Bullgaria në qershor nuk do ta heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, bazuar në qëndrimet e fundit të presidentit Rumen Radev. Megjithatë, nuk e përjashton as mundësinë që për çdo zgjidhje të mundshme të vendoset në referendum.
Mediat në Bullgari raportuan se presidenti Radev dhe kryeministri Kiril Petkov, janë ftuar në Paris në një takim me presidentin francez, Emmanuel Macron.
Presidenti Radev deklaroi se nuk ka asnjë përafrim të qëndrimeve me Shkupin, andaj edhe nuk ka se për çfarë të udhëtojë në Paris.
Agjencia bullgare e lajmeve, BGNES, kishte raportuar të enjten se dy krerët e lartë të shtetit bullgar ishin ftuar në takim nga presidenti Macron për të marrë garanci se të gjitha kërkesat e Sofjes do të jenë pjesë e kornizës negociuese me Maqedoninë e Veriut, dhe në këmbim të saj Bullgaria ta heqë bllokadën.
“Nuk ka përparim në çështjet e hapura mes Sofjes dhe Shkupit, kështu që nuk ka kushte për vizitën time në Paris te presidenti Macron. Dua të shoh rezultate reale. E vlerësoj përkushtimin dhe përpjekjet e partnerëve tanë evropianë”, ka deklaruar Radev për mediat.
Ndërkaq, kryeministri Petkov nuk ka konfirmuar nëse do të udhëtojë drejt Parisit për takimin e paralajmëruar me presidentin Macron. Megjithëatë Petkov ka thënë se çfarëdo zgjidhje që mund të paraqitet, duhet të miratohet në Kuvendin e Bullgarisë.
“Po punohet shumë në nivel të ministrive të jashtme për t’i parë të gjitha mundësitë për përparim në temën e Maqedonisë së Veriut. Nuk mund të konfirmojmë asgjë për sa i përket hapave. Por, ajo që konfirmoj është se për të shmangur çdo spekulim, çfarëdo që të bëhet, gjithçka do të kalojë në Kuvend, pasi institucioni ligjvënës është shkalla e fundit dhe nuk do të ketë asgjë të fshehtë apo për të fshehur nga populli bullgar”, ka thënë Petkov.
Por, presidenti Radev ka thënë se fjalën e fundit e ka populli dhe jo deputetët, duke paralajmëruar mundësinë e organizimit të referendumit.
"Lidhur me deklaratën e kryeministrit Petkov se instanca e fundit për çështjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut është Kuvendi, më duhet të sqaroj se instanca e fundit çdoherë është populli dhe ka mekanizma kushtetues për konsultimin e tij", ka thënë Radev duke aluduar në organizimin e mundshëm të një referendumi.
Drejtuesit e institucioneve të Maqedonisë së Veriut nuk i kanë komentuar përplasjet e krerëve shtetërorë bullgarë, por kanë thënë se janë në kontakt me Sofjen “për të siguruar intensifikimin e bisedimeve në periudhën vijuese, në të gjitha nivelet ndërmjet dy ministrive të jashtme, në drejtim të tejkalimit të dallimeve gjatë Presidencës franceze”.
“Ekziston një numër iniciativash nga partnerët tanë ndërkombëtarë, me idetë e tyre për t'u përfshirë në këto bisedime, ndër të cilat natyrisht edhe Franca si kryesuese aktuale e Këshillit të Bashkimit Evropian".
"Të gjitha palët e përfshira në proces po bëjnë të gjitha përpjekjet për të siguruar një propozim në tavolinë, i cili do të hiqte veton për integrimin tonë evropian, dhe që do të ishte edhe në përputhje me qëndrimet për të cilat është zotuar Qeveria përmes deklaratës në Kuvend”, thuhet në një njoftim me shkrim të ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka thënë më parë se “në qershor duhet të nisin bisedimet pasi çdo shtyrje e procesit të integrimit, mund të ketë pasoja ndaj stabilititetit në rajon”. Sipas tij, “situata mund të shfrytëzohet për rritjen e ndikimit nga vendet tjera, në veçanti nga Rusia”.
Albert Musliu, njohës i çështjeve politike, thotë se dallimet në qëndrime të krerëve shtetëror bullgarë, kanë të bëjnë interesat e tyre politike, duke marrë parasysh paqëndrueshmërinë politike në këtë vend.
Ai vlerëson rolin dhe angazhimin e vendeve me ndikim të BE-së, por trysnia ndaj Sofjes, siç thotë Musliu, nuk mund të jetë e madhe pasi bëhet fjalë për një shtet evropian (Bullgarinë) me ndikim në rritje pas agresionit rus në Ukrainë.
“Mendoj se partnerët tanë euroatlantik janë angazhuar maksimalisht, por ndërkohë kemi të bëjmë me një shtet anëtar të NATO-s dhe BE-së, me një shtet, pesha gjeostrategjike e të cilit pas pushtimit rus në Ukrainë është rritur shumë dhe të gjitha këto konsideroj se e ngadalësojnë procesin”, thotë Musliu.
Por, sipas tij, nëse procesi nuk zhbllokohet, mund të ketë edhe lëvizje strategjike në Maqedoninë e Veriut, por pa saktësuar se cilat mund të jenë ato.
“Mendoj se kjo është e logjikshme pasi ky vend ka një përvojë të hidhur me kontestin me Greqinë që zgjati afër tri dekada, kështu që ne, si shoqëri, nuk mund ta mbajmë tensionin me integrimet evropiane dhe të hyjmë në një kontest më të paqartë”, vlerëson Musliu.
Ai thotë se problemi i mosarritjes së një marrëveshjeje me Bullgarinë, qëndron në pozicionin e paqartë dhe të paqëndrueshëm të Sofjes.
Bullgaria fillimisht kontestonte gjuhën dhe identitetin maqedonas duke kërkuar nga Shkupi që të pranojë “rrënjët bullgare” në të kaluarën e tyre, por tani kërkesa kryesore e saj ka të bëjë me të drejtat e pakicës bullgare duke përkuar përfshirjen e tyre në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.
Analisti Albert Musliu thotë se BE-ja duhet të bëjë gjithçka që të procesi i integrimit të zhbllokohet me lëshime nga të dyja palët, apo që kërkesat bullgare të plotësohen deri në anëtarësimin e plotë të Maqedonisë së Veriut në BE.
Facebook Forum