendojnë përfaqësuesit e Qeverisë sonë, por kjo është arsyeja pse ne nuk e kemi anën tjetër të medaljes", tha Popov.
Si paraqitet gjendja në Kosovë?
Profesor Velanovski beson se shumica e banorëve të Serbisë nuk marrin informacion real për atë që po ndodh në Kosovë.
“Situata në Kosovë në tërësi, dhe veçanërisht rrethanat në të cilat jeton komuniteti serb atje, janë paraqitur në atë mënyrë që duhet të mobilizojë publikun këtu në Serbi për një solidaritet absolut me ata njerëz, edhe kur nuk është tërësisht parimor", tha ai.
Ai shtoi se mediat pro regjimit “ekskluzivisht flasin për vuajtjet e serbëve”, por jo për shkaqet që kanë çuar në to.
"Prandaj, ajo që ndodhi në fund të viteve 1980, e veçanërisht ajo që ndodhi në vitet 1990, është injoruar. Përgjegjësia dhe faji i Serbisë për një situatë të tillë është injoruar", theksoi Velanovski.
Pas raportimeve të shumta për shkelje të të drejtave të njeriut, eksod dhe krime nga forcat ushtarake dhe policore serbe kundër popullatës shqiptare në Kosovë, NATO filloi më 24 mars 1999, bombardimin e Republikës Federale të Jugosllavisë. Bombardimet përfunduan me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës më 9 qershor të po atij viti, që i dha fund luftës në Kosovë, në të cilën u vranë më shumë se 13.000 njerëz dhe më shumë se 6.000 u zhdukën.
Me nënshkrimin e Rezolutës 1244 të OKB-së, u themelua një administratë territoriale ndërkombëtare në Kosovë. Kjo u pasua me tërheqjen e ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë.
“Të gjithë e harrojnë atë dhe pastaj thonë: ‘Ah, shikoni çfarë po i bëjnë popullit tonë’”, theksoi Rade Velanovski.
Cilat janë pasojat?
Aleksandar Popov nga Qendra për Rajonalizëm tha se aktualisht ka një pasqyrë të njëanshme në mesin e qytetarëve të Serbisë, të cilët më së shumti ndjekin mediat që janë nën kontrollin e Qeverisë.
“Qëllimi i Qeverisë është të errësojë tablonë reale të asaj që ka ndodhur në të vërtetë, të balancojë Qeverinë, të dërgojë një mesazh për publikun vendas dhe mesazhe të tjera për Perëndimin”, tha ai.
“Si rezultat i kësaj kemi deklarata ekstremiste, kryesisht nga njerëz që nuk kanë qenë kurrë në Kosovë. E gjithë kjo krijon një atmosferë në opinion që nuk shkon në drejtim të vlerësimit real të situatës, por nxit diçka që është jo realiste”, u shpreh Popov duke shtuar se do të ishte mirë që publiku në Serbi të kishte “pamje nga të dyja anët”.
“Pamja nga Beogradi, pamja nga Prishtina dhe pastaj mund të nxirren përfundime se cila është e vërteta dhe gjendja reale në gjithë këtë”, tha Popov.
Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008, të cilën Serbia nuk e njeh dhe e konsideron si pjesë të territorit të saj.
Zyrtarët nga Beogradi dhe Prishtina kanë zhvilluar dialog për normalizimin e marrëdhënieve për më shumë se një dekadë. Kosova ka institucionet e veta, forcat e sigurisë dhe është anëtare e disa organizatave ndërkombëtare, megjithëse ende nuk ka një ulëse në Kombet e Bashkuara.
Pavarësia e Kosovës është njohur nga më shumë se 100 shtete, duke përfshirë SHBA-në dhe shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian. Pavarësia e Kosovës nuk është njohur nga pesë anëtarë të Bashkimit Evropian: Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.