Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e dënoi valën e sulmeve raketore ruse të hënën në Ukrainë, ku mbetën të vrarë dhjetëra njerëz.
Biden tha se ajo është një “rikujtuese e tmerrshme e brutalitetit të Rusisë” dhe u zotua se do ta forcojë mbrojtjen ajrore të Kievit.
Së paku 37 njerëz u vranë të hënën në disa qytete të Ukrainës, përfshirë 21 në kryeqytetin Kiev.
Shënjestër e sulmeve ishte edhe një spital për fëmijë, ku mbetën të vrarë dy punonjës.
Biden tha se përforcimet e mëtejshme për mbrojtjen ajrore të Ukrainës, do të shpallen gjatë Samitit të NATO-s që nis punimet sot në Uashington.
Udhëheqës nga 32 shtetet anëtare të NATO-s, vendet e tyre partnere dhe BE-ja do të mblidhen për të shënuar 75-vjetorin e aleancës.
Pritet që edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të jetë i pranishëm.
“Unë do të takohem me presidentin Zelensky për ta bërë të qartë se mbështetja jonë për Ukrainën është e palëkundur”, tha Biden.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të takohet po ashtu sot për të diskutuar për sulmet ruse në Ukrainë.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, e shpalli 9 korrikun ditë zie, pas sulmeve vdekjeprurëse në kryeqytet.