Ndërlidhjet

S’ka marrëveshje ndërmjet partive në pushtet dhe opozitës


Pamje nga seanca e 4 shtatorit.
Pamje nga seanca e 4 shtatorit.

Ka përfunduar pa asnjë marrëveshje takimi i thirrur nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, me Kryesinë e Kuvendit dhe shefat e grupeve parlamentare.

Partitë në pushtet dhe ato në opozitë nuk kanë lëvizur nga pozicionet fillestare.

Përderisa partitë në pushtet kërkojnë që Kuvendi të emërojë ekipin negociator për dialogun me Serbinë të propozuar nga Qeveria, opozita në anën tjetër kërkon miratimin e një rezolute lidhur me angazhimet e presidentit Hashim Thaçi për përfshirjen e "shkëmbimit të territoreve" apo "korrigjim të kufijve" në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pas mbledhjes së Kryesisë, tha se nuk do të mungojë uniteti i palës kosovare në bisedimet me Serbinë,përkundër ndasive që ekzistojnë aktualisht, e që, sipas tij, po përdoren nga partitë opozitare për çështje elektorale.

"Deri në momentin kur qetësohen gjakrat dhe ulen tensionet, atëherë do ta kemi një rezolutë. Më 13 shtator në seancën e parë të sesionit vjeshtor të Kuvendit, në pikën e gjashtë të rendit të ditës, është një rezolutë për dialogun me Serbinë e propozuar nga PSD-ja dhe kjo është një mundësi për të adresuar shqetësimin real të opozitës", deklaroi Veseli.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se kushti që e ka paraqitur kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dëshmon se ky koalicion qeverisës i ka zaptuar institucionet e Kosovës.

"Kushti i kryetarit të Kuvendit është të sigurohen 61 vota në sallë dhe ky propozim është metodë për bllokim të Kuvendit", deklaroi Hoti.

Sipas tij, opozita nuk po arrin ta ketë shumicën në Kuvend, prandaj e ka të pamundur ta zhvillojë seancën ku do të votohej rezoluta për bisedimet me Serbinë.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, fajësoi opozitën për mosgjetjen e një rrugëdaljeje nga situata e krijuar.

"Të gjitha propozimet tona u hodhën poshtë nga ana e opozitës. Ne iu ofruam që të thirret një seancë ku do të diskutonim dhe votonim dy rezoluta, njërën për ekipin negociator të emëruar nga Qeveria dhe tjetrën, për propozimet e opozitës, mirëpo kjo nuk u pranua nga partitë opozitare", tha Krasniqi.

Seanca për ekipin negociator kishte dështuar për shkak të mungesës së kuorumit, sikurse edhe ajo e opozitës në lidhje me rezolutën për dialogun.

Fillimisht, seanca u bojkotua nga partitë në pushtet, andaj edhe nuk arriti të fillonte fare.

Mbledhja e Kryesisë dhe shefave të grupeve parlamentare ishte bërë me ftesë të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për të diskutuar ecurinë e punës dhe seancave të Kuvendit.

"Krijoni mundësi që të flitet në debat për mbrojtjen e Kosovës, pse lodheni ta mbrojni veç ju vet, ta mbrojmë bashkë edhe të dalim në ballafaqim të përbashkët. Të nxjerrim rezolutë, e krijojmë platformën po nga ky Kuvend dhe obligojmë institucionet që të ketë përfaqësim të duhur", tha Veseli.

Një ditë më herët, edhe seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga Qeveria për emërimin e ekipit negociator kishte dështuar për shkak të mungesës së kuorumit, ngase në atë seancë nuk kishte marrë pjesë opozita.

Pas ndërprerjes së seancës, deputetët e opozitës kanë akuzuar partitë në pushtet që qëllimisht janë duke e pamundësuar e punës së Kuvendit.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se është e pakuptueshme se si kryeministri, Qeveria dhe deputetët e partive në pushtet nuk janë prezent në sallën e Kuvendit.

"Nuk ka askund në botë ku Qeveria e bojkoton Kuvendit, kjo Qeveri, e ky pushtet duhet të japin dorëheqje dhe vendi të shkojë në zgjedhje. Në momentin kur mazhoranca nuk guxon të vijë me opozitën t'i përballë numrat në Kuvend, kjo do të thotë që pushteti nuk ndihet i sigurt në numrat e vet. Pse nuk vije mazhoranca për shembull sot, sepse mendon që kur opozita t’i formulojë ato pikat e veta që janë mbrojta e kufijve të Kosovës edhe moscenimi i territorit të Kosovës, mendon se ndodhej në një situatë të keqe dhe ndoshta edhe ndonjë deputet i saj do t'ia jepte votën kësaj rezolute. Për ta pamundësuar këtë, ata e aplikojnë bojkotin total", tha Konjufca.

Pamje nga seanca e thirrur nga opozita, e cila është bojkotuar nga partitë në pushtet.
Pamje nga seanca e thirrur nga opozita, e cila është bojkotuar nga partitë në pushtet.

Kurse, Kujtim Shala deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se partitë e shumicës nëse kanë vullnet për të mbrojtur sovranitetin, do të duhej të ishin në seancë. Ai ka kritikuar edhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, për siç tha ai, bllokimin e qëllimshëm të Kuvendit.

"Nuk mund të negociojmë ne çështjet e vendit tonë pa qëndrim të prerë këtu. Institucionet e Kosovës në asnjë rast nuk guxojnë të shkojnë dhe të bisedojnë për çështje të rëndësishme pa bashkëpunim dhe pa një marrëveshje të gjerë dhe pa pasur qartësi", tha Shala.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se qasja refuzuese dhe e bojkotit, siç u shpreh ai, e instaluar nga opozita, nuk sjellë asgjë pozitive.

Sipas tij, dështimi i dy seancave të jashtëzakonshme, nuk i bën mirë Kosovës.

“Unë po shpresoj që sot opozita e ka kuptuar që qasja e njëanshme, qasja refuzuese dhe qasja e bojkotit të cilën e kanë instaluar këto javët e fundit, nuk sjell asgjë pozitive. Ju po e shihni se ka një jofunksionalitet të Kuvendit në këto dy ditë. Është për keqardhje, por e vërteta është që bojkoti rëndom sjell bojkot dhe kjo nuk i bën mirë as institucioneve të vendit, as Kuvendit, por para së gjithash nuk i bën mirë Kosovës dhe qytetarëve të saj”, tha Krasiniqi.

Bilall Sherifi, shef i Grupit Parlamentar të partisë Nisma Socialdemokrate, parti kjo në pushtet, tha se këto ditë është shpërfaqur realitet se për çështje nacionale, as mazhoranca dhe as opozita nuk mund ta bartin procese të rëndësishme vet. Ai tha se për çështjen e dialogut, të gjithë duhet të bëhen bashkë.

"Gjashtë liderë të partive politike të mazhorancës dhe opozitës duhet të bëhen bashkë, duhet të ulën dhe t’i japin një përgjigje kësaj çështje dhe të mos ta hedhin topin te deputetët. Deputetët janë të detyruar të ndjekin udhëzimet e vendimet e partive politike", tha Sherifi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të enjten se mundësitë për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë shumë të vogla, porse do të bëhen përpjekje maksimale që kjo marrëveshje të arrihet.

Këtë deklaratë, Thaçi e bëri në Konferencën e pestë të ambasadorëve të Republikës së Kosovës, që po mbahet në Prishtinë.

Ai tha se një marrëveshje e paqes me Serbinë do të ketë kuptim vetëm nëse ndodh njohja reciproke.

“Njohja reciproke duhet të pasohet me heqjen e të gjitha pengesave për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në të gjitha organizatat tjera ndërkombëtare, si dhe të bëhet demarkacioni i plotë i kufirit, përfshirë edhe Luginën e Preshevës, Medvegjën dhe Bujanocin”, tha Thaçi.

Ai shtoi se Kosova nuk do të ketë kuptim pa Mitrovicën e Ujmanin dhe se “nuk do të ketë ndarje ose shkëmbim territoresh, si dhe nuk do të ketë Republikë Serbe në Kosovë”.

Përpjekjet e Qeverisë për emërimin e ekipit negociator dhe ato të opozitës për t’i kërkuar me rezolutë presidentit Thaçi të mos e diskutojë çështjen e kufirit në dialog me Serbinë, po zhvillohen në prag të takimit të 7 shtatorit në Bruksel, ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG