Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.
Autoritetet në Kosovë njoftuan më 21 tetor se e kanë autorizuar kompaninë amerikane, Starlink, për ofrim të internetit satelitor në Kosovë. Kur do të funksionalizohen shërbimet e saj dhe si do të përfitojnë qytetarët?
Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për temën më të përfolur të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.
Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!
Dëgjojeni versionin audio të materialit:
Internet pa ndërprerje, në çdo cep të territorit, edhe në situata të jashtëzakonshme.
Këto janë vetëm disa të mira që përfiton Kosova nga shtrirja e shërbimeve të gjigantit amerikan, Starlink, në territorin e vet.
Futja e Kosovës në hartën e Starlink-ut, njërës prej kompanive më novatore në botë, konsiderohet edhe si promovim i mirë për vendin.
Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) në Kosovë i ka konfirmuar Radios Evropa e Lirë se shërbimet satelitore të kësaj kompanie do të funksionalizohen në dhjetorin e sivjetmë.
Kosova veçse mburret për mbulueshmërinë me internet në nivel rajonal. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 98.6 për qind e ekonomive familjare kanë pasur qasje në internet më 2023.
Operatorët aktualë në Kosovë ofrojnë internet kabllor, përfshirë internetin me fibër optike, i cili është prej më stabilëve dhe më të shpejtëve.
Satelitët e Starlink-ut
Starlink-u është kompani që ofron internet satelitor në mbi 100 shtete dhe territore dhe zotërohet prej kompanisë hapësinore amerikane, SpaceX, të miliarderit Elon Musk.
Starlink-u i ka rreth 6.000 satelitë, të cilët gjenden rreth 500 kilometra mbi Tokë, në orbitën e ulët të planetit.
Kjo do të thotë se ata janë rreth 65 herë më afër Tokës sesa satelitët tradicionalë të palëvizshëm dhe, për dallim prej këtyre të fundit, satelitët e Starlink-ut janë vazhdimisht në lëvizje dhe sigurojnë që vonesat në komunikim të jenë 10 herë më të vogla.
Anëtarja e bordit të ARKEP-it, Rrezarta Duraku Rizaj, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se leja për operim për Starlink-un është hap i rëndësishëm për avancimin e infrastrukturës digjitale në Kosovë.
“Autorizimi i Starlink-ut ka më së shumti impakt në rritjen e sigurisë nacionale, sidomos në periudhë konfliktesh. Kjo, për faktin se pjesa dërrmuese e infrastrukturës së Starlink-ut gjendet në hapësirë dhe është e paprekshme nga dëmtimet e mundshme në kohë lufte apo katastrofash natyrore në Tokë. Një terminal i Starlink-ut ka në të njëjtin moment pamje në disa satelitë në hapësirë, me çka rritet edhe më shumë disponueshmëria e shërbimit”, ka thënë Duraku - Rizaj.
Ajo beson se kjo përparësi mund të shfrytëzohet nga bizneset dhe nga institucionet qeveritare, sidomos ato të sigurisë, të cilat menaxhojnë infrastrukturë kritike.
Disa të tjerë përmendin ushtrinë dhe misionet e huaja si konsumatorë potencialë. Dhe, jo vetëm ata.
Sipërmarrësi Darsej Rizaj, bashkëthemelues i Shkollës Digjitale dhe i kompanisë Starlabs, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se do ta shfrytëzojë këtë shërbim si privatisht, ashtu edhe për bizneset, sapo ai të jetë i qasshëm.
“Interneti është vegël kritike për neve, kështu që Starlink vetëm do të jetë ndihmesë shtesë, që të mos kemi kurrë ndërprerje të shërbimeve të internetit”.
Si do të funksionojë?
Porositjen e shërbimeve do të mund ta bëjë secili në faqen e Starlink-ut, duke kërkuar adresën më të afërt.
Pas porosisë, Starlink-u do t’ia dërgojë klientit pajisjen marrëse, e cila lidhet me satelitët në hapësirë.
Rrezarta Duraku Rizaj ka thënë se marrësi i përdoruesit është i vogël, portativ dhe mund të përdoret në lokacione të ndryshme, si për shembull në mal, në terrene të vështira, e vende të tjera ku nuk ka qasje të mirë në internet.
Sa do të jetë çmimi dhe shpejtësia e internetit?
Përcaktimi i çmimeve do të bëhet varësisht prej fuqisë blerëse lokale të secilit shtet.
“Tarifimi përbëhet nga dy komponentë: blerja e hardverit në fillim, terminali me pajisjet përcjellëse që blihen një herë, dhe një tarifë mujore që do të varet nga planet e shërbimit që janë të disponueshme në faqen e internetit”, ka treguar Duraku-Rizaj.
Ajo ka thënë se kostot do të bëhen publike para lansimit në dhjetor, dhe për krahasim i ka përmendur çmimet në Shqipëri, ku Starlink-u u shtri në prillin e sivjetmë. Atje, blerja e pajisjeve në fillim kushton rreth 500 euro, ndërsa plani mujor më i lirë është rreth 65 euro.
Shpejtësia e internetit që ofron Starlink-u është 120 deri në 250 megabit për sekondë (mbps), varësisht se a bëhet fjalë për plane individuale apo për biznese.
Operatorët në Kosovë, aktualisht, mundësojnë internet më të shpejtë. Ekonomive familjare u ofrohet internet deri në 500 mbps në kuadër të pakove të kombinuara me shërbime televizive, me çmime deri në 35 euro.
Për bizneset ka oferta për internet deri në 1 gigabit për sekondë, me çmime mujore deri në 1.100 euro.
Darsej Rizaj e pranon që sa i përket shpejtësisë, Starlink-u nuk iu bën konkurrencë operatorëve lokalë, por është plan i mirë rezervë, në rast të dështimit të linjave tokësore.
Nami i Starlink-ut në Ukrainë
Starlink-u pati marrë gjithë vëmendjen në shkurt të vitit 2022, kur Rusia nisi luftën në Ukrainë, dhe për pasojë ukrainasve iu shkëputen linjat e internetit.
Vendimi i Muskut për të mbuluar Ukrainën me internet ishte konsideruar jetik për shumë operacione të ushtrisë ukrainase, por edhe për rimëkëmbje të infrastrukturës së energjisë dhe komunikimit.
Starlink-u ka bërë të ditur se po punon edhe për ofrimin e shërbimeve telefonike – por, deri atëherë, të gjithë sytë tek interneti!
Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).
Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:
- Nga varësia prej drogës në shërim - një udhëtim shprese dhe transformimi
- Mangani në ujin e pijshëm: Si po menaxhohet situata?
- Vorbat unike të Gojanit të Shqipërisë - zanati që mbahet gjallë nga babë e bir
Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.