Ndërlidhjet

“Energjia e të rinjve në Kosovë duhet të shfrytëzohet patjetër”


Disa të rinj duke u socializuar përgjatë organizimit të Bienales Evropiane Nomade – Manifesta në Prishtinë. Fotografi nga arkivi.
Disa të rinj duke u socializuar përgjatë organizimit të Bienales Evropiane Nomade – Manifesta në Prishtinë. Fotografi nga arkivi.

Në muajin mars, Benjamin Kolenoviq, e ka ndarë me publikun lajmin se është përfshirë në listën e revistës amerikane Forbes 30 under 30.

Revista rendit në këtë listë 600 sipërmarrës, liderë dhe yje në rritje në botë, që janë nën moshën 30-vjecare.

Puna e Benjaminit është vlerësuar në sektorin e medias dhe marketingut.

Benjamini, 28-vjeçar, është themelues dhe udhëheqës i agjencisë së marketingut, Growzillas, e cila është hapur më 2020, dhe tani ka 150 klientë në Kosovë, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.

Ai beson se mund të bëjë revolucion në marketingun digjital.

Në edicioni më të ri të podkastit Të flasim, kemi biseduar me të për rrugën drejt suksesit, për sfidat deri te hapja e kompanisë së tij, për menaxhimin, pse e ka zgjedhur marketingun digjital, si dhe për vendimin që të kontribuojë në Kosovë.

Dëgjojeni podkastin e plotë edhe në Spotify, Google Podcast dhe iTunes.

"Mund t’i jap shumëçka Kosovës”: Benjamini, i riu që e synon revolucionin në marketingun digjital
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:20:40 0:00

Më poshtë do të mund të gjeni një pjesë të bisedës që e kemi realizuar me të.

Radio Evropa e Lirë: Benjamin, ju jeni renditur në listën 30 under 30 të revistës Forbes. A na e përshkruani pak këtë rrugëtim?

Benjamin Kolenoviq: Ka qenë një udhëtim profesional diku rreth 10 vjet për të arritur deri te renditja Forbes 30 under 30, duke marrë parasysh që unë e kam nisur punën diku në moshën 18-vjeçare. Renditja këtu është kryekëput rezultat i arritjeve që i kemi pasur me kompaninë Growzillas. Punën që e kam bërë bashkë me ekipin, me partnerin tim. Unë kam qenë student i shkencave kompjuterike. Gjithmonë më ka pëlqyer matematika. Nuk është që jam marrë me informatikë, apo shkenca kompjuterike.

Sidoqoftë, prindërit e mi kanë insistuar që t’i kryej studimet për shkenca kompjuterike, duke thënë se ka perspektivë si profesion. Kam nisur studimet dhe po atë vit kam nisur të punoj si praktikant në kompaninë Hidrodrini në Pejë. I kam ndjekur studimet me rregull, por nuk është që më ka ngjitur diçka me programimin. Në një pikë, e dashura ime më ka rekomanduar që të ndjek një trajnim për marketing digjital, duku para 8-9 viteve. E kam ndjekur trajnimin dhe gjithçka ka filluar aty.

Radio Evropa e Lirë: Tani ju drejtoni një kompani, Growzillas. Na tregoni pse vendoset ta hapnit kompaninë, për sfidat deri të konsolidimi i biznesit?

Benjamin Kolenoviq: Kur e kam përfunduar trajnimin, kam nisur të bëj disa punë. Fillimisht kam nisur të bëjë optimizimin e një faqeje për oferta pune. Kur kam arritur te një rrogë e konsiderueshme, diku rreth 1.000 euro, kam thënë se tash dua të mësoj ‘pay-per-click’, sepse jam zotuar se dua ta mësoj gjithë marketingun digjital. Si jam bërë dikush në një fushë, e kam nisur tjetrën nga zeroja. Është një vajzë me ndikim në rrjete sociale, Kenzas. Shumica e vajzave e njohin, sepse ka audiencë jashtëzakonisht të madhe të vajzave që e përcjellin në gjithë botë. Është gruaja më me ndikim në rrjete sociale në Skandinavi. Ajo ka treguar në Instagram se po i duhet një specialist për marketing digjital. Unë ju përgjigja dhe i thashë ‘ja ku jam’.

Prej aty kam nisur të punoj me të. Ajo e ka krijuar një brend edhe unë e kam menaxhuar gjithë pjesën e Skandinavisë. Ajo ka qenë për mua një pikë kthese, për punën në rrjetet sociale, sepse kam punuar me një audiencë të madhe, me një buxhet të madh, me konsulentë jashtëzakonisht me përvojë dhe aty kam mësuar shumë. Më pas, më 2019 kam kaluar në kompani vendore. Si kam kaluar aty, e kam kuptuar që kam shumëçka për të dhënë dhe më është rritur vetëbesimi dhe oreksi që t’i jap më shumë tregut të marketingut digjital në Kosovë.

Me pagën e fundit që e kam pasur në kompaninë paraprake, kam vendosur ta hapi kompaninë Growzillas. Sfidat kanë qenë të shumta, fillimisht pasiguria financiare, prindërit në moshë, kanë qenë financiarisht të varur nga unë, më pas ballafaqohesha me komente si ‘hajt se ne nuk jemi njerëz të biznesit’, por unë kam qenë shumë i qartë në rrugën time, në punë që dua ta bëj, që me ekipin duam të bëjmë revolucion në botën e marketingut digjital.

Radio Evropa e Lirë: Sa punëtorë i ka tani Growzillas?

Benjamin Kolenoviq: Për momentin i kemi diku rreth 35 punëtorë. Shumica prej tyre jemi në zyrën në Prishtinë. E kemi hapur një zyrë të vogël në Frankfurt, e kemi edhe një zyrë të vogël në Nju Jork. Shumicën e klientëve i kemi nga Shtetet e Bashkuara. Mosha mesatare e ekipit është rreth 23 vjeç. Mbi 80 për qind e stafit është e gjinisë femërore. E kemi një demografi që, në shikim të parë do të mund të paragjykohej, mirëpo edhe pse të rinj, ne kemi arritur që shumë shpejt të kyçemi në tregun vendor, por edhe atë ndërkombëtar.

Radio Evropa e Lirë: Të flasim edhe për mbështetjen e fillimit sepse është kyçe. Çka duhet të dinë të rinjtë që dëshirojnë ta marrin këtë hap në fushën që u intereson?

Benjamin Kolenoviq: Ne kemi pasur vazhdimisht ngritje-zbritje. Ne jemi ballafaquar me dy sfida. E para ka qenë tregu i Kosovës, e dyta ka qenë marketingu digjital, sepse është shumë fushë e re. Secila kompani e marketingut digjital operon ndryshe. E neve na është dashur të krijojmë edhe mënyra të reja sesi t’i qasemi tregut, si të komunikojmë me audiencën. Kushtet për nisje të një biznesi të ri, në fushat si inteligjenca artificiale, marketingu digjital, zhvillim softueri, e të ngjashme janë të mëdha. Kosova i ka të gjitha kushtet ideale. E ka rininë. Rinia, edhe nëse nuk i ka aftësitë teknike, ka aftësi që të mësojë shumë shpejt. Te ne, një koleg i ri që na bashkëngjitet, për tre muaj mund të nisë të punojë me klientët. Qeveria i ka bërë disa politika që neve na ndihmojnë shumë në eksportim të shërbimeve. Jemi të liruar nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për të gjitha faturat që lëshojmë jashtë Kosovës. Jemi të ekspozuar ndaj gjithë botës. Vetëm na duhet t’i mbledhim të gjitha përfitimet dhe të ecim tutje.

Radio Evropa e Lirë: Ju vendosët ta hapnit biznesin tuaj në Kosovë, pavarësisht mundësive që ndoshta i keni pasur edhe jashtë shtetit.

Benjamin Kolenoviq: Unë kam pasur mundësi që, edhe me punë, edhe personalisht, të udhëtoj në shumë vende të botës. Energjia të cilën e posedon rinia në Kosovë, duhet të shfrytëzohet patjetër. Ne e kemi ekipin shumë të ri. Energjia në zyre te ne është jashtëzakonisht e mirë. Ne e kemi krijuar në automatizim për procese të marketingut digjital – në të cilin jemi duke punuar që dy vjet. Ne e kemi përfshirë inteligjencën artificiale në kuadër të automatizimit tonë. Ky automatizim është unik në gjithë botën e marketingut digjital. Nuk është asnjë agjenci në botë, që ka arritur të bëjë diçka të tillë. Falë këtij automatizimi, ne kemi arritur të shfaqemi edhe në Forbes 30 undër 30. Kemi marrë çmime edhe nga kompania botërore e auditimit, Deloitte. Krejt kjo nuk mendoj që do të ishte fare e mundshme, nëse do të ishim në një shtet perëndimor, ku gjithçka është shumë më e institucionalizuar, qoftë në biznese të reja, qoftë në korporata.

Radio Evropa e Lirë: Si është një ditë në Growzillas?

Benjamin Kolenoviq: Rreth orës 09:00 shkojmë në zyrë. Rreth gjysmë ore i kemi ato muhabetet me njëri-tjetrin. Në orën 09:30, i nisim takimet e rregullta të mëngjesit. Aty flasim për performancën e klientëve. Në bazë të gjetjeve nga takimi i mëngjesit – që zgjat rreth 20 minuta – i kontaktojmë klientët që besojmë se duhet të kontaktohen. Më pas nisim punën, i implementojmë ndryshimet që duhet bërë, sipas kërkesës së klientit, realizojmë fushtata të ndryshme. Në fund të ditës e bëjmë një analizë të performancës. Në orën 17:00, e kemi vendosur në kosh në zyrë, dhe po luajmë baskeboll aty për qejf, edhe në 17:30, secili shkon në shtëpinë e vet.

Radio Evropa e Lirë: Po tentoni të ruani balancën mes punës dhe pjesës tjetër të jetës, që është, po ashtu, e rëndësishme.

Benjamin Kolenoviq: Unë nuk jam shumë i disiplinuar te aktivitetet fizike dhe aty më duhet të punoj me veten. Sidoqoftë te orari i punës jam jashtëzakonisht i disiplinuar. Nuk ndodh asnjëherë që të punoj mbi 10 orë. Mesatarisht punoj 8-9 orë në ditë. Duhet t’i japim shumë vëmendje trupit edhe mendjes. Unë i kam pasur disa momente, në fillimet e mia, që kam dashur shumë gjëra t’i arrij për kohë të shkurtër dhe nuk e kam dëgjuar trupin. Më vonë kam pasur probleme shëndetësor dhe tani i inkurajoj të gjithë që fillimisht të keni në fokus shëndetin fizik dhe mendor, sepse ne bëjmë gjithçka që të ndihemi më mirë. E nëse nuk ndihemi mirë, pavarësisht arritjes që e bëjmë, nuk ka kuptim.

Radio Evropa e Lirë: Ju e përmendet demografinë e Kosovës, të rinjtë, potencialin e tyre, atmosferën e mirë në zyrën tuaj, por çka i inkurajoni të rinjtë e Kosovës, që ndoshta ende nuk kanë vendosur për profesionin e tyre. Për çka ka nevojë tregu i Kosovës?

Benjamin Kolenoviq: Të rinjve u rekomandoj trajnime të ndryshme. Ekzistojnë edhe video në YouTube. Ju sugjeroj që të fillojnë të hulumtojmë edhe të krijojnë njohuri bazike, qoftë për inteligjencë artificiale, marketing digjital e të ngjashme. Të rinjve të grup-moshës 18 deri në 21 vjeç u them që të aplikojnë sa më shumë për punë praktike, të aplikojnë në sa më shumë programe për ndërtim të karrierës.

Po vërej shumë mungesë të vetëbesimit te të rinjtë. Ata duhet ta kenë parasysh që kur hapim thirrje për praktikantë, ne nuk po e presim dikë me eksperiencë, as dikë që di ta bëjë punën. Ne kërkojmë dikë që nuk di të bëjë punën, por që tregon vullnet, pasion, energji për të mësuar për diçka specifike që ne jemi duke kërkuar. Edhe neve na konvenon, edhe investojmë në rini.

Unë kam mbajtur trajnime në pesë vjetët e fundit në Qendrën e Inovacionit në Kosovë (ICK) dhe tani i kemi mbi 500 persona të certifikuar. Shumica prej tyre janë të punësuar në fushën e marketingut digjital. Për vitin 2023 jam zotuar që do të punoj shumë që të rris edhe më shumë numrin e personave të certifikuar në këtë fushë dhe do t’i ndihmojmë shumë Kosovës që të zhvillojë fushën e marketingut digjital dhe zhvillimin e fuqisë punëtore në këtë sektor.

Përveç trajnimeve në ICK do të nisim trajnime edhe në Growzillas Academy. Është diçka e re në kompaninë tonë. Do t’i ofrojmë 5-6 trajnime të ndryshme, të cilat do të jenë me çmim simbolik, por do të jenë jashtëzakonisht shumë ndihmesë për gjeneratat e reja, që të kyçen në marketing digjital.

XS
SM
MD
LG