Ndërlidhjet

Trump i kërkon Putinit të mos ndërhyjë në zgjedhje


Deklaratat e Trumpit dhe Putinit në Osaka
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:51 0:00

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin janë pajtuar për të punuar drejt përmirësimit të marrëdhënieve në mes të të dyja shteteve, në takimin e tyre të parë, prej kur është publikuar raporti amerikan që konfirmon se Moska ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane.

Në takimin e 28 qershorit, që është zhvilluar në margjina të Samitit të 20 vendeve më të industrializuara në Osaka të Japonisë, Trump i ka kërkuar Putinit që të mos ndërhyjë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Bazuar në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë pas takimit 80-minutësh, tregohet se janë arritur pritshmëritë, që nuk kanë qenë të mëdha për këtë takim.

“Të dy liderët janë pajtuar se përmirësimi i marrëdhënieve në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë është në interesin e përbashkët të të dyja shteteve dhe gjithë botës”, është thënë në deklaratë.

Të dy liderët është thënë të kenë diskutuar edhe për situatën në Iran, Siri, Venezuelë dhe Ukrainë.

Ky takim po ashtu është i pari pas Samitit të mbajtur në Helsinki në korrik të vitit të kaluar, në të cilin Trump nuk ka lejuar askënd që të jetë pjesë e diskutimeve dhe ka refuzuar që të ndajë përfundimet e negociatave me Kongresin.

Takimi i tyre vjen teksa marrëdhëniet në mes të të dyja kombeve krahasohen me atë të periudhës pas Luftës së Ftohtë.

Trump ka anuluar një takim me Putinin në Samitin G20, që është mbajtur në Argjentinë, në nëntor të vitit të kaluar, pasi Rusia ka kapur dy anije ukrainase dhe ekipet e tyre në Detin Azov. Megjithatë, ata kanë përmendur shumë pak këtë çështje në margjina të atij organizimi.

Në një intervistë për Financial Times, të publikuar më 27 qershor, Putin ka thënë se ai “nuk pret ndonjë pikë kthese” gjatë takimeve të tij në Osaka.

“Ekziston shpresa që gjatë këtyre diskutimeve të përgjithshme dhe takimeve bilaterale, ne do të jemi të gjendje të ulim tensionet dhe të krijojmë një bazë për të ardhme më pozitive”, ka thënë Putin.

Bazuar në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, “presidentët janë pajtuar për të vazhduar diskutimet në modelin e shekullit 21 për kontrollin e armëve, për të cilin presidenti Trump ka vlerësuar se duhet përfshirë edhe Kinën”.

Traktati për Armë Bërthamore me Rreze të Mesme do të skadojë në muajin gusht, pasi SHBA-ja ka akuzuar Rusinë për moszbatim të marrëveshjes, andaj të dyja shtetet kanë hequr dorë nga ajo.

Video nga arkivi: Në garë për armë bërthamore

Në garë për armë bërthamore
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:10:19 0:00

Traktati, Fillimi i Ri, është një tjetër marrëveshje për armët bërthamore, që mund të skadojë më 2021, nëse të dyja shtetet nuk pajtohen për ta vazhduar atë.

Putin ka ripërsëritur për Financial Times se Rusia nuk ka parë interesim nga SHBA-ja për ta vazhduar këtë marrëveshje.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë politika të kundërta edhe kur është fjala për Iranin dhe Venezuelën, ku situata është tensionuar në muajt e fundit.

Si Teherani, ashtu edhe Karakasi janë aleatë të Kremlinit dhe janë tregje kyçe për armë ruse.

Trump synon të largojë nga pushteti presidentin e kontestuar, Nicolas Maduro, meqë situata në këtë shtet, ngadalë mund të dalë nga kontrolli. Ai ka kërkuar nga Rusia që të largojë ekipin e saj të specialistëve nga Venezuela.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG