Ndërlidhjet

Daçiq akuzon autoritetet e Kosovës se po krijojnë krizë të re


Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha të dielën, më 2 prill, se përmes arrestimit të serbëve në Kosovë, Qeveria e Kosovës dëshiron ta destabilizojë gjendjen dhe t’i shmangë detyrimet që ka ndërmarrë përmes marrëveshjes së Ohrit.

“Është shumë e qartë se një situatë e vjetër është në horizont, dhe një krizë e re e prodhuar nga Prishtina”, tha Daçiq.

Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të “reagojë urgjentisht” dhe të bëjë presion mbi autoritetet në Prishtinë për ta parandaluar përshkallëzimin e situatës.

Daçiqi e dha këtë deklaratë pas takimit të Byrosë për Koordinim të Shërbimeve të Sigurisë të Serbisë, një ditë pasi policia e Kosovës arrestoi një pjesëtar të komunitetit serb në Mitrovicën e Veriut në kuadër të një aksioni për luftimin e krimit të organizuar dhe parandalimin e kryerjes së veprave kriminale.

Ndërkohë, Policia e Kosovës bëri të ditur të dielën se gjatë natës së 2 prillit, disa zyrtarë policor janë sulmuar në Mitrovicë të Veriut me mjet shpërthyes.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ranë dakord në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars se do të vazhdojnë me zbatimin e propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Zyrtarët evropianë kanë thënë se marrëveshja e Ohrit, edhe pse e panënshkruar, është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha të dielën se më 2 prill se Kurti “dëshiron kriza dhe nëpërkëmbje të marrëveshjeve”, sepse nuk dëshiron ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Është e qartë se me këtë lloj sjelljeje provokative dhe veprime të dhunshëm të Policisë së Kosovës, si Prishtina ashtu edhe Albin Kurti duan të kërcënojnë paqen dhe të shkelin dialogun”, tha Petkoviq në një konferencë të përbashkët për media në Beograd me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq.

Petkoviq, i cili është kryenegociator i Serbisë, do të takohet më 4 prill në Bruksel me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimin, për të "diskutuar për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë", kanë thënë zyrtarët evropianë.

Ndërsa Rakiq tha se “lëvizjet e fundit të Prishtinës kanë sjellë indinjatë, revoltë dhe pakënaqësi të madhe të popullit serb”.

Ai tha se nëse “vazhdon represioni i pushtetit në Prishtinë” dhe të arrestuarit nuk lirohen, “do ta thërras popullin në kryengritje të përgjithshme”.

Personi me nacionalitet serb i arrestuar të shtunën dyshohet për disa vepra penale, përfshirë këtu pjesëmarrje në një sulm ndaj një njësie të Policisë së Kosovës, “pjesëmarrje apo organizim të grupit të organizuar kriminal”, “vrasje në tentativë”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “sulm ndaj zyrtarit gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

I njëjti person dyshohet se i ka vënë flakën veturave me targa RKS (Republika e Kosovës) në Zubin Potok, komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Gjatë tri ditëve të fundit në veri të Kosovës janë shënuar djegie të veturave me targa të Kosovës, të cilat janë ri-regjistruar nga targat KM (Kosovska Mitrovica – Mitrovicë e Kosovës), të lëshuara nga autoritetet e Serbisë. Targat KM janë të ilegale në Kosovë.

Djegia e veturave kishte filluar vitin e kaluar, kur nisi procesi i ri-regjistrimit të veturave me targa KM në targa RKS. Targat KM lëshohen nga autoritetet e Serbisë dhe Kosova i konsideron ilegale.

Ky proces shkaktoi tensione në terren. Fillimisht, më 31 korrik u ngritën barrikada për këtë çështje, e më pas në nëntor serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri shkaku i suspendimit të drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrim në targa RKS.

Ndërkohë, Kosova dhe Serbia, me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, në fund të nëntorit të vitit të kaluar arritën një marrëveshje për targat, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Kosova pranoi të pezullojë procesin e ri-regjistrimit ndërsa Serbia u pajtua të mos lëshojë targa të reja për makinat që qarkullojnë në Kosovë.

Vlerësohet se në veri të Kosovës janë rreth 10.000 vetura të regjistruara me targa KM.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG