Ndërlidhjet

Beogradi dhe Pekini gjithnjë e më afër


Presidenti kinez, Xi Jinping, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, Beograd, 8 maj 2024.
Presidenti kinez, Xi Jinping, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, Beograd, 8 maj 2024.

Mesazhe të reja për intensifikim të bashkëpunimit me Kinën u përçuan edhe këtë javë në Beograd.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e falënderoi homologun e tij kinez, Xi Jinping, për “ngritjen e marrëdhënieve midis dy vendeve në një nivel strategjik”.

Për “shumë aspekte të partneritetit”, ai tha se diskutoi më 9 shtator në Beograd me një nga sekretarët e Partisë Komuniste të Kinës, Lin Vu.

Vu u takua edhe me zyrtarë të tjerë serbë, ndërsa me kryeministrin Millosh Vuçeviq vizituan punimet në një autostradë në veri të Serbisë, e cila është duke u ndërtuar nga një kompani kineze.

Në të njëjtën ditë, ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha në një forum të sigurisë në Kinë se Serbia, “në rrethana të paqëndrueshmërisë botërore, ka zgjedhur ta forcojë më tej bashkëpunimin me një mike të dëshmuar - Kinën”.

“Kjo nuk është për t’u habitur, marrë parasysh butësinë që Bashkimi Evropian ka treguar ndaj tendencës së Serbisë për t’u ulur në më shumë se një karrige”, thotë për Radion Evropa e Lirë Majda Ruge, nga Këshilli joqeveritar Evropian për Punë të Jashtme.

Për shkak të mbështetjes për Kinën dhe biznesit me këtë vend, Serbia është vazhdimisht në shënjestër të kritikave nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, pjesë e të cilit synon të bëhet.

Por, kjo nuk ka ndikuar në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Pekinit - të dyja vende që bien dakord për çështje të rëndësishme politike.

Kina, në njërën anë, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndërsa Serbia, në anën tjetër, mbron politikën e një Kine.

"Tajvani është Kinë": Vuçiq mirëpret Xinë në Serbi
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:11 0:00

“Miq të dëshmuar”

Daçiq, njëherësh zëvendëskryeministër i Serbisë, tha në Forumin për Sigurinë Publike në qytetin kinez, Lianjungang, se Beogradi dhe Pekini janë të lidhur nga një “miqësi e fortë”, e cila “është krijuar nga bashkëpunimi intensiv ekonomik, besimi dhe mirëkuptimi”.

Në ditën e forumit të sigurisë, Kina njoftoi për stërvitje të reja ushtarake me Rusinë.

Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi tha se stërvitjet e përbashkëta do të mbahen këtë muaj në rajonin e Detit të Japonisë dhe të Detit Okhotsk, në brigjet e Rusisë.

“Stërvitjet synojnë ta rrisin nivelin e bashkëpunimit strategjik midis ushtrive kineze dhe ruse, si dhe t’i forcojnë kapacitetet e tyre për të luftuar së bashku kundër kërcënimeve të sigurisë”, tha ministria kineze.

Në korrik, të dyja vendet kanë mbajtur stërvitje të përbashkëta në ujërat rreth provincës jugore kineze, Guangdong.

Manovrat janë mbajtur në javën kur udhëheqësit e NATO-s kanë paralajmëruar se Kina “është bërë një ndihmëse e madhe” në pushtimin rus të Ukrainës.

Marrëdhëniet mes Kinës dhe Perëndimit, pa ndikim në Serbi

Ashpërsimi i marrëdhënieve ndërmjet vendeve të Perëndimit liberal dhe regjimeve autoritare nga Lindja, pas pushtimit rus të Ukrainës, nuk ka ndikuar në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të Serbisë me Kinën dhe Rusinë, vlerëson për Radion Evropa e Lirë Stefan Vlladisavlev nga Fondi i Beogradit për Përsosmëri Politike.

“Por, nëse vazhdojmë të kemi ashpërsim të mëtejshëm të marrëdhënieve, Serbisë do t’i kërkohet të përcaktojë se cilat janë synimet e saj strategjike dhe orientimi i saj në zhvillimin e politikës së jashtme”, shton ai.

Zyrtarët e Serbisë dhe të Kinës e konfirmojnë “miqësinë e fortë” mes tyre me një sërë projektesh infrastrukturore dhe të tjera që Kina është duke i zhvilluar në Serbi.

Serbia është një nga vendet e nismës “Brezi dhe Rruga”, që është një projekt shtetëror i Kinës, i iniciuar nga presidenti Xi Jinping, me qëllim depërtimin e vendit të tij në Perëndim.

Vazhdimi i bashkëpunimit ekonomik

Derisa Daçiq ishte në Kinë, zyrtarët në Beograd pritën më 9 shtator Lin Vunë, sekretar i Komitetit të Partisë Komuniste të provincës Shandong.

Ky ishte vetëm njëri prej disa takimeve të zyrtarëve më të lartë të Serbisë me përfaqësues të sistemit njëpartiak kinez.

Vuçiq tha se ka biseduar me Vunë për projektet aktuale, për bashkëpunimin në të ardhmen, si dhe për planet në fushën e zhvillimit dhe modernizimit të infrastrukturës.

Vu dhe Vuçeviq vizituan punimet në ndërtimin e autostradës në pjesën veriore të Serbisë, e cila lidh Beogradin, qytetin industrial, Zrenjanin, dhe qytetin e dytë më të madh të Serbisë, Novi Sad.

Ky është projekti i parë në kuadër të Marrëveshjes për Bashkëpunim Ekonomik dhe Teknik ndërmjet Kinës dhe Serbisë në fushën e infrastrukturës, i cili është planifikuar dhe hartuar nga një kompani kineze.

Pse projektet kineze janë të diskutueshme?

Zyrtarët serbë paralajmëruan edhe hapjen e fabrikës së gomave të makinave të kompanisë kineze, Linglong, e cila gjatë ndërtimit u përball me dyshime për shfrytëzimin e punëtorëve.

Kryeministri i Serbisë tha se fabrika e gomave është një investim i rëndësishëm për Serbinë dhe se pritet që “të zbatohen standardet më të larta mjedisore”, si dhe “mbrojtja e të drejtave të punëtorëve”.

“Shteti, pavarësisht nga miqësia jonë e çeliktë, pavarësisht nga e ardhmja jonë e përbashkët, duhet të kontrollojë zbatimin e standardeve më të larta mjedisore dhe, mbi të gjitha, mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Aty duhet të vendosim rregulla të barabarta për të gjithë”, tha Vuçeviq.

Përmes një rezolute në vitin 2021, Parlamenti Evropian kërkoi hetime nga Serbia, për shkak të dyshimeve për shfrytëzim të punëtorëve të angazhuar në ndërtimin e fabrikës Linglong - gjë të cilën kompania e mohoi.

Projektet kineze në Serbi shkaktuan shqetësim te parlamentarët evropianë edhe për shkak të mungesës së transparencës në lidhje me ndikimin e tyre në mjedis.

Me investimet kineze janë duke u ndërtuar projekte të ndryshme infrastrukturore në Serbi - autostrada, ura, hekurudha e termocentrale.

Me kalimin e viteve, Kina është bërë partnerja e dytë më e rëndësishme tregtare e Serbisë, pas Gjermanisë, kryesisht me blerjen e Hekurores në Smederevë dhe të minierave të bakrit dhe arit në Bor.

Por, në të njëjtën kohë, edhe huamarrja e Serbisë nga Kina është në rritje.

Një burrë valëvit flamujt kinezë dhe serbë gjatë vizitës së presidentit kinez, Xi Jinping, në Serbi, 8 maj 2024.
Një burrë valëvit flamujt kinezë dhe serbë gjatë vizitës së presidentit kinez, Xi Jinping, në Serbi, 8 maj 2024.

Pa një reagim “më të ashpër” nga Brukseli

“Nëse Evropa e konsideron seriozisht orientimin e saj gjeostrategjik, duhet të merret më me vendosmëri me këtë marrëdhënie [të Serbisë dhe Kinës] dhe të kërkojë llogari nga Serbia”, thotë Ruge nga Këshilli Evropian për Punë të Jashtme.

Serbia ka qenë cak i kritikave nga Brukseli për mbështetjen e saj për Kinën, duke votuar kundër deklaratave që e dënojnë trajtimin e ujgurëve në provincën kineze të Ksinjiangut.

Qeveria serbe, po ashtu, ka tërhequr vëmendjen e Uashingtonit dhe të Brukselit kur ka blerë më herët dronë dhe sisteme të mbrojtjes kundër raketave nga Kina, si dhe kur ka blerë mijëra sisteme vëzhgimi me aftësi për njohjen e fytyrës nga Huawei kinez.

Një reagim më i ashpër ndaj zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve Serbi-Kinë mungon dhe nuk duhet të pritet për disa arsye, thotë Vlladisavlev nga Fondi i Beogradit për Përsosmëri Politike.

“Pozicioni zyrtar i BE-së në raport me Kinën, është pozicioni i uljes së rrezikut. Masat dhe vendimet kanë shkuar në drejtim të kufizimit të ndikimeve negative në BE dhe në asnjë rast nuk i janë referuar prishjes së plotë të marrëdhënieve”, thotë ai.

Një arsye tjetër, sipas tij, është se edhe brenda vetë BE-së nuk ka një qasje të unifikuar për zhvillimin e marrëdhënieve me Kinën.

“Vendet si Franca dhe Gjermania, ekonomia e të cilave varet shumë nga vendosja e mallrave në tregun kinez, por edhe nga mallrat kineze që vijnë në tregjet e tyre, nuk janë të gatshme të marrin pozicione më të ashpra ndaj Pekinit dhe kështu ia lidhin duart edhe BE-së”, thotë Vlladisavlev.

Serbia i ka forcuar marrëdhëniet e saj me Kinën prej se Partia Përparimtare Serbe (SNS) e Aleksandar Vuçiqit ka marrë pushtetin në vitin 2012.

Presidenti kinez, Xi Jinping, ka vizituar Beogradin në maj të këtij viti, për herë të dytë në dhjetë vjet.

Në vitin 2016, Kina dhe Serbia kanë nënshkruar një deklaratë për partneritet strategjik dhe, shtatë vjet më vonë, një marrëveshje për tregtinë e lirë.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG