Ndërlidhjet

Blinken thotë se “tani është koha” për t’i dhënë fund luftës në Gazë


Ndërtesa të rrënuara si pasojë e bombardimeve izraelite në veri të Rripit të Gazës, 20 tetor 2024.
Ndërtesa të rrënuara si pasojë e bombardimeve izraelite në veri të Rripit të Gazës, 20 tetor 2024.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u ka bërë thirrje të mërkurën Izraelit dhe grupeve të mbështetura nga Irani kundër të cilave po lufton në Gazë dhe Liban, për të arritur armëpushim, pasi ushtria izraelite tha se e vrau një zyrtar të lartë të Hezbollahut.

Zyrtari i vrarë thuhej se do të emërohej lider i ri i Hezbollahut, grupit militant dhe partisë politike që kontrollon jugun e Libanit.

“Tani është koha t’i shndërrojmë këto suksese në një sukses strategjik afatgjatë”, tha Blinken për gazetarë në Jordani të mërkurën, pak para nisjes për në Arabinë Saudite.

Blinken është në një turne në rajon për bisedime për të gjetur një mënyrë për t’i dhënë fund luftës.

Të martën mbrëma, Izraeli tha se Hashem Sfieddine, figurë e lartë brenda Hezbollahut, u vra në një sulm ajror në kryeqytetin libanez më 3 tetor, duke u dhënë fund thashethemeve disajavore se a ishte gjallë apo jo njeriu që pritej ta merrte drejtimin e grupit.

Lideri i kaluar i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, u vra në një sulm ajror në Bejrut më 27 shtator.

Safieddine drejtonte degën ekzekutive të Hezbollahut, e cila mbikëqyr çështjet politike të grupit. Ai ishte gjithashtu anëtar i Këshillit vendimmarrës Shura, si dhe i Këshillit të Xhihadit, i cili drejton operacionet ushtarake të grupit.

Shtetet e Bashkuara e shpallën Safieddine terrorist në vitin 2017.

Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

Lufta e tanishme midis Izraelit dhe grupeve të mbështetura nga Irani, Hezbollah dhe Hamas – i cili është i shpallur organizata terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – u nxit pasi Hamasi e kreu një sulm befasues në Izrael më 7 tetor 2023, duke i vrarë rreth 1.200 persona, si dhe duke i rrëmbyer rreth 240 të tjerë.

Prej atëherë, Izraeli është duke e kryer një luftë të ashpër në Gazë, e cila, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së drejtuar nga Hamasi, i ka vrarë pothuajse 43.000 njerëzve, ndërsa ka zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës.

Forcat izraelite kanë vrarë shumë figura të larta të Hezbollahut dhe Hamasit, përfshirë liderin e grupit militant palestinez, Yahya Sinwar, i cili dyshohej se ishte arkitekti i sulmit të 7 tetorit.

Sinwar u vra javën e kaluar nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit, duke nxitur zyrtarë të lartë nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatë të tjerë izraelitë ta shohin këtë si një mundësi për një skenar të ri për rajonin.

Izraeli është përballur njëkohësisht me trysni nga shumë aleatë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, për numrin në rritje të viktimave civile në Gazë si rezultat i luftës dhe me akuza se ka penguar furnizimet me ndihma për këtë territor, ku qindra mijëra njerëz po jetojnë në një krizë humanitare gjithnjë në rritje.

"Përqendrimi duhet të jetë te kthimi i pengjeve, përfundimi i kësaj lufte dhe një plan i qartë për atë që vjen më pas", tha Blinken më 23 tetor.

Asnjëra palë, megjithatë, nuk duket e gatshme, të paktën publikisht, të shfrytëzojë atë që Blinken dhe të tjerët e shohin si mundësi.

Vetëm disa orë para se të fliste Blinken, ushtria izraelite rrëzoi një ndërtesë në një periferi të Bejrutit që tha se strehonte objekte të Hezbollahut. Në fundjavë Qeveria izraelite tha se shtëpia e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu u dëmtua nga një sulm me dron.

Ndërkohë, Hamasi vazhdon të mos pranojë t’i lirojë pengjet e mbetura që mban, pa e ndaluar Izraeli luftën në Gazë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG