Tash e 18 vjet, Shaip Ramabaja, nga fshati Hajvali e Komunës së Prishtinës, kërkon një lajm për djalin e tij të zhdukur që nga 22 prilli i vitin 1999.
Për herë të fundit, ai ka dëgjuar për djalin e tij Bashkimin, më 22 prill të vitit 1999.
"Më 18 prill, 1999, është ndërmarrë ofensiva Marec - Mramor, edhe kanë ikur të gjithë. Djali im ka mbetur aty deri më 22 prill. Të tjerët kanë ikur, kanë hy nëpër kolona të njerëzve. Djali im ka mbetur aty, por më vonë ka tentuar të vijë edhe është zënë (kapur) diku në rrugë dhe nga ajo ditë nuk di asgjë për të", thotë Ramabaja.
Ai thotë se nuk kalon ditë e vetme pa e përmendur dhe kujtuar djalin e tij, Bashkimin, i cili në kohën kur është zhdukur ishte 27-vjeçar.
"Ka vuajtur, është ndarë nga familja. Unë kisha dashtë ta gjejë ashtu siç është dhe nuk po them silleni të gjallë. Me e gjetë, bile ta di ku të drejtohem, njëherë të shkojë te varri i tij. Nuk kam hapur dhe nuk mund të hapi të pame [vizita për ngushëllime]. Kështu kemi mbetur të humbur", tha Ramabaja.
Deri vonë ai besonte se i biri i tij është gjallë dhe po mbahej në burgjet serbe, por kjo shpresë tashmë po i shuhet.
Ai thotë se po të kishte një lajm qoftë të mirë apo të hidhur për djalin tij, do ta pranonte pa problem, por jo, siç thotë ai, edhe vuajtjen e përjetshme.
Rreth 1656 persona konsiderohen ende të zhdukur që prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë. Në Ditën Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur në Prishtinë para përmendores që është afër Kuvendit të Kosovës, janë vendosur lule në nder të personave të zhdukur.
Përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe familjarë të personave që mungojnë, kanë bërë një marsh të shkurtër nga përmendorja deri te sheshin “Skënderbeu”.
Bajram Qerkini, kryetar i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të Personave të Pagjetur, njëherësh kryetar i Qendrës Burime për Personat e Zhdukur tha se adresa e fajit për mungesën e këtyre personave është në Beograd dhe kërkoi si nga autoritetet vendore ashtu edhe ato ndërkombëtare, që t’i shtojnë trysnitë mbi Serbinë për të ofruar informata që do të çonin në zbardhjen e fatit të këtyre personave.
"Të gjitha të këqijat e të gjitha të zezat që janë bërë në këto troje, e dimë adresën se kush i ka bërë -Serbia. Nga Presidenti e deri te kryetari i komisionit qeveritar, besoj se duhet ta ndërrojnë strategjinë", tha Qerkini.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj, tha se mungesa e personave të pagjetur që nga përfundimi i luftës ende mbetet një plagë e freskët në Kosovës.
Gjetaj, i cili është edhe anëtar i delegacionit të Kosovës në grupin e përbashkët për të pagjeturit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha se për këtë çështje të gjithë ata që kanë informacione duhet të ndihmojnë.
"Familjet e personave të zhdukur, janë kategoria tash për tash e goditur si pasoj e luftës. Apelojmë që të gjithë ata që disponojnë me ndonjë informatë të ndihmojnë në sjelljen e tyre sepse mungesa e informatave është mungesë për të ditur për më të dashurit tonë", tha Gjetaj.
Në vitin 2011, delegacioni i Kosovës në dialogun teknik në Bruksel, pati iniciuar çështjen e të pagjeturve, si temë në kuadër të dialogut, por e cila nuk ishte vendosur si temë në tavolinën e diskutimeve.
Është paralajmëruar se në fazën e ardhshme të dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ekipi i Kosovës do të kërkojë që çështja e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, të zhdukur gjatë luftës, të jetë një nga temat e diskutimit.
Nga varrezat e ndryshme në Kosovës e Serbi janë identifikuar rreth 2500 persona, kurse të pa identifikuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë ndodhen edhe 400 pjesë nga mbetjet mortore.