Ndërlidhjet

Bislimi: Do të zbatojmë rekomandimet e KE-së


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi. Fotografi nga arkivi.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi. Fotografi nga arkivi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ekzekutivi kosovar do të zbatojë rekomandimet që dalin nga Raporti i Progresit i Komisionit Evropian, që u publikua më 30 tetor.

Pasi autoritetet e Kosovës pranuan raportin, Bislimi në një konferencë për media tha se ky raport tregon se Qeveria e Kosovës ka vazhduar “me agjendën e saj ambicioze të reformave drejt Bashkimit Evropian”.

Ai tha se ekzekutivi ka prioritet agjendën e integrimit evropian, pavarësisht “masave të padrejta që janë në fuqi”.

“Ne i karakterizojmë ato si të padrejta sepse së pari është rekomanduar largimi i tyre tashmë dhe pavarësisht këtij rekomandimi, ato prapë qëndrojnë në fuqi, dhe së dyti i konsiderojmë si në kundërshtim edhe me vetë parimet dhe vlerat e Bashkimit Evropian, duke dëmtuar kështu mbase vetë kredibilitetin e BE-së karshi qytetarëve tanë. Ritheksojmë se Kosova tashmë i ka përmbushur të gjitha kërkesat dhe bazuar në rekomandimet e përfaqësuesit të lartë, Josep Borrell, presim që Këshilli ta marrë një vendim të shpejtë për heqjen e tyre”, tha Bislimi.

Për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, BE-ja vitin e kaluar ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

Shefi i diplomacisë së BE-së ka rekomanduar heqjen e tyre, por Këshilli i BE-së duhet që ta miratojë një gjë të tillë.

Në konferencën për media, shefi i BE-së në Kosovë Aivo Orav, tha se për masat ende nuk ka konsensus.

“Sa i përket heqjes së masave së pari ka nevojë për konsensus në BE dhe deri më tani ende po punojmë që ta gjejmë këtë konsensus. Shtetet anëtare duhet të binden se tani është koha e duhur që të hiqen këto masa”, tha ai.

Bislimi tha se në raport, KE-ja e përgëzon Kosovën për politikën e saj të jashtme ndaj luftës në Ukrainë, për vendosjen e masave dhe sanksioneve ndaj Rusisë në përputhje me masat e marra nga BE-ja dhe po ashtu për përafrimin e politikës së vizave me atë të bllokut evropian.

“Komisioni Evropian po ashtu përgëzon Kosovën për përgatitjen dhe miratimin e Agjendës së Reformave për vitet 2024-2027, e vlerësuar si një agjendë relevante, ambicioze, dhe që synon të përmbushë qëllimet e instrumentit të ri për reforma dhe rritje ekonomike. Ky vlerësim buron nga përkushtimi i Kosovës në avancim të agjendës evropiane por edhe në bashkëpunim rajonal”, tha Bislimi.

Zëvendëskryeministri Bislimi tha po ashtu se përparim është vërejtur edhe në fushën e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit, avancimit në çështjen e barazisë gjinore, duke theksuar se vetëm në dy kapituj është thënë se Kosova nuk ka shënuar progres.

Në raportin për Kosovën është thënë se shteti mbetet i përkushtuar në rrugën drejt integrimit evropian.

Derisa kujton se Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, raporti thekson se Komisioni është i gatshëm për të përgatitur një opinion për aplikimin e saj, kur një gjë e tillë të kërkohet nga Këshilli.

“Si shtet i përfshirë në pakon e zgjerimit, Kosova beson dhe përfaqëson vlerat evropiane të dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë, sundimit të ligjit, e të drejtave të njeriut”, tha Bislimi.

Në raport thuhet se Kosova ka shënuar përparim në luftën kundër krimit të organizuar, ndërsa mjedisi i biznesit në vend është përmirësuar, po ashtu.

Kosova po ashtu inkurajohet t’i intensifikojë përpjekjet e saj për të forcuar sundimin e ligjit dhe administratën publike, si dhe për të mbrojtur lirinë e shprehjes.

Aty thuhet, po ashtu, se Qeveria duhet të punojë për të krijuar mbështetje politike ndërpartiake për t’i ndjekur në mënyrë më efektive reformat që lidhen me BE-në.

Ndërkaq, sa i përket raporteve me Serbinë, raporti i KE-së thotë se për të dyja vendet normalizimi i raporteve mbetet kyç për rrugën e tyre evropiane dhe dy shtetet rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme nëse nuk bëjnë përparim në këtë drejtim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG