Shumica parlamentare në Maqedoni ka shtyrë debatin për propozim-ligjin për përdorimin e gjuhëve, për t’i dhënë përparësi miratimit të disa ligjeve tjera që vlerësohen si me më prioritet, si ai për dëshmitarët e mbrojtur apo edhe ligjin për mediat.
Në fakt, siç e ditur një vendim i tillë ka ardhur pas rekomandimeve të Brukselit për nevojën e rrumbullakimit të reformave në sfera tjera, përfshirë edhe këto fusha, pa përjashtuar edhe gjyqësorin, që vlerësohet me prioritet më të artë.
Edhe komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn gjatë vizitës të hënën në Shkup kishte theksuar se Brukseli pret nga Maqedonia rezultate konkrete në reforma dhe jo vetëm se paralajmërime për realizimin e tyre. Hahn gjithashtu kishte deklaruar se Ligjin për gjuhët nuk është pjesë e pakos së reformave të grupit të ekspertëve të BE-së, por as pjesë e Marrëveshjes së Përzhinës për zgjidhjen e krizës politike.
Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Artan Grubi thotë se debati është shtyrë për t’i dhënë përparësi reformave tjera, por ai thotë se ligji do të miratohet dhe se gjuha shqipe do të jetë zyrtare në të gjitha organet shtetërore.
“Me këtë ligj, gjuha shqipe barazohet në të gjitha organet e pushtetit qendror, pra në të gjithë këto organe përdorimi i saj do të jetë zyrtar”, tha Grubi.
Nga ana tjetër nga LSDM-ja, me të cilën BDI-ja është në koalicion, thonë se i tërë ligji, e jo vetëm pjesë të tij, do të dërgohen për vlerësim në Komisionin e Venedikut, për të parë nëse pjesët e tij janë apo jo në përputhje me Kushtetutën. Nga LSDM-ja thonë se nevoja për miratimin e një ligji të tillë ekziston.
“I gjithë ligji do të dërgohet për vlerësim në Komisionin e Venedikut, dhe ne gjatë negociatave me Bashkimin Evropian gjatë verës kemi marr obligime që këtë ligj do ta dërgojmë atje, si një institucion ekspertësh që do të dalë me vlerësimin nëse ka ose jo pjesë të ligjit që janë në përputhje me Kushtetutën. Ne për këtë kemi biseduar edhe me partnerët e koalicionit dhe mbetemi në qëndrimin se ka nevojën për miratimin e një ligj të tillë, me çka do të përmbyllim edhe pjesën e fundit të Marrëveshjes së Ohrit”, ka deklaruar deputeti i LSDM-së, Petar Atanasov.
Ndërprerja e përkohshme e debatit sipas VMRO-DPMNE-së opozitare dëshmon se Ligji për gjuhët nuk është prioritet apo se pjesë e rekomandimeve të BE-së, siç deklaronte shumica. Nga VMRO-ja kërkojnë kthimin e ligjit në procedurë të rregullt, ndërsa mbeten në qëndrimin se ai është në kundërshtim me Kushtetutën.
“Ky ligj është jashtë kornizave të Kushtetutës së Maqedonisë, ky ligj është një shembull eklatant se i në Maqedonia koalicioni aktual i udhëhequr nga LSDM-ja politikën e vendos mbi sundimit e të drejtës, në vend se të jetë e kundërta. Ne nuk jemi kundër asaj që të rregullohet çështja e përdorimit të gjuhës së bashkësive etnike, e aq më pak kundër gjuhës shqipe, por kjo duhet të bazohet në rregulltivës ligjore që është në fuqi, duhet të jetë në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe në kuadër të një procedure të rregullt parlamentare".
"Shumica parlamentare gënjeu edhe kur këtë ligj e propozoi me yll evropian, gjë që u kundërshtuar edhe nga komisioneri, Johannes Hahn kur tha se ky ligj nuk është në agjendën Brukselit apo me marrëveshjet tjera”, ka deklaruar Den Danev nga VMRO DPMNE-ja.
Ndërkohë, kundër Ligjit për gjuhët e bashkësive etnike ka pasur mbrëmë vonë edhe protesta nga disa shoqata maqedonase, të cilat kërkojnë nga LSDM dhe VMRO të mos lejojnë kalimin e këtij ligji, që për ta është antikombëtar.
“Përdorimi i gjuhës shqipe, ashtu siç parashihet, nuk mund të quhet pasurim, por rrezik për ne maqedonasit, për karakterin unitar të shtetit. Për këtë faji do të bie mbi dy partitë maqedonase LSDM dhe VMRO të cilat lejojnë të ndodhë diçka e tillë. Ata do të jenë përgjegjëse për gjithçka që do t’i ndodhë shtetit tonë”, ka deklaruar Goran Nedellkovski, një nga organizatorët e protestës.