Ndërlidhjet

Brenda agjencisë që e censuron internetin në Rusi


Brenda agjencisë që e censuron internetin në Rusi

Në gjysmën e parë të muajit tetor të vitit të kaluar, punëtorët e një rrjeti të fshehtë qeveritar rus, që kanë punuar në një qendër të vogël biznesore në verilindje të Moskës, janë shqetësuar për motin.

Jo për kushtet atmosferike në Moskë, por në katër rajonet ukrainase, të cilat presidenti rus, Vladimir Putin, i ka shpallur të aneksuara dhe si pjesë të Rusisë.

Punëtorët – specialistë të teknologjisë informatike dhe analistë – kanë qenë të angazhuar në një entitet të panjohur me emrin Qendra Kryesore e Radiofrekuencave, një njësit i agjencisë federale qeveritare që harton politikat rreth qasjes në internet, Roskomnadzor.

Ata analizojnë përmbajtjen në uebfaqe, nëpër rrjetet sociale, kanale të Telegramit, nëse eventualisht hasin në përmbajtje problematike: protesta opozitare, protesta antiqeveritare, ofendime kundër Putinit.

Ata kanë qenë në veçanti të shqetësuar se në 15 ueb-faqe ruse ku shfaqen parashikimet për motin, rajonet ukrainase që Rusia tani i pretendon si të vetat – janë prezantuar ende si territore ukrainase.

Punëtorët e qendrës e kanë përpiluar një listë me ueb-faqe dhe informacionet për to.

Deri më 6 nëntor, 10 prej tyre i kanë ndryshuar përshkrimet e territoreve ukrainase duke i konsideruar ruse.

Prej kur Rusia e ka pushtuar Ukrainën më 24 shkurt 2022, Kremlini është akuzuar vazhdimisht për përpjekjet që të censurojë lajmet dhe informacionet e publikuara në faqet ruse.

Disa ditë pas nisjes së luftës, Putin e ka nënshkruar një legjislacion që e shndërron në vepër penale publikimin e secilit shkrim për ushtrinë ruse, që shteti rus e konsideron lajm të rremë.

Si rezultat, prej nisjes së luftës, në makinat ruse të kërkimit, Yandez dhe Mail.ru. janë larguar më shumë se 11.800 tekste, në të cilat është raportuar për “humbje të mëdha të forcave të armatosura ruse, për pajisjet e tyre, si dhe sulmet në infrastrukturën civile dhe vrasjen e civilëve”.

Agjencia Roskomnadzor i ka bllokuar faqet e të paktën 95 organizatave mediale ruse.

Në krye të këtyre përpjekjeve është Qendra Kryesore e Radiofrekuencave, e cila një vit para nisjes së luftës, e ka krijuar një sistem të brendshëm të mesazheve të quajtur “Zyra Operative Interaktive”.

Ky sistem e ka lidhur qendrën monitoruese me agjencitë kyçe për zbatim të ligjit në Rusi: Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, Shërbimin Federal të Sigurisë, Shërbimin Federal të Mbrojtjes, Gardën Kombëtare dhe Ministrinë e Brendshme.

Një hulumtim i Shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë, tregon se si Qendra Kryesore e Radiofrekuencave – dhe censuruesit e internetit në Rusi – monitorojnë komunikimet elektronike dhe se si agjencitë qeveritare kufizojnë qasjen në atë që lexojnë apo shikojnë rusët.

Hetimi është i bazuar në sasi të mëdha të korrespodencës së brendshme që është siguruar në nëntor të vitit 2022 nga një grup që e identifikon veten si organizatë e hakerëve bjellorusë, e quajtur Partizanët Kibernetikë (Cyberpartisans).

Materialet e ndara me Radion Evropa e Lirë dhe një bashkësi të mediave tjera përfshijnë edhe mediat ruse si: The Insider, iStories, dhe gazetën ruse, Sueddeutsche Zeitung.

Dokumentet që kanë rrjedhur nga Qendra Kryesore e Radiofrekuencave – më shumë se 700.000 letra dhe 2 milionë dokumente të brendshme – ofrojnë një pamje të detajuar të mënyrës se si monitorohet dhe censurohet interneti në Rusi.

“Çfarë më mahnit mua është pikëpamja (e autoriteteve) që sa më shumë sisteme që bëjnë, aq më shumë do të mund të bllokojnë faqe. Secili dokument që e kam parë përbën rast potencial penal kundër Roskomnadzor-it”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Philip Kulin, specialist i pavarur i teknologjisë informative që udhëheq një kanal në Telegram të quajtur Escher II.

“Sepse ky është vëzhgim real i njerëzve”, ka thënë ai.

Roskomnadzor është “trup civil. Kush e ka sanksionuar aftësinë e tij për vëzhgime, për mbledhjen e të dhënave personale?”

Censurë e vjetër, metoda të reja

Përpjekjet e Moskës për censurë nuk përbëjnë asgjë të re.

Në Bashkimin Sovjetik, Partia Komuniste e ka krijuar një aparat të censurës përmes së cilit ka tentuar të bllokojë përhapjen e lajmeve jashtë Perdes së Hekurt, duke penguar transmetimin e lajmeve në radio dhe televizione.

Politika e Mikhail Gorbachevit për hapje - "glasnost", në vitet 1980, ka mundësuar daljen e informacionit jashtë shtetit dhe ka lënë hapësirë për qasje të ndryshme në shtëpi.

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, ambienti medial në Rusi është bërë i zhurmshëm, pasi ka pasur liri për gazeta, televizione dhe më pas për ueb-faqe që të raportojnë dhe kritikojnë.

Pasi Putini e ka fituar zyrtarisht presidencën në vitet 2000, një prej veprimeve të tij të para ka qenë ushtrimi i kontrollit në televizionet publike – burimin kryesor të informimit në Rusi.

Aty përfshihet NTV, e cila ka transmetuar raportime tejet kritike për Luftën e parë çeçene më 1990.

Në fillim të viteve 2010, Kremlini ka nisur të bëjë etiketime ndëshkuese për disa media dhe organizata joqeveritare duke i konsideruar “agjentë të huaj”, dhe duke e kufizuar në masë të madhe lirinë mediale.

Më vonë, autoritetet ruse e kanë krijuar një sistem të sofistikuar për ofruesit e shërbimeve të internetit në Rusi, duke mbledhur dhe ruajtur të gjitha informacionet që kanë qarkulluar.

Ky vendim ka prekur edhe gjigantët e teknologjisë, Google dhe Facebook, të cilëve u është kërkuar që të ruajnë të dhënat për Rusinë në disa serverë në tokën ruse.

Censurë është aplikuar edhe në faqe tjera online sikurse: VK, Mail.ru dhe Yandex.

I krijuar fillimisht më 2000 nën Roskomnadzor-in, për të vëzhguar dhe për kontrolluar frekuencat e radios, Qendra Kryesore e Radiofrekuencave e ka zgjeruar veprimtarinë, me qëllim të kontrollimit të internetit.

Agjencia, e cila e ka pranuar publikisht hakimin në nëntor, nuk ka pranuar t’iu përgjigjet pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për operacionet e censurës.

As Roskomnadzor nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë.

‘Atmosferë proteste’

Sistemi i brendshëm për mesazhe, i quajtur “Zyra Operative Interaktive” duket se ka qenë më e ngarkuar për shkak të shqetësimeve të autoriteteve për zbatim të ligjit për të kontrolluar protestat që kanë shpërthyer në disa qytete në Rusi më 2019.

Në mesin e tyre ka pasur protesta që janë mbajtur për mbrojtje të natyrës dhe kundër ndërtimit të një kishe në parkun Jekaterinburg.

Sistemi është përditësuar prej atëherë, duke shtuar aty edhe ndryshime teknike, përfshirë një version për telefona mobilë, mundësinë për të dërguar mesazhe private, për të dërguar video, audio dhe fotografi.

Sipas rishikimit të materialeve nga ekipi i Radios Evropa e Lirë, punëtorët e agjencisë monitorojnë burime të ndryshme të informimit dhe më pas, duke përdorur sistemin e brendshëm për mesazhe, shënjojnë materialet që duhet të shikohen nga agjencitë tjera qeveritare.

Deri në nëntor të vitit 2022, sipas dokumenteve, në sistemin e brendshëm janë zhvilluar biseda të ndryshme për llojin e protestave nën emërtimet: terrorizëm, intervenim i huaj dhe ekstremizëm.

Në ato grupe janë diskutuar të dhënat e marra nga më shumë se 35.000 llogari kombëtare dhe lokale, dhe në të cilat kanë marrë pjesë pjesëtarë të agjencive dhe ministrive të ndryshme ruse.

Në dokumente është parë edhe mënyra se si janë censuruar informacionet për liderë të fuqishëm biznesorë dhe oligarkë.

Duke përdorur një sistem informimi të automatizuar, Qendra Kryesore e Radiofrekunencave u është përgjigjur kërkesave të liderëve biznesorë për të bllokuar qasjen në raportime kritike.

Ja një shembull. Ndihmësi i Mikhail Sirotkin, udhëheqësit të departamentit për menaxhim të kosteve në gjigantin e gazit, Gazprom, në shkurt të vitit 2020 i ka dërguar letër agjencisë Roskomnadzor që të bllokojë më shumë se 150 artikuj për Sirotkinin.

Para vitit 2018, Roskomnadzor, e cila është përgjegjëse për zhdukje të informacionit, e ka bllokuar qasjen në faqen Russiangate, pasi kjo e fundit e ka publikuar një material për Aleksandr Bortnikov, udhëheqësin e agjencisë për inteligjencë të brendshme në Rusi – FSB.

Po të njëjtën vit, miliarderi Alisher Usmanov, e ka bërë një padi duke kërkuar qe Roskomnadzor të bllokojë qasjen në artikujt për lidhjet e tij me një udhëheqës të grupit kriminal.

Detyra speciale e Yandex U

Sipas dokumenteve që kanë rrjedhur nga Qendra Kryesore e Radiofrekuencave, Roskomnadzor i ka bllokuar 89.000 ueb-faqe në çerekun e tretë të vitit 2022.

Shumica e shkeljeve lidhen me publikimin e informacioneve për droga ilegale apo përmbajtje të lidhur me vetëvrasjet dhe pornografi të fëmijëve.

Kjo qendër e ka të punësuar edhe një psikolog klinik, i cili punon me punëtorët që janë të angazhuar për veçim të përmbajtjes specifike, pasi ata besohet se janë përballur me “ngarkesë të madhe emocionale dhe profesionale”, “ankth” dhe çrregullime të humorit, sipas dokumenteve.

Punëtorët e kësaj qendre i alarmojnë për përmbajtje problematike edhe inxhinierët e Yandex-it, makinës më të madhe të kërkimit në internet në territorin rus.

Mirëpo, brenda Yandex-it është raportuar për rezistencë, pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Shumë krerë ekzekutivë kanë dhënë dorëheqje dhe kompania e ka shitur degën e lajmeve, duke thënë se do të fokusohet në veprimtarinë që nuk lidhet me fushën e mediave.

Sipas dokumenteve që kanë rrjedhur, punëtorët e Qendrës Kryesore të Radiofrekuencave (GRFC), kanë mbledhur më shumë se 200 materiale me fjalët si “mobilizimi i Putinit”, “dorëzohen djemtë nga Rusia” dhe “çfarë janë djemtë rusë që po vdesin në Ukrainë” dhe ia kanë dërguar Yandex-it që t’i zhdukë.

Në një deklarim për Radion Evropa e Lirë, Yandex e ka mohuar përfshirjen në censurë.

“Yandex nuk është i përfshirë në projektet e GRFC-së në përpjekjet për kërkim apo zhdukje të linqeve”, ka thënë zëdhënësja e kompanisë, Polina Pestova.

“Vetë Yandex nuk zhduk asgjë nga rezultatet e kërkimit. Një link specifik mund të përjashtohet nga makinat e kërkimit nëse përfshihet në regjistrin e Roskomnadzor-it për ueb-faqet e ndaluara dhe nëse ekziston një vendim i gjykatës. Ueb-faqet e tilla zhduken në mënyrë automatike, në momentin që përfshihen në regjistër”, ka thënë ajo.

Inteligjenca artificiale

Më 2021, për të ndihmuar në rritje të aftësive monitoruese, punëtorët e Qendrës Kryesore të Radiofrekuencave, kanë nisur të angazhojnë ‘robotë’ – aplikacione softuerike për të kryer operacione të automatizuara – në mënyrë që t’iu përgjigjen ankesave apo për të kryer kërkime.

Qendra Kryesore e Radiofrekuencave i ka ofruar 800.000 dollarë në gusht të vitit 2022 për të zhvilluar një sistem të bazuar në inteligjencë artificiale, Oculus për të vëzhguar rrjetet sociale, ueb-faqet, dhe shërbimet e shpejta për mesazhe.

Sipas dokumenteve që i ka parë ekipi i Radios Evropa e Lirë, kjo qendër ka krijuar një “klasifikues të entitetit” për të trajnuar sistemin Oculus që të gjejë ofendimet ndaj Putinit dhe t’i bashkojë ato me fotografi nga video.

Biden: Putin është "diktator vrasës"
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:43 0:00

Në këtë klasifikues janë përfshirë “imazhet ofenduese për presidentin” dhe “krahasimi i presidentit me karaktere negative”.

Në mesin e klasifikimeve ka pasur edhe kërkime nëse figura e Putinit është krahasuar me atë të diktatorit nazist, Adolf Hitler.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG