Ndërlidhjet

Çfarë rrezikon Kosova në mungesë të institucioneve të reja?


Pjesëtarë të shoqërisë civile i kanë shpeshtuar aksionet që kundërshtojnë bllokadën në Kuvend.
Pjesëtarë të shoqërisë civile i kanë shpeshtuar aksionet që kundërshtojnë bllokadën në Kuvend.

Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.

A ka diçka më të parashikueshme momentalisht sesa seancat për konstituimin e Kuvendit të Kosovës? Asgjë nuk ndërron në ato 2-3 minuta seancë, përveç rrobave të deputetëve. Një thënie, që i atribuohet shpesh fizikanit Albert Einstein, thotë se “çmenduri është të bësh të njëjtën gjë vazhdimisht, dhe të presësh rezultate të ndryshme”. Çfarë, atëherë, duhet të ndryshojë në rastin e Kuvendit, që shteti të mos marrë tatëpjetën?

Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për temën më të përfolur të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.

Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!

🎧 Dëgjo këtë newsletter:

Çfarë rrezikon Kosova në mungesë të institucioneve të reja?
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:04:33 0:00

Kosova po e vuan edhe politikisht, edhe financiarisht, sagën për konstituimin e Kuvendit, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që seanca konstituive të përfundojë brenda 30 ditësh. Partitë kanë dalë menjëherë me interpretimet e tyre sa i përket votimit të fshehtë për kandidaten për kryeparlamentare. Do të kemi kohë të shohim se çfarë do të ndodhë...

Tani të ndalemi te faktori financiar.

Në mungesë të ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare me Bankën Botërore, Kosova është duke rrezikuar humbjen e 230 milionë eurove.

Një pjesë e marrëveshjeve, në vlerë të 130 milionë eurove, janë zvarritur prej vitit 2024, ndërsa tjerat, në vlerë të 100 milionë eurove, janë ujdi të reja.

E, për Kosovën, një ndër vendet më të varfra në Evropë, çdo euro është e vlefshme.

Blendi Hasaj, drejtor ekzekutiv në Institutin për Hulumtime të Avancuara GAP, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se disa prej këtyre mjeteve i janë ndarë Kosovës në formë granti – pra pa kthim.

“Këto marrëveshje kanë të bëjnë me përkrahjen në tranzicionin e gjelbër, në rritjen e konkurrueshmërisë, po ashtu për të bërë një riaktivizim të sistemit informativ shëndetësor, projekte që kanë të bëjnë me edukimin në fëmijëri të hershme”.

Marrëveshjet ndërkombëtare ratifikohen në Kosovë me dy të tretat e votave të deputetëve.

Prej mesit të prillit, seancat në Kuvendin e Kosovës nuk zgjasin më shumë se 2-3 minuta.
Prej mesit të prillit, seancat në Kuvendin e Kosovës nuk zgjasin më shumë se 2-3 minuta.

Një tjetër projektligj shumë i rëndësishëm ka të bëjë me mjetet që mund t’i përfitojë Kosova, përmes atij që njihet si Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian (BE).

Nga fondi prej 6 miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosovës i kanë rënë hise rreth 900 milionë – një pjesë në formë granti, dhe një formë si kredi.

Nëse analizohet për kokë banori, Kosova është përfituesja më e madhe e këtyre mjeteve.

Për dallim prej saj, disa vende fqinje tashmë i kanë pranuar 7 për qind të mjeteve si parafinancim, që do të thotë se Kosova do të mund t’i pranonte lehtësisht rreth 61 milionë euro.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në takimin e mbajtur në janar të vitit 2024, për të diskutuar Planin e Rritjes të BE-së.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në takimin e mbajtur në janar të vitit 2024, për të diskutuar Planin e Rritjes të BE-së.

Kur është afati i fundit për miratim?

Për të paktën 90 milionë euro të ndara nga Banka Botërore, me zero për qind kamatë, alarmin e ka ndezur ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

Ai ka thënë që, nëse marrëveshja nuk ratifikohet deri në shtator, “ekziston rreziku shumë i lartë që këto mjete t’i merren Kosovës dhe t’i jepen një shteti tjetër”.

Edhe fondet tjera mund ta kenë këtë fat. Hasaj beson se presion ka edhe brenda vetë Bankës Botërore.

“Menaxherët e Bankës Botërore duhet të kenë një presion që të nisë sa më shpejt zbatimi i tyre [projekteve]. Mos të harrojmë që disa prej këtyre kredive që po i ndahen Kosovës janë me norma tejet tërheqëse, dhe besoj që kërkesa për kredi të tilla është e madhe edhe nga shtetet tjera”.

Augustin Palokaj, gazetar që përcjell politikat e BE-së, thotë për REL-in se, ndonëse disa politikanë kanë deklaruar se ka kohë për pranimin e fondeve të BE-së, ato në fakt janë para të afatizuara për periudhën 2024-2027.

“Nëse vazhdon ky ngërç politik, nëse Kosova vazhdon të mos ketë qeveri deri në pranverën e vitit që vjen, me mundësi për t’i ratifikuar marrëveshjet ndërkombëtare, atëherë mund t’i afrohemi afatit kur mund të humbë një pjesë shumë e madhe e këtyre parave”.

Përveç kësaj, ai rikujton se Kosova vazhdon të jetë nën masa ndëshkuese të BE-së, dhe kështu nuk ka qasje në ndihmën financiare nga paratë e paraanëtarësimit (IPA).

“Ka vende anëtare të BE-së, të cilat thonë se nuk do të kishte kuptim as heqja e masave, përderisa Kosova të mos ketë institucione me të cilat BE-ja do të punonte, pasi janë disa kushte që duhet plotësuar”.

Qeveri pa legjitimitet për të marrë vendime të rëndësishme

Kriza politike po reflektohet edhe në vonesa për integrimin e Kosovës në struktura ndërkombëtare, pasi Qeveria aktuale në detyrë nuk ka legjitimitet për të marrë vendime të rëndësishme strategjike në emër të Kosovës.

Sipas Palokajt, problemi politik është vërtetuar gjatë vizitës së kryediplomates së BE-së, Kaja Kallas, para disa javësh në Prishtinë.

“Ajo është takuar me liderë të institucioneve të Kosovës, më shumë në cilësinë e përfaqësuesve të partive politike, pasi që janë të vetëdijshëm se në rrethanat ekzistuese nuk mund t’u jepet legjitimet i plotë”.

Kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas.
Kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas.

Në këtë situatë, procesi i dialogut me Serbinë mund të mbetet në vendnumëro, ashtu sikurse synimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, pasi në mungesë të institucioneve kompetente, nuk ka vullnet që Gjykatës Kushtetuese t’i dorëzohet për shqyrtim drafti për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe - si kusht për anëtarësim.

“Një qeveri e Kosovës, që atëherë [më 2024] ishte shumë stabile, nuk e ka bërë këtë, prandaj është e paimagjinueshme që këtë tash ta bëjë një qeveri në largim”, thotë Palokaj.

Ndërkohë, shoqëria civile e kundërshton bllokadën e krijuar nga partitë politike, dhe në njërin prej aksioneve të fundit, pjesëtarë të saj pyesnin me pankarta në duar: “Deri kur?”.

Me sa duket, askush nuk e ka një përgjigje...

Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).

Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:

Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG