Qeveria amerikane i hoqi sanksionet ndaj ish-liderit të serbëve të Bonjës, Millorad Dodik, dhe dhjetëra individëve dhe kompanive të lidhura me të, pas një “marrëveshjeje që arriti me Dodikun”, thonë analistët për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
SHBA-ja njoftoi të mërkurën për heqjen e sanksioneve ndaj Dodikut, aleatëve të tij politikë, anëtarëve të familjes dhe kompanive të lidhura me ta.
Sanksionet ndalonin transaksione financiare me Dodikun dhe të gjithë të sanksionuarit e tjerë.
Eric Gordy, profesor i sociologjisë politike në Departamentin për Studime Sllave dhe të Evropës Lindore në Universitetin e Londrës, tha për Radion Evropa e Lirë se “Qeveria amerikane ka arritur marrëveshje me Dodikun dhe e ka bërë këtë jashtë Evropës, dhe do të thosha, edhe jashtë Bosnjës e Hercegovinës, por edhe Serbisë”.
Dodik, presidenti i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur, ishte sanksionuar dy herë për shkak shkeljes së Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe.
Thesari amerikan nuk shpjegoi arsyen pse ata u hoqën nga lista e zezë.
“Përmbajtja e kësaj marrëveshjeje mbetet e paqartë, ne nuk e dimë. Por, ajo që shoh si të qartë është se Kuvendi ka tërhequr vendimet nga viti i kaluar, të cilat ishin shpallur antikushtetuese”, theksoi Gordy, duke shtuar se “nuk është e pamundur që tani të ketë trysni politike mbi gjykatën që ta anulojë vendimin, pasi Dodik ka paraqitur ankesë kundër atij vendimi për ndalimin (të vendimit të gjykatës)”.
Muaj më parë, Dodikut iu hoq mandati si president i entitetit serb të Bosnjës pas dënimit me burgim për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnje, Christian Schmidt. Atij gjithashtu iu ndalua ushtrimi i detyrës për gjashtë vjet.
“Kjo është vërtet e jashtëzakonshme. Nuk mbaj mend një heqje të ngjashme të sanksioneve në Ballkan”, tha Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins.
Serwer i tha gjithashtu REL-it se një shpjegim zyrtar duhet të kërkohet nga zyrtarët amerikanë, por se ai hamendëson se ky është "shpërblim për dorëheqjen e Dodikut nga Presidenca".
Vendimi që e konfirmoi Ana Trishiq-Babiqin si presidente në detyrë të Republika Sërpska më 18 tetor konfirmoi zyrtarisht për herë të parë se Dodiku nuk ishte më president i këtij entiteti.
Po atë ditë, Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska i anuloi ligjet që i kishte miratuar në pranverë për ta parandaluar punën e organeve shtetërore gjyqësore dhe policore në territorin e entitetit si përgjigje ndaj dënimit të Dodikut.
Departamenti Amerikan i Shtetit vlerësoi vendimin e Asamblesë Kombëtare për të emëruar Trishiq-Babiqin si presidente të përkohshme të Republikës Sërpska dhe për t’i tërhequr ligjet separatiste që më parë ishin anuluar nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës.
Në komunikatë thuhej se ky veprim ishte rezultat i përpjekjeve të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të qetësuar krizën politike në Bosnjë.
Dodik ka qenë figurë politike mbizotëruese në Bosnje në 20 vjetët e fundit, dhe nëpërmjet Aleancës së tij të Social Demokratëve të Pavarur (SNSD), ai ka diktuar trendet politike në vend.
Politikat e tij janë etiketuar vazhdimisht si një kërcënim për stabilitetin dhe paqen në Bosnjë, dhe Departamenti amerikan i Thesarit kishte vendosur sanksione ndaj tij, bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, anëtarëve të familjes dhe kompanive që, siç vlerësoi asokohe SHBA-ja, "shërbyen për pasurimin e tij personal".
"Shumë të shqetësuar sugjerojnë se ky është rezultat i lobimit të mbështetur nga kontributet politike", tha Serwer.
Në rebalancimin e buxhetit për Republikën Sërpska në Bosnje për vitin 2025, Ministria për Integrim Evropian dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar e Serbisë ka planifikuar një rritje prej rreth 22 milionë eurosh, të cilat “do të përdoren kryesisht për zyrat përfaqësuese të Republikës Sërpska jashtë vendit dhe për pagesën e shërbimeve profesionale, raportoi REL-i në fillim të korrikut .
Kjo shumë përfaqëson më shumë se 10 për qind të rritjes së planifikuar në buxhetin e Republikës Sërpska.
Gordy thotë gjithashtu se është shumë herët për të thënë nëse ky vendim mund të ndikojë në zgjedhjet e parakohshme presidenciale të planifikuara për 23 nëntor në Republikën Sërpska.
Serwer tha se shpreson që heqja e sanksioneve ndaj Dodikut dhe 48 individëve dhe personave juridikë nuk do të thotë një ndryshim në angazhimin e Amerikës ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjës.
“Ata [administrata e presidentit Trump] duhet t’i kishin kërkuar Dodikut të premtonte se nuk do të vinte në dyshim sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës në të ardhmen”, tha Serwer.
Kur u pyet se si mund të kuptohet ky vendim në një kontekst më të gjerë, duke pasur parasysh se Dodik është një politikan hapur prorus, i cili është takuar me presidentin rus Vladimir Putin 10 herë që nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt 2022, Gordy tha se "ekziston një dimension ideologjik që mund të jetë shumë domethënës në rajon, nëse ky është një shenjë e drejtimit në të cilin do të shkojë politika amerikane".