Duket si një imazh i luftës: Një grua duke qarë, e përqafon djalin e saj me uniformë para nisjes së tij, ndërsa një burrë tjetër shikon. Në fakt, i riu po largohet për t'i shërbyer qeverisë komuniste të Bullgarisë me lopatë, jo me armë.
Fotografia e mëposhtme është një nga 92 të sosh të ekspozuara në Galerinë Synthesis të Sofjes deri më 15 shkurt, të cilat ofrojnë një pasqyrë të rrallë brenda Korpusit të Ndërtimit të Bullgarisë.
Organizata, që më vonë u bë e njohur si Korpusi i Ndërtimit, u formua në prag të Luftës së Parë Botërore. Ajo e zëvendësoi shërbimin ushtarak me punë të detyrueshme, kryesisht për projekte ndërtimi.
Korpusi i Ndërtimit i mundësoi Bullgarisë të organizonte dhjetëra mijëra të rinj në një strukturë të ngjashme me ushtrinë, pa shkelur një traktat të nënshkruar nga Bullgaria pas luftës, me të cilin ushtria e Sofjes kufizohej në vetëm 20.000 ushtarë.
Në mesin e viteve 1930, natyra ushtarake e korpusit u bë zyrtare pasi struktura iu dorëzua ushtrisë nga Ministria e Ndërtimit e Bullgarisë.
Korpusi i Ndërtimit ndërtoi pjesën më të madhe të infrastrukturës bullgare të shekullit XX, por përgjatë epokës komuniste ai u përdor edhe për t'i ndëshkuar kundërshtarët e regjimit dhe për t'i mbajtur nën kontroll pakicat etnike. Organizata u shpërbë në vitin 2000.
Fotografi Garo Keshishyan nisi t'i fotografonte batalionet e punës në fillim të viteve 1980 pasi takoi rastësisht një kontingjent punëtorësh, të cilëve u ishte caktuar një projekt në qytetin e tij të lindjes, Varna.
“Ata filluan të ushqeheshin para pallatit ku banoja, kështu që unë vrapova për të bërë disa fotografi”, tha Keshishian për Radion Evropa e Lirë.
Debati mbi trashëgiminë e Korpusit të Ndërtimit është riaktualizuar së fundmi në Bullgari, pasi partitë populiste kanë kërkuar kthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Për atë se si formacione të caktuara të korpusit janë përdorur për t'i shtypur kundërshtarët e regjimit dhe për të kontrolluar popullsinë mashkullore të grupeve të tëra etnike, është folur fare pak.
Disa nga grupet punuese gjatë periudhës komuniste të Bullgarisë njiheshin si batalione "të zeza", të mbushura me njerëz politikisht "të dyshimtë".
Grupime të tjera ishin nga pakicat etnike rome dhe turke të Bullgarisë, të cilët mund të monitoroheshin nga afër nga informatorët komunistë brenda radhëve të tyre.
"I gjithë sistemi tregon për diskriminimin flagrant etnik të trupave komuniste dhe postkomuniste të ndërtimit në Bullgari", thotë Keshishian.
"Gjëja që më bëri t'i kthehesha aparatit tim [fotografik] ishte dhembshuria ime për këta djem, faji i vetëm i të cilëve ishte se ku dhe kur lindën".
Qasja e jashtëzakonshme e Keshishian në Korpusin e Ndërtimit ishte kryesisht ishte çështje fati.
Pasi shfaqi interesim për batalionet e punës nga takimi në Varna në fillim të viteve 1980, Keshishianit iu caktua një anëtar i Partisë Komuniste, i cili ishte i ngarkuar ta vëzhgonte fotografin kur ai kërkonte leje për t'i fotografuar trupat.
“Kur ai pa fotot [e batalioneve të punës] u trondit i tëri”, rikujton fotografi. Por, oficeri i tha në mirëbesim Keshishianit: “Kam shkruar dënime gjithë jetën, do të të lë shkrepësh çfarë të duash”.
Georgi Lozanov, ligjërues i fotogazetarisë në Universitetin e Sofjes, u takua për herë të parë me Keshishianin në vitet 1980. Ai i përshkruan imazhet e Keshishianit për Korpusin e Ndërtimit si "një nga shembujt më të mëdhenj të rezistencës kundër regjimit", dhe shton:
"Ai tregon dy gjëra në të njëjtën kohë: makinerinë e fuqishme të shtypjes së autoriteteve, si dhe njerëzit në mënyrë individuale të kapur në të".
“Edhe kur arrin të gjejë të vërtetën, një fotograf është gjithmonë subjektiv”, thotë Keshishian. "Kam kaluar 12 vjet duke shkuar tek ushtarët. Ata ishin të gjithë të ndryshëm, por ndieja simpati për secilin".