Ndërlidhjet

Prokuroria e Bosnjës lëshon urdhër për ndalimin e Dodikut

E përditësuar

Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik. Banjallukë, 25 janar 2025.
Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik. Banjallukë, 25 janar 2025.

Presidenti i entitetit të Republikës Sërpska (RS), Millorad Dodik deklaroi në Banjallukë se një “diskurs kundër RS-së” ka filluar nga Sarajeva.

Këto deklarata ai i bëri pasi Prokuroria e Bosnje e Hercegovinës lëshoi një urdhër për ndalimin e tij, me qëllim që ta marrë në pyetje.

Urdhër të tillë Prokuroria ka lëshuar edhe ndaj kryeministrit Radovan Vishkoviq dhe kryetarit të Parlamentit të këtij entiteti, Nenad Stevandiq. Ata akuzohen se kanë kryer veprën penale të “sulmit ndaj rendit kushtetues”.

Dodik përsëriti qëndrimin e tij se ai nuk do t’i përgjigjet thirrjes të Prokurorisë për t’u marrë në pyetje.

“Ne nuk do të përgjigjemi, le të shohim se çfarë do të bëjnë ata”, tha ai gjatë konferencës ku folën edhe Vishkoviq dhe Stevandiq.

Ligji për procedurën penale i Bosnje dhe Hercegovinës parashikon mundësinë e lëshimit të urdhrit për sjellje të detyruar për dhënien e dëshmisë, në rast se personi i thirrur në institucionet gjyqësore refuzon ta bëjë këtë.

Kur u pyet çfarë do të ndodhte nëse lëshohet një urdhër për arrestimin e tij, ai nuk dha një përgjigje specifike, por akuzoi gazetarët se nuk i dinë procedurat.

Dodik u pyet nëse EUFOR do të përfshihet në këtë proces dhe ai u përgjigj se kjo ishte “pyetje idiote” pasi EUFOR-i nuk ka mandat për një gjë të tillë.

Gjatë bisedës me gazetarë, Dodik po ashtu njoftoi se shumë shpejt do të zhvillojë një takim të nivelit të lartë në Rusi, ku do të kërkojë nga Moska që të vendosë veto ndaj pranisë së EUFOR-it në Bosnje.

Ai tha se nuk ka nevojë për shqetësim, duke thënë se “është një goditje që jam i gatshëm ta përballoj për RS-në”.

“Kjo është një çështje e pavlerë, e motivuar politikisht, sepse nuk ka asnjë ligj që përcakton si krime veprat për të cilat po akuzohemi. Ne nuk do të marrim pjesë në këtë. Nëse dikush mendon se jemi frikacakë, e ka shumë gabim. Mesazhi im është vetëm të mos e teproni, përndryshe do të ndiqeni penalisht”, tha Dodik.

Prokuroria ka lëshuar urdhrin për arrestim ndaj Policisë Gjyqësore të Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës, duke kërkuar ndihmën e Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA).

"Unë nuk do të rekomandoja që SIPA të veprojë dhe besoj se nuk do ta bëjë. Gjithashtu, kam besim te policia e RS-së”, tha ai.

Ai gjithashtu deklaroi se RS mbetet e përkushtuar ndaj ligjeve të miratuara së voni, edhe pse ato janë shpallur antikushtetuese, dhe të cilat ndalojnë punën e Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnje dhe Hercegovinës në territorin e këtij entiteti.

Duke iu drejtuar gazetarëve në Banjallukë, Stevandićqdhe Vishkoviq gjithashtu deklaruan se nuk kanë ndërmend t’i përgjigjen Prokurorisë së Bosnje dhe Hercegovinës.

Njoftimi për lëshimin e urdhrit për ndalim vjen në ditën kur autoritetet në RS po diskutojnë që entitetin në Bosnje e Hercegovinë ta përcaktojnë si shtet të popullit serb, t’i japin të drejtën për vetëvendosje, të krijojnë ushtrinë e vet dhe të heqin Këshillin e Popujve, sipas një drafti të ri të Kushtetutës të Republikës Sërpska, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë. Këto ndryshime bien ndesh me Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës.

Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska po diskuton më 12 mars draft-kushtetutën e këtij entiteti më 12 mars, që paraqet edhe një lëvizje tjetër secesioniste nga autoritetet e këtij entiteti, pasi u miratuan ligje që ndalojnë funksionimin e institucioneve gjyqësore dhe hetuese të Bosnjës në territorin e Republikës Sërpska. Këto ligje hyn në fuqi javën e kaluar.

Në seancën e 12 marsir, deputetët në Republikën Sërpska po ashtu do të diskutojnë për krijimin e një gjykate speciale dhe zyre të prokurorisë për të “mbrojtur rendin kushtetues”.

Këto ligje jokushtetuese janë miratuar pasi që Dodiku u dënua, në shkallë të parë, nga Gjykata e Bosnjës me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të postit të presidentit për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.

Më 27 shkurt, Parlamenti në RS miratoi ligjet jokushtetuese dhe më 5 mars ato u dekretuan nga Dodiku.

Ndalimi i funksionimit të institucioneve shtetërore të drejtësisë mbi një pjesë të territorit të Bonjës janë në kundërshtim me Kushtetutën e shtetit dhe më 7 mars, Gjykata Kushtetuese e Bosnjës pezulloi zbatimin e këtyre ligjeve.

Dodik ka thënë disa herë se ligjet do të zbatohen pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Miratimi i këtyre ligjeve është dënuar nga zyrtarë të lartë botërorë, përfshirë nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dhe disa ambasada të huaja në Bosnje e Hercegovinë.

Parlamenti Evropian do të diskutojë kërcënimet për ndarje në Bosnje gjatë seancës plenare të 12 marsit.

Kushtetuta e Bosnjës është neni 4 i Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnje më 1995. Sipas këtij dokumenti, shteti mund të marrë juridikisionin "në ato çështje për të cilat arrihet një marrëveshje mes entiteteve".

Praktikisht, të gjitha kompetencat që autoritetet e RS duan të "rikthejnë" në nivelin e entitetit, janë transferuar në nivelin shtetëror përmes votimit në të dyja dhomat e Parlamentit të Bosnjës, përfshirë edhe votat e përfaqësuesve të RS-së.

Sipas Kushtetutës së Bosnjës, Republika Sërpska dhe Federata e Bosnje e Hercegovinës janë entitete që përbëjnë Bosnjë dhe Hercegovinën dhe nuk kanë statusin e një shteti. Po ashtu, sovraniteti dhe integriteti territorial, sipas Kushtetutës shtetërore, janë të rezervuara vetëm për shtetin e Bosnjës dhe jo për entitetet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG