Ndërlidhjet

Dita e katërt e luftës në Ukrainë


Kiev, 27 shkurt 2022.
Kiev, 27 shkurt 2022.

Forcat ruse kanë hyrë në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, derisa banorët e kryeqytetit të këtij shteti, Kiev, kanë raportuar për shpërthime masive në orët e para të 27 shkurtit.

Lufta ruse në Ukrainë ka hyrë në ditën e katërt.

Ndërkohë, fuqitë e Perëndimit kanë bërë të ditur hapa dramatikë në përpjekje për të ndëshkuar Moskën me sanksione për agresionin e saj.

Udhëheqësi i Harkivit, Oleg Sinegubov, ka thënë se forcat ukrainase janë duke luftuar me trupat ruse në qytet, dhe u ka bërë thirrje civilëve të mos largohen nga shtëpitë e tyre.

Në disa pamje të publikuara nga zyrtarët ukrainas, makinat ruse janë parë nëpër Harkiv.

Në orët e para të së dielës është raportuar edhe për një shpërthim në juglindje të Kievit.

Sipas mediave, shpërthimi ka ndodhur në një depo të naftës.

  • Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

Deri më tani nuk ka raportuar për dëme dhe plagosje në atë që mund të jetë si fillimi i betejës për të marrë kontrollin e Kievit.

Më vonë ka pasur raportime edhe për shpërthime në perëndim të Kievit.

Në kohën e raportimeve për përleshje në Harkiv, zyra e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka thënë se forcat ruse kanë sulmuar një gazsjellës në qytet, duke nxitur Qeverinë t’i paralajmërojë njerëzit për ta mbrojtur veten nga tymi dhe që t’i mbulojnë dritaret me lecka apo garza.

Tym dhe zjarr në një depo të naftës afër Kievit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:21 0:00

Zyra e Zelenskyit ka raportuar edhe për një shpërthim në aeroportin civil, Zhuliany.

Ushtria ukrainase ka treguar gatishmëri kundër sulmit në kryeqytetit dhe ka thënë se po lufton “grupet sabotuese” ruse, që kanë hyrë në qytetin ku banorët janë mbyllur nëpër garazhe dhe stacione të metrove për t’i ikur sulmit.

“Ne do të luftojmë derisa ta çlirojmë shtetin”, ka thënë Zelenskyi në një video-mesazh.

Ndërkohë, liderët e Bashkimit Evropian, Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë, Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara, janë pajtuar për të bllokuar disa banka ruse në sistemin bankar, SWIFT, si dhe që të vendosin “masa kufizuese” kundër Bankës Qendrore të Rusisë për sulmin në Ukrainë.

Në një deklaratë të përbashkët më 26 shkurt, liderët kanë thënë se masat – të cilat do të kufizojnë rezervat ndërkombëtare të Bankës Qendrore ruse dhe do ta pengojnë atë në mbështetjen e rublës – do të zbatohen në ditët në vijim.

Ekspertët kanë thënë se bllokimi i qasjes në sistemin SWIFT, do të rrisë intensitetin e sanksioneve të Perëndimit kundër Moskës.

Vendimet e fundit kanë ardhur teksa ekspertë të Perëndimit kanë thënë se forcat ukrainase kanë treguar rezistencë më të madhe sesa është pritur në tri ditët e para të sulmit.

Në një postim në Facebook, ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Resnikov, ka inkurajuar ushtarët e tij pas atyre që i ka quajtur “tri ditë që kanë ndryshuar shtetin tonë dhe botën përgjithmonë”.

Ai ka thënë se Rusia nuk ka arritur të marrë Kievin siç ka planifikuar dhe ka shtuar se Ukraina pret më shumë ndihmë nga shtete tjera.

Ministri ukrainas ka thënë se Evropa ka nevojë që Ukraina të luftojë.

Ministri ukrainas i Shëndetësisë, Viktor Lyashko, ka thënë më 26 shkurt se 198 persona janë vrarë dhe më shumë se 1,000 janë plagosur si pasojë e sulmit rus.

Rusia ende nuk ka bërë të ditura të dhënat për viktima.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë ka thënë më 26 shkurt që më shumë se 120,000 refugjatë ukrainas janë larguar nga shteti prej nisjes së luftës.

Shumica prej tyre janë nisur drejt Polonisë, Rumanisë, Moldavisë dhe Hungarisë.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG