Ndërlidhjet

Netanyahu i vendosur ta pushtojë Rafahun “me apo pa marrëveshje” për pengjet


Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu. 18 shkurt, 2024.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu. 18 shkurt, 2024.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u zotua se do të nisë pushtimin e qytetit jugor të Gazës, Rafah, ku qindra mijëra palestinezë po strehohen për shkak të luftës që nisi pothuajse shtatë muaj më parë.

Njoftimi i Netanyahut u bë më 30 prill, teksa bisedimet për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – kanë marr hov.

Këto deklarata Netanyahu po ashtu i bëri disa orë para se sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të nisë vizitën në Izrael. Kjo vizitë synon të avancojë bisedimet për një armëpushim, teksa duket se po zhvillohen një prej rundeve më serioze të negociatave mes Izraelit dhe Hamasit që nga nisja e luftës. Marrëveshja e armëpushimit, që është propozuar, parasheh lirimin e pengjeve, lehtësimin e situatës për popullsinë dhe ndalimin e nisjes së një ofensive izraelite në Rafah, që potencialisht mund të shkaktojë dëme të mëdha te civilët.

Duke folur me një grup të familjarëve dhe organizatave që përfaqësojnë familjarët e pengjeve që po mbahen nga Hamasi, Netanyahu tha se Izraeli do të hyjë në Rafah për të shkatërruar batalionet e Hamasit pavarësisht nëse arrihet ose jo një marrëveshje për lirimin e pengjeve.

“Ideja që ne do të ndalim luftën para se të arrijmë të gjitha synimet tona bie poshtë”, tha Netanyahu.

“Ne do të hyjmë në Rafah dhe do të eliminojmë batalionet e Hamasit me apo pa marrëveshje dhe do të arrijmë fitoren e plotë”, shtoi ai, sipas deklaratës së publikuar nga zyra e tij.

Netanyahu është përballur me presion nga partnerët nacionalistë të Qeverisë që të mos pranojë një marrëveshje e cila do t’ia pamundësonte Izraelit që ta pushtojë Rafahun, pasi që Izraeli konsideron se ky qytet është bastioni i fundit i Hamasit. Qeveria e tij do të rrezikohej nëse ai do të pajtohej me një gjë të tillë.

Por, me mbi gjysmën e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës që po strehohen në Rafah, komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë paralajmëruar Izraelin që të mos kryejë ofensivë në këtë qytet dhe të rrezikojë civilët.

Lufta në Gazë nisi pasi më 7 tetor Hamasi sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Izraeli thotë se grupi radikal palestinezë ende po mban afër 100 pengje, përfshirë mbetjet mortore të më shumë se 30 personave.

Ofensiva izraelite në Gazë ka vrarë më shumë se 34.000 palestinezë, sipas zyrtarëve lokalë shëndetësorë. Lufta ka detyruar 80 për qind të popullatës së Gazës që të largohen nga shtëpitë e tyre, ka shkaktuar shkatërrim të madh dhe ka shtyrë banorë në veri të enklavës buzë urisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG