Ngecja në procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, është një nyje e patejkalueshme, sepse mungon vullneti politik dhe ekziston dëshira për keqinterpretim të ligjeve dhe Kushtetutës.
Kështu thotë profesori i Sociologjisë dhe njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, në intervistë për Radion Evropa e Lirë, pasi që deputetët e zgjedhur të Kuvendit nuk e arritën të tejkalojnë procedurat që çojnë drejt betimit të tyre për legjislaturën e nëntë, e cila ka dalë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Ai thotë se sjellja e partive politike është zhgënjyese dhe irrituese, sepse nuk kanë vullnet politik për gjetjen e një zgjidhjeje.
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës këmbëngulin që anëtarët e Qeverisë, të cilët janë zgjedhur deputetë, të japin dorëheqje. Ndërkohë, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar se një akt i tillë formal është i panevojshëm për shkak se ekzekutivi është në detyrë apo dorëheqje që nga 23 marsi.
Sipas Muhaxhirit, ngecja në konstituimin e Kuvendit po bëhet qëllimshëm nga partitë politike, sepse me konstituimin e legjislativit do të hapej rruga për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Ngecja e konstituimit të Kuvendit “nyje e patejkalueshme”
Radio Evropa e Lirë: Profesor Muhaxhiri, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, dështuan sërish të tejkalojnë ngecjen në procesin e konstituimit të legjislativit. Si e komentoni ju këtë situatë?
Artan Muhaxhiri: Kjo është një situatë për keqardhje maksimale. Është tepër zhgënjyese, irrituese, që politikanët, të cilët e kanë marrë besimin e qytetarëve të sillen në këtë mënyrë kaq të papërgjegjshme.
Nuk kanë aspak vullnet për bashkëpunim dhe as për gjetje të zgjidhjes dhe sipas të gjitha gjasave, mundësia e vetme është që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, sepse vetëm ajo, si instanca e fundit, mund ta marrë një verdikt për zhbllokimin e gjendjes aktuale.
Radio Evropa e Lirë: Për të miratuar raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, gjë që do të hapte rrugën për betimin e deputetëve, partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë këmbëngulin që anëtarët e Qeverisë, të cilët janë zgjedhur deputetë, të japin dorëheqje. Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar se ekzekutivi është në detyrë apo dorëheqje që nga 23 marsi, kur ka përmbushur mandatin katërvjeçar. A është kjo nyje e patejkalueshme edhe politike, apo siç e thatë, duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese?
Artan Muhaxhiri: Kjo është një nyje e patejkalueshme sepse mungon vullneti politik dhe ekziston dëshira për keqinterpretim të ligjeve dhe Kushtetutës. Ligji është i qartë. Pra, përtej ligjit, është një aspekt edhe moral, që në momentin kur certifikohen rezultatet e zgjedhjeve të reja [nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve] të mos ketë mundësi për vendimmarrje nga një Qeveri, e cila është zgjedhur nga legjislatura e kaluar.
Legjislaturat janë të ndërlidhura në mes veti. Qeveria është zgjedhur nga deputetët e vitit 2021 dhe vetëm atyre u jepet llogari. Ideja është që nuk mund të ketë vendimmarrje nga një Qeveri, e cila nuk e ka bazën për llogaridhënie tek ata deputet, të cilët e kanë zgjedhur atë.
Është krejtësisht i pakuptueshëm ky zell dhe kjo dëshirë e Kurtit që të hyjë në një betejë të plotë me institucionet e Kosovës, por edhe me logjikën e shëndoshë juridike, sepse ky nuk është imazh i mirë edhe për të, pasi një kryeministër, i cili do t’i respektonte institucionet do të duhej të sillej në një mënyrë tjetër. Pra, nuk ka asnjë logjikë që ai të qëndrojë ende në zyrën e tij edhe pasi është certifikuar legjislatura e re.
Mungesa e vullnetit politik reflekton “qorrsokakun” në Kuvend
Radio Evropa e Lirë: Profesor Muhaxhiri, kemi parë që Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e zgjedhjeve, por edhe partitë e tjera shqiptare, e akuzojnë njëra-tjetrën për bllokim të këtij procesi të konstituimit të Kuvendit. A shihni mungesë të vullnetit politik për të tejkaluar situatën?
Artan Muhaxhiri: Është e qartë që Lëvizja Vetëvendosje as nuk dëshiron ta themelojë vet Qeverinë dhe as nuk lejon opozitën ta marrë këtë të drejtë, sepse sikur të ishte e kundërta, kjo punë tashmë do të përfundonte.
Ekziston një plan që të shkohet në limitet kushtetuese dhe një ide që të sfidohen të gjitha mundësitë e vonesave, në mënyrë që të krijohet një mjegullnajë, pasi kjo është mënyra e vetme, me të cilën do të mund të realizohej ky plan.
Pra, çdokush që i fiton zgjedhjet – në këtë rast zoti Kurti – gjëja më normale është që menjëherë t’i bëjë 61 deputetë dhe të konfirmohet, apo të rikonfirmohet në këtë rast, si kryeministër i ri dhe ta vazhdojë projektin politik edhe për një mandat të ri.
Mirëpo, në momentin kur nuk ekziston kjo dëshirë, atëherë tentohet që të gjenden mënyra nga më të ndryshme, që të keqinterpretohen ligjet dhe të sfidohen institucionet, në mënyrë që të kalohet në një kontekst krejtësisht të ri, në një terren krejtësisht të ri, dhe që vazhdimisht të gjendet alibi, arsye për bllokada të njëpasnjëshme.
Pra, jemi në një qorrsokak, sepse zoti Kurti nuk dëshiron që ta krijojë Qeverinë. Ndërsa, në anën tjetër, opozita nuk i ka votat, sepse në të kundërtën edhe ajo do të duhej të ishte më energjike në kërkimin e zgjidhjeve ligjore për të dalë nga kjo bllokadë krejtësisht e panevojshme, absurde dhe e dëmshme.
Bllokada “u konvenon partive për betejat politike”
Radio Evropa e Lirë: Ju po thoni që ky është motivi i partive politike për zvarritjen e konstituimit të Kuvendit?
Artan Muhaxhiri: Po, ekziston një ide që të viktimizohen edhe fituesit e zgjedhjeve edhe humbësit e tyre. Pra, zoti Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje tentojnë që ta fajësojnë PDK-në, LDK-në dhe AAK-në. Ndërsa, në anën tjetër këto tri parti e bëjnë të njëjtën gjë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe zotin Kurti.
Por, po e them sërish mbase zgjidhja e vetme është që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese sepse vendimet e saj janë të paapelueshme dhe është instanca më e rëndësishme e cila do të mund të jepte një verdikt ligjor, i cili do të mund të shndërrohej edhe në një precedent, njëjtë sikur me rastin e VLAN-it në vitin 2014.
Pra, që të krijohej një kontekst i ri dhe një zgjidhje e re, sepse me këtë vullnet negativ që e kanë, gjithë këtë energji destruktive të cilën e pamë edhe sot, kjo situatë mund të vazhdojë edhe për një kohë shumë të gjatë me fajësime reciproke të fituesit të zgjedhjeve dhe të palës tjetër.
Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, Gjykatës Kushtetuese kanë të drejtë t’i drejtohen Presidenca, Kuvendi i Kosovës dhe Avokati i Popullit. Në këtë rast, Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar. Si mund të shkohet deri te Gjykata Kushtetuese?
Artan Muhaxhiri: Mund ta bëjë ose presidentja [ e Kosovës, Vjosa Osmani] ose Avokati i Popullit. E kanë jo vetëm obligim ligjor, por edhe përgjegjësi morale që në bazë të kompetencave të tyre të bëjnë maksimumin për të dalë nga kjo bllokadë. Është në të mirën e shtetit të Kosovës, të qytetarëve të Kosovës që të mos iu lihet në dorë politikanëve të papërgjegjshëm, të cilët janë në gjendje ta bllokojnë shtetin për interesa të tyre dhe kësisoj të krijohet një bllokadë që u konvenon atyre për betejë politike, por është në dëm të zhvillimit të shtetit dhe shoqërisë kosovare.