“Kemi siguruar tri ngarkesa me lloje të ndryshme të drurëve për djegie”, thotë Iryna, punonjëse në një central për ngrohje qendrore në Çernihiv - qytet rreth 150 kilometra larg kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, dhe rreth 40 kilometra në jug të kufirit me Bjellorusinë.
“Morëm më të lirët që kishin. Druri i mirë i zjarrit kushton së paku 165 dollarë për ngarkesë”, thotë ajo.
“Kjo është pishë... Digjet shpejt dhe ngroh pak. Do t’ia dalim disi”, shprehet Iryna.
Radio Evropa e Lirë nuk do ta identifikojë atë me mbiemër, e as banorët e tjerë të zonës, që u intervistuan për këtë artikull, për shkak të pushtimit të vazhdueshëm të Ukrainës nga Rusia.
Iryna jeton në një shtëpi prej 100 metrash katrorë në Zhavink - skaji jugor i Çernihivit.
Për shkak të punës, ajo ka parë me sytë e saj dëmin e shkaktuar në infrastrukturën e ngrohjes dhe të energjisë elektrike të qytetit nga sulmet ajrore ruse, që në shënjestër kanë zonat civile.
“Shpresoj se do t’i mbijetoj dimrit”, thotë ajo.
Qeveria në Kiev dhe komuniteti ndërkombëtar i kanë dënuar sulmet ruse, që kanë goditur objekte në të gjithë vendin.
Zyrtarët kanë thënë më 22 tetor se rreth 1.5 milion shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike dhe se rreth 40 për qind e rrjetit elektrik të Ukrainës është dëmtuar nga sulmet, që kanë filluar më 10 tetor.
Autoritetet në Çernihiv - qytet me rreth 285.000 banorë para luftës - i kanë paralajmëruar banorët se sezoni i ngrohjes këtë vit do të jetë i vështirë dhe i kanë këshilluar ata që t’i bëjnë përgatitjet shpejt.
Vendasit kanë grumbulluar dru zjarri, ose duke i blerë, ose duke i prerë pyjet pranë. Platformat e mediave sociale janë plot me “këshilla” se si të qëndrosh ngrohtë kur temperaturat janë nën zero.
"Është më mirë me ngrohje”
Iryna jeton me bashkëshortin, djalin dhe prindërit e saj në pension.
“Babai më ka këshilluar vite më parë që të mos e hedh sobën me drurë”, thotë ajo.
“Edhe pse është e vjetër dhe e shëmtuar, tani falënderojmë Zotin që e kemi”, shprehet Iryna.
Qyteti është përballur me vështirësi që nga ditët e para të pushtimit rus, në muajin shkurt. Ai ka kaluar disa javë nën rrethim, derisa forcat ruse janë tërhequr në prill.
Gjatë atyre ditëve, njerëzit kanë mbetur pa furnizime me gaz dhe ka pasur ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike. Njerëzit kanë ndërtuar furra vetë, në kushte shtëpie, për të gatuar.
“Supozoni se duhet të qëndroni disa ditë [në bodrum]. Është më mirë me ngrohje”, thotë Iryna.
Volodymyri është mjek në një klinikë private në Çernihiv. Ai, nëna e tij dhe një hallë kanë mbledhur drurë zjarri në pyll.
“Kemi mbledhur degë të vogla për djegie”, thotë ai për Shërbimin e Ukrainës të Radios Evropa e Lirë. “Kemi një sobë që ngroh shtëpinë dhe mund të përdoret, po ashtu, për gatim”, shton Volodymyri.
Familja jeton në një shtëpi të vogël që është ndërtuar nga babai i Volodymyrit rreth 40 vjet më parë.
Ai kurrë nuk e ka mbaruar atë dhe tani copa shtesë drurësh të papërdorur, po mbahen në rezervë, në rast se nevojiten për ngrohje.
“Atë që po mblidhnim për ndërtim, do ta djegim për t’u ngrohur”, thotë Volodymyri.
Sipas tij, disa vendas të tjerë po përgatiten t’i copëtojnë orenditë ose anekset e shtëpive prej druri, për t’u ngrohur gjatë dimrit.
Valentyna është një pensioniste që jeton vetëm në një apartament në katin e parë, në një lagje në skaj të Çernihivit.
Ajo thotë se është mësuar me dimra të ftohtë, pasi, sipas saj, qyteti nuk është ngrohur mirë as në kohë paqeje.
Gjatë rrethimit në shkurt dhe mars, temperatura në banesën e saj thotë se ka rënë në 7 gradë celsius.
“Kam fjetur me rroba. Nuk kishte ujë, rrymë e gaz. Sot ka ujë. Vetëm ujë të ftohtë”, thotë Valentyna.
Ajo ka ngrohje elektrike, por e di se nuk mund të mbështetet në të. Aktualisht, nuk është duke e përdorur, për shkak të thirrjeve të autoriteteve për të minimizuar konsumin.
“I gjithë vendi po kursen energjinë elektrike. Si mund ta ndez sobën kur duhet të kursej energji elektrike”, shprehet Valentyna.
“Ngrohem në kuzhinë kur gatuaj. Mund të ngroh dy tenxhere të mëdha me ujë... Avulli e ngroh pak apartamentin”, thotë ajo.
Valentyna kalon shumë kohë në kuzhinën e saj, duke qëndisur edhe kujtime për të vrarët në luftë në Çernihiv.
Facebook Forum