Ndërlidhjet

Caplan: Do të ketë presion mbi Kurtin për dialogun


Dr. Richard Caplan, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Oxfordit.
Dr. Richard Caplan, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Oxfordit.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do t'i bëjnë presion kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të nisë dialogun me Serbinë pa vendosur parakushte, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Richard Caplan, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit. Ai nuk është optimist për ndonjë rezultat të shpejtë në dialog, për shkak të pozicionit aktual të palëve. Madje, thotë se bazuar në situatën e tanishme, ekziston mundësia që dialogu të zgjasë pa fund, siç po ndodh në rastin e Qipros apo mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Radio Evropa e Lirë: Kosova ka formuar tashmë qeverinë e re dhe Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që ajo të angazhohet menjëherë në dialogun me Serbinë, që lehtësohet nga Bashkimi Evropian. Sipas jush, çfarë zhvillime mund të priten në lidhje me dialogun pas ndryshimit të përbërjes së qeverisë në Prishtinë?

Richard Caplan: Pyetja është nëse do të ketë dialog. Mendoj se ka presion në (kryeministrin e Kosovës, Albin) Kurtin dhe në Serbinë që të rifillojnë negociatat. Mendoj se ka mundësi që të mbahen prapë, por nuk jam shumë optimist për rezultatin që mund të prodhojnë. Në fakt, Kurti ka ulur nivelin e pritjes, pasi ka sugjeruar se nuk është realiste të fokusohet në marrëveshjen përfundimtare, por të ketë fokusim në çështje siç është tema e të pagjeturve. Mendoj se ky është një drejtim ku mund të bëhet një lloj përparimi, por duke pasur parasysh natyrën dhe shkallën e mospajtimeve mes dy palëve, mendoj se do të jetë shumë e vështirë të lëvizet përpara në çështje më thelbësore.

Radio Evropa e Lirë: Siç e thatë edhe ju, kryeministri Kurti insiston në disa parime që duhet përmbushur në mënyrë që të vazhdojë dialogu, ndër të cilat është edhe kërkimfalja nga Serbia dhe njohja e Kosovës. Menjëherë ka pasur reagime nga Serbia në lidhje me këto kushte. Si e vlerësoni ju këtë situatë?

Richard Caplan: Duke e ditur pozicionin e Kurtit dhe të partisë së tij, unë nuk jam i befasuar me këto parime. Ai iu thotë parime, por në të vërtetë ato janë parakushte. Unë mendoj se ju duhet të shkoni në dialog pa parakushte. Mendoj se është e rëndësishme që të fillohet, të ketë bisedime dhe dialog. Këto parakushte nuk do të plotësohen nga ana e Serbisë, pasi ky vend nuk do të pranojë Kosovën si shtet të pavarur, ashtu siç ka kërkuar Kurti.

Radio Evropa e Lirë: Cilat mund të jenë pasojat për të dyja vendet nëse nuk angazhohen në dialog?

Richard Caplan: Është ngecje dhe mendoj se kjo situatë mund të zgjasë pafund. Ju keni shembuj të situatave të tilla, për shembull negociatat në Qipro mes qipriotëve turq dhe atyre grekë. Negociatat e tyre po zgjasin me dakada. Pastaj, negociatat mes izraelitëve dhe palestinezëve, të cilat gjithashtu po zgjasin me dekada. Pra, nuk mund të përjashtohet mundësia që edhe ky dialog (Kosovë-Serbi) të zgjasë pafundësisht në të ardhmen. Megjithatë, mendoj se dallimi në këtë rast është se do të ketë shumë presion ndaj palëve që të shënojnë përparim. Një aspekt për të cilin të gjithë shpresojnë se mund të bëjë dallimin është anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian, dhe kushti ndaj saj që të normalizojë marrëdhënien me Kosovën. Kjo mund të ishte një pikë kthese. Por, për momentin kur shikoj të ardhmen, nuk jam shumë optimist.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se presioni do të bëhet më shumë në anën e kryeministrit Kurtit, për të mos vënë kushte ndaj dialogut?

Richard Caplan: Po mendoj se do të ketë shumë presion ndaj Kurtit të tërhiqet nga kushtet sepse këto janë kushte të reja, nuk janë vënë më parë nga liderët e Kosovës për të zhvilluar dialogun me Serbinë. Pra, po mendoj se do të ketë presion ndaj Kurtit nga ana e Bashkimit Evropian dhe administrata e presidentit amerikan, Joe Biden që të vazhdojë dialogun pa parakushte.

Radio Evropa e Lirë: Administrata e re amerikane ka treguar sinjale të një bashkëpunimi më të afërt me Bashkimin Evropian në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi. Cilat mund të jenë rezultatet e këtij bashkëpunimi?

Richard Caplan: Unë mendoj se kordinimi më i mirë do të jetë rezultat i këtij bashkëpunimi. Nuk ka pasur koordinim të mjaftueshëm ndërmjet administratës së ish-presidentit, Donald Trump dhe Bashkimit Evropian. Në disa aspekte administrata e Trumpit ka vepruar njëanshëm - por jo kundër - objektivave dhe qëllimeve të Bashkimit Evropian. Mendoj se administrata Biden do të jetë më e ndjeshme në kuptim të rëndësisë së koordinimit. Megjithatë, dallimi qëndron në faktin se kjo çështje nuk është me prioritet të lartë për administratën e Bidenit, por mbetet e rëndësishme. Administrata amerikane tashmë ka sinjalizuar se për të kjo çështje është e rëndësishme që të zgjidhet.

Mendoj se kanë prioritete më të mëdha, kryesisht të brendshme, ballafaqimi me pandeminë dhe rimëkëmbjen ekonomike, por edhe ato të jashtme siç janë: rifillimi i dialogut me Iranin, pastaj Kina dhe Rusia. Mendoj se këto kanë përparësi në krahasim me Kosovën. Për SHBA-në nuk do të jetë e rëndësishme njëjtë sikurse është për Evropën, por do të ketë përpjekje më të mëdha për të punuar së bashku në këtë drejtim.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG