Ndërlidhjet

COVID-19 dhe rritja e autoritarizmit


Ushtarët dhe oficerët e Gardës Kombëtare të Rusisë (Rosgvardiya) duke patrulluar në qendër të Moskës.
Ushtarët dhe oficerët e Gardës Kombëtare të Rusisë (Rosgvardiya) duke patrulluar në qendër të Moskës.

Miratimi i vaksinave kundër sëmundjes COVID-19 ka rritur shpresat se “normalja e re” e një bote post-pandemike do të fillojë të shfaqet në vitin 2021.

Por, grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut thonë se shoqëria civile duhet të kthehet në rolin e saj “normal” të para-pandemisë, për të parandaluar zgjerimin e përhershëm të pushteteve mbizotëruese.

Transparency International, prej kohësh, ka paralajmëruar për rritje të autoritarizmit dhe dobësim të sundimit të ligjit në disa vende.

“Korrupsioni lulëzon kur institucionet demokratike, si shtypi i lirë dhe gjyqësori i pavarur, minohen; kur e drejta e qytetarëve për të protestuar, për t'u bashkuar me shoqata ose për t'u përfshirë në iniciativa, kufizohet”, ka thënë grupi global anti-korrupsion.

Shadi Hamid, ekspert i politikës së jashtme të Lindjes së Mesme në Institutin Brookings në Uashington, thotë se autoritarizmi në teori dhe regjimet autoritare në praktikë kanë qenë duke fituar terren edhe përpara pandemisë.

Hamid thotë se disa aspekte të epokës post-pandemike - të tilla si skemat e gjurmimit të COVID-it dhe mbikëqyrja e shtuar - mund të krijojnë “joshje autoritare” tek ata që janë në krye të qeverive.

“Gjatë dhe pas pandemisë, qeveritë ka të ngjarë t’i përdorin krizat e zgjatura për të minuar opozitën e brendshme dhe për të kufizuar liritë civile”, shkruan Hamid në një raport të Institutit Brookings, të quajtur Rihapja e Botës.

Por, përkundër këtyre rreziqeve, Hamid ka optimizëm të matur se liritë politike do të rimëkëmben në botën post-pandemike.

Ai thotë se heqja e kufizimeve të emergjencës do t’i ndihmojë “partitë politike, protestuesit dhe lëvizjet, që t’i komunikojnë platformat dhe ankesat e tyre para audiencave më të mëdha”.

“Qeveritë demokratike mund të bëjnë përpjekje të shtypin informacionin dhe t’i rrotullojnë ose minimizojnë krizat gjithashtu - siç ka bërë administrata [e presidentit amerikan, Donald] Trump - por ato rrallë ia mbathin me të”, thotë Hamid.

Në vendet nga Rusia deri te Turkmenistani, tendencat autoritare nën maskën e kontrollit pandemik kanë përfshirë përdorimin e masave emergjente për të goditur figurat politike të opozitës dhe për të kufizuar lirinë e shtypit.

Ato gjithashtu kanë përfshirë përpjekjet e autoriteteve për të kufizuar aftësinë e organizatave civile, për të kontrolluar dhe kufizuar zgjerimin e pushtetit ekzekutiv.

Shtypja në Baku

Veprimet e ndërmarra nga Qeveria e presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, janë një rast i tillë.

Në mars, Bakuja ka vendosur dënime të ashpra për ata që gjenden fajtorë për “shkelje të rregullave anti-epidemike, sanitare-higjienike ose të atyre të izolimit”.

Ligji parasheh gjobë prej rreth 3,000 dollarësh deri në tre vjet burgim, për shkelje të tilla si mosmbajtja e maskës në publik.

Ata që dënohen për përhapjen e virusit, përballen me pesë vjet burgim.

Organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch ka thënë se ndëshkimet e Bakusë për përhapjen e COVID-it nuk janë “përgjigje legjitime ose proporcionale ndaj kërcënimit që paraqet virusi”.

Një oficer policie inspekton dokumentet e një gruaje në Baku, më 3 korrik, 2020.
Një oficer policie inspekton dokumentet e një gruaje në Baku, më 3 korrik, 2020.

Grupi me bazë në SHBA ka thënë se është shumë lehtë që ligjet e tilla të keqpërdoren “për të shënjestruar popullata të margjinalizuara, pakica ose disidentë”.

Gjatë verës, Aliyev gjithashtu është përballur me pakënaqësinë e publikut ndaj korrupsionit të shfrenuar, keqmenaxhimit ekonomik dhe trajtimit të pandemisë.

Aliyev ka nisur një represion të gjerë në korrik, i cili gjerësisht është parë si përpjekje për të eliminuar rivalët e tij politikë dhe aktivistët e demokracisë.

Më shumë se 120 figura dhe mbështetës të opozitës janë arrestuar në korrik nga forcat e sigurisë.

Në mesin e të arrestuarve, dy figura të opozitës, Mehdi Ibrahimov dhe Mahammad Imanli, janë akuzuar për shkelje të masave emergjente shëndetësore në Azerbajxhan.

Kufijtë bjellorusë

Kritikët e akuzojnë sundimtarin autoritar të Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, për përdorimin e kufizimeve pandemike, për shtypjen e demonstratave masive kundër regjimit të tij.

Përdorimi i këtyre masave shihet vetëm si një mjet në strategjinë e gjerë të Minskut kundër protestuesve.

Në muajin dhjetor, grupi i të drejtave Vyasna ka thënë se mbi 900 raste penale, të motivuara politikisht, janë hapur në vitin 2020, kundër kandidatëve të opozitës bjelloruse dhe ekipeve të tyre.

Demonstratat e vazhdueshme përbëjnë kërcënimin më të madh për sundimin 26-vjeçar të Lukashenkës. Demonstratat kanë nisur qysh pas zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit, pas të cilave Lukashenka është shpallur fitues. Sipas opozitës, zgjedhjet janë manipuluar.

Minsku, me muaj të tërë, e ka minimizuar kërcënimin që paraqet COVID-19, ndërsa Lukashenka e ka kritikuar vazhdimisht opozitën dhe mbështetësit, duke i cilësuar si ”kukulla” që mbështeten nga të huajt.

Më 1 nëntor, kur sulmet brutale të policisë kanë dështuar t’i ndalin protestat, Bjellorusia i ka mbyllur kufijtë për të huajt.

Komiteti Shtetëror i Kufijve ka thënë se kufizimet janë të nevojshme “për të parandaluar përhapjen e infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”.

Nga dhjetori, autoritetet i kanë ndaluar bjellorusët dhe banorët e përhershëm të largohen nga vendi - gjoja për shkak të pandemisë.

Sjellja e Lukashenkës ndaj COVID-it i ka shtuar dyshimet se mbyllja e kufijve është një përpjekje, e motivuar politikisht, për të frenuar opozitën e brendshme.

Lukashenka gjatë vizitës në një spital (Foto e shërbimit bjellorus të Radios Evropa e Lirë)
Lukashenka gjatë vizitës në një spital (Foto e shërbimit bjellorus të Radios Evropa e Lirë)

Në fund të nëntorit, Lukashenka i ka shpërfillur plotësisht protokollet e sigurisë gjatë një vizite në një spital. Ai nuk ka pasur të veshur as maskë, as doreza kur i ka shtrënguar duart me një mjek.

Udhëheqësja e opozitës, Svyatlana Tsikhanouskaya, e cila është larguar nga Bjellorusia për shkak të, siç është thënë, presionit dhe kërcënimeve, ka thënë se kufizimet kufitare tregojnë se Lukashenka është “në panik”.

Shteti mbikëqyrës i Rusisë

Në Moskë, ekspertët thonë se pandemia ka testuar kufizimet e shtetit rus të mbikëqyrjes.

Duma ruse, në fund të marsit, ka miratuar legjislacionin që i lejon kryeministrit Mikhail Mishustin të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin dhe të vendosë rregulla të detyrueshme për shëndetin publik.

Duma ka miratuar edhe dënimin deri në pesë vjet burgim për ata që “me vetëdije” përhapin informacione të rreme gjatë “emergjencave natyrore dhe të shkaktuara nga njeriu”.

Për ata që i thyejnë masat kundër COVID-it, legjislacioni parasheh burgim deri në shtatë vjet.

Në muajin prill, presidenti Vladimir Putin ka ngarkuar qeveritë lokale me përgjegjësitë e miratimit të kufizimeve të COVID-it.

Ekspertët thonë se kjo i ka kthyer disa rajone ruse në terrene testuese, për të parë se sa mund t’i mbikëqyrin dhe kontrollojnë rusët.

Moska, ndërkohë, ka marrë hapa për të kontrolluar edhe rrjedhën e lirë të informacionit për reagimin e Rusisë ndaj pandemisë.

Anastasia Vasilyeva, mjeke ruse që kryeson një sindikatë të punonjësve mjekësorë, është arrestuar në muajin prill, pasi ka ekspozuar të metat në përgatitjet e sistemit shëndetësor për të luftuar COVID-in.

Anastasia Vasilyeva, mjeke ruse
Anastasia Vasilyeva, mjeke ruse

“Është tronditëse që autoritetet ruse duket se kanë frikë nga kritikat, më shumë se nga pandemia vdekjeprurëse COVID-19”, ka thënë drejtoresha e organizatës Amnesty International në Rusi, Natalia Zviagina.

“Ata justifikojnë arrestimin dhe ndalimin e Anastasia Vasilyevas me pretekstin se ajo dhe kolegët e saj mjekë kanë shkelur kufizimet e udhëtimit. Në fakt, ata po përpiqeshin të siguronin pajisje jetësore mbrojtëse për mjekët në një spital lokal”, ka thënë tha Zviagina.

Sipas saj, me burgosjen e Vasilyevas, autoritetet ruse kanë zbuluar “motivin e tyre të vërtetë”.

“Ata janë të gatshëm t’i ndëshkojnë profesionistët shëndetësorë që guxojnë të kundërshtojnë rrëfimin zyrtar rus dhe të zbulojnë të metat në sistemin e shëndetit publik”, ka thënë Zviagina.

Duma gjithashtu ka rishikuar raportimin e organizatave të huaja mediatike - përfshirë Radion Evropa e Lirë - në lidhje me mënyrën se si Rusia e ka trajtuar COVID-in.

Në korrik, policia në Moskë ka arrestuar dhjetëra gazetarë në një protestë kundër kufizimeve në rritje të mediave dhe lirisë së shprehjes në Rusi.

Hulumtuesja e organizatës Human Rights Watch në Rusi, Damelya Aitkozhina, ka thënë se autoritetet në Moskë “kanë arrestuar protestues paqësorë nën maskën e mbrojtjes së shëndetit publik, ndërsa i kanë ekspozuar ata ndaj rrezikut të infektimit në paraburgim”.

Aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se autoritetet lokale në disa rajone ruse i kanë përdorur masat e COVID-it si justifikim për të shtypur protestat.

Në fund të prillit, autoritetet në Osetinë e Veriut kanë arrestuar dhjetëra demonstrues nga një turmë prej rreth 2,000 njerëzish, që ishin mbledhur në Vlladikavkaz për të kërkuar dorëheqjen e udhëheqësit rajonal, Vyacheslav Bitarov.

Trembëdhjetë prej tyre janë akuzuar për shkelje të masave kundër COVID-it dhe përhapje të “informacioneve të rreme” në lidhje me pandeminë.

Në Khabarovsk të Lindjes së Largët të Rusisë, autoritetet i kanë përdorur masat e COVID-it në përpjekje për të dekurajuar protestat masive kundër arrestimit të një guvernatori rajonal, nën akuzat për bashkëpunim në vrasje.

Kufizimet në Kazakistan

Presidenti i Kazakistanit, Qasym-Zhomart Toqaev, ka nënshkruar një ligj në fund të majit, me të cilin ka forcuar kontrollin e qeverisë mbi të drejtën e qytetarëve për t'u mbledhur në protesta.

Ligji përcakton se sa njerëz mund të marrin pjesë në një demonstratë dhe ku mund të zhvillohen protesta.

Presidenti i Kazakistanit, Qasym-Zhomart Toqaev.
Presidenti i Kazakistanit, Qasym-Zhomart Toqaev.

Kritikët thonë se kufizimet e reja dhe pengesat burokratike përfshijnë nevojën për "leje" nga autoritetet, përpara se të mbahen protesta.

Radio Evropa e Lirë gjithashtu ka raportuar se si autoritetet në Kazakistan kanë përdorur koronavirusin si justifikim për t’i shtypur aktivistët e të drejtave civile, të cilët kanë kritikuar ligjin e ri të protestës publike.

Aktivistët kazakë dhe ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut thonë se legjislacioni bie në kundërshtim me standardet ndërkombëtare.

Kontrolli i informacionit në Uzbekistan

Presidenti uzbek, Shavkat Mirziyoev, është vlerësuar nga grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut - prejse ka marrë pushtetin në fund të vitit 2016 - për lehtësimin e kufizimeve autoritare të vendosura nga paraardhësi i tij, i ndjeri Islam Karimov.

Por, kriza me COVID ka krijuar një betejë midis mediave të pavarura dhe organit shtetëror që mbikëqyr shtypin në Uzbekistan - Agjencisë për Informacion dhe Komunikime Masive (AIMC).

Zyrtarët në Tashkent fillimisht kanë pretenduar se Uzbekistani është duke ia dalë mirë në luftimin e COVID-it.

Por, në verë, disa media kanë vënë në dyshim rrëfimet zyrtare.

Ato kanë filluar të thellohen në detaje rreth përhapjes së pandemisë dhe kostos së saj njerëzore.

Kontrollet e policisë në Uzbekistan
Kontrollet e policisë në Uzbekistan

Në fund të nëntorit, drejtori i AIMC-së, Asadjon Khodjaev, ka paralajmëruar “pasoja të rënda ligjore” për raportimet e tilla - duke ngritur shqetësime se COVID mund ta shtyjë Uzbekistanin përsëri drejt kontrolleve autoritare të shtypit, sikurse në kohën e Karimovit.

Përmbysja në Kirgizi

Para pandemisë, Kirgizia është konsideruar nga organizata e Reporterëve pa Kufij si vendi më i hapur për media në Azinë Qendrore.

Por, hapja relative e Kirgizisë është prishur nga bllokimet dhe ndalimet e brendshme, të vendosura prejse është shpallur gjendja e jashtëzakonshme më 22 mars.

Shumica e mediave të pavarura kanë pasur vështirësi në marrjen e akreditimit ose lejeve, që lejojnë gazetarët të lëvizin lirshëm në Bishkek ose në zona të tjera të kufizuara nën urgjencën e shëndetit publik.

Protesta të dhunshme politike kanë shpërthyer pas zgjedhjeve të diskutueshme parlamentare më 4 tetor, të cilat janë mbajtur pavarësisht ndërlikimeve të paraqitura nga masat e kontrollit të sëmundjes COVID-19.

Tensionet politike kanë çuar në rrëzimin e Qeverisë së presidentit Sooronbai Jeenbekov, plane për të mbajtur zgjedhje të reja dhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Bishkek, e cila përfshin edhe ndalimin e demonstratave publike.

Turkmenistani tallet

Turkmenistani, një nga shtetet më të kontrolluara autoritare në botë, nuk ka pasur kurrë një rekord të mirë për lirinë e shtypit ose transparencën.

Prandaj, nuk është për t'u habitur se pretendimi i presidentit Gurbanguly Berdymukhammedov, se nuk ka asnjë rast me koronavirus në vendin e tij, është bërë cak i talljeve globale dhe jo i admirimit.

Këmbëngulja e vazhdueshme e Ashgabatit se koronavirusi nuk ekziston në Turkmenistan shihet si shenjë e dominimit autoritar të Berdymukhammedovit dhe jo si politikë e besueshme e shëndetit publik.

Dy gra me maska në Ashgabat të Turkmenistanit
Dy gra me maska në Ashgabat të Turkmenistanit

Në fillim të gushtit, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se Berdymukhammedov ka rënë dakord për t’iu dhënë qasje ekspertëve të OBSH-së, për të verifikuar pretendimet e tij.

Por, pas më shumë se katër muaj, Berdymukhammedov nuk e ka realizuar ende premtimin.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG