Ndërlidhjet

BE: Është thelbësore për Kosovën ta formojë shpejt Qeverinë e re


Flamuri i Bashkimit Evropian brenda ndërtesës së Këshillit Evropian në Bruksel, 17 qershor 2024.
Flamuri i Bashkimit Evropian brenda ndërtesës së Këshillit Evropian në Bruksel, 17 qershor 2024.

Bashkimi Evropian ka thënë se është thelbësore për Kosovën ta formojë sa më shpejt Qeverinë e re, pasi vendi ka ngecur në përpjekje për formimin e institucioneve të reja më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare.

“Formimi i shpejtë i Qeverisë është thelbësor për Kosovën për t’i çuar përpara reformat e rëndësishme në të gjithë sektorët, të cilat do ta përmirësojnë cilësinë dhe kushtet e jetës për popullin e Kosovës”, tha Zyra e BE-së në Prishtinë në një përgjigje të shkruar për Radion Evropa e Lirë të premten.

Ajo tha se BE-ja po i ndjek nga afër zhvillimet lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, dhe shpreson se ky proces do të përfundojë së shpejti.

Kosova dështoi ta konstituojë Kuvendin e ri dy herë brenda kësaj jave, për shkak të mosmarrëveshjeve procedurale mes partive politike që siguruan ulëse në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Nuk është e qartë nëse mosmarrëveshjet mes partive parlamentare do të zgjidhet para mbajtjes së vazhdimit të seancës së ndërprerë të enjten, e caktuar për të shtunën e 19 prillit.

Video: Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës nuk u konstitua as në përpjekjen e dytë.

Të shtunën për tentimin e tretë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:26 0:00

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) këmbëngulin që anëtarët e Qeverisë, të cilët janë zgjedhur deputetë, të japin dorëheqje, përndryshe nuk do ta votojnë raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve, hap që duhet të kalohet për vazhdimin e konstituimit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.

Por, kreu i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, thekson se një akt i tillë formal është i panevojshëm, për shkak se ekzekutivi është në detyrë, apo dorëheqje që nga 23 marsi.

Shpjegojmë: A është e nevojshme që Albin Kurti dhe ministrat e tij të japin dorëheqje kur mandati i tyre përfundoi në mars?

A duhet të japin dorëheqje Kurti dhe ministrat pasi mandati iu ka përfunduar? A duhet të japin dorëheqje Kurti dhe ministrat pasi mandati iu ka përfunduar?
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:03:07 0:00

Të enjten, ambasadorët e Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë në Prishtinë u bënë thirrje partive politike të bashkëpunojnë për tejkalimin e pengesave për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.

PDK, LDK dhe AAK fajësuan LVV-në se me ndërprerjen e seancave po tenton "të blejë kohë për pazare politike", pasi sipas tyre, partia e Albin Kurtit nuk i ka votat për të zgjedhur kryeparlamentarin e as Qeverinë.

Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës.

Por, asaj i nevojitën të paktën 61 ulëse për ta formuar qeverinë e re.

Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.

AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit.

Kreu i Nismës, Fatmir Limaj, ka qenë i vetmi që e ka lënë të hapur mundësinë për bashkëpunim me Kurtin nga partitë tjera shqiptare.

Kurti i kishte takuar javën e kaluar edhe liderët e 10 partive të pakicave joserbe në përpjekje për t’i siguruar votat e nevojshme për formimin e Qeverisë së re, por nuk është e qartë ende nëse e ka mbështetjen e të gjitha atyre.

Zyra e BE-së tha se blloku është i gatshëm për të punuar ngushtë me qeverinë e ardhshme, sapo të formohet ajo, dhe për të vazhduar mbështetjen e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG