Një mënyrë e mirë për të ilustruar marrëdhënien e mjegulluar të Bashkimit Evropian me Rusinë është përmes shqyrtimit të grindjeve diplomatike përpara krijimit të Strategjisë Globale të BE-së, një dokument politikash i përgatitur nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm më 2016, i cili thekson se si blloku mund t’i qaset disa pjesëve të botës.
Pjesa më e komplikuar lidhet me Rusinë. Strategjia është hartuar dy vjet pas aneksimit të Krimesë dhe mbështetjes së Moskës për separatistët në lindje të Ukrainës, prandaj ka pasur ndarje të qarta në mesin e 28 vendeve anëtare të bllokut evropian rreth asaj se si duhet konsideruar Moskën. Për një kohë të gjatë ka qenë “partnere strategjike”, term, të cilin shtetet si Hungaria, Italia, Qiproja dhe Greqia kanë pasur dëshirë të vazhdojnë ta mbajnë.
Mirëpo për vendet që gjenden afër brigjeve të Detit Baltik, një gjë e tillë ka qenë e papranueshme. Ata kanë dëshiruar që fqinji i tyre lindor të cilësohet “problem strategjk”, një term i përdorur së fundmi nga presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk. Në fund, përmes një kompromisi të ndërmjetësuar nga Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, është vendosur që Rusia të konsiderohet “sfidë strategjike”.
Kjo ngjarje jo vetëm që ka ndarë vendet anëtare të BE-së në tri kategori që ekzistojnë edhe sot, por ky fakt ka riforcuar një prej përparësive të mëdha të Kremlinit kur vjen puna e të përballurit me BE-në: mungesa e unitetit brenda bllokut i ofron Moskës mundësi që të krijojë përçarje kurdo që mundet.
Teksa institucionet e BE-së gjenden nën mëshirën e kryeqyteteve të vendeve anëtare sa i përket politikës së jashtme, shumica e syve janë drejtuar te Berlini, Parisi dhe Londra dhe rreth qasjes së tyre ndaj Moskës.
Britania ka lidhjet më të ftohta me Rusinë, pas incidenteve siç është sulmi ndaj Skripalëve dhe Pavel Litvinenkos. Në po të njëjtën kohë qyteti i Londrës mbetet një shesh lojrash financiare për oligarkët rusë dhe qarqet e biznesit britanik kanë hedhur poshtë dëshirën e autoriteteve për të vendosur sanksione më të ashpra ekonomike kundër Moskës. Përveç kësaj, edhe bisedimet për largimin e Britanisë nga BE-ja, kanë dobësuar ndikimin britanik në Bruksel. Sanksionet kundër katër personave, të akuzuar për kryerje të sulmit në Sallsbëri, kanë ndodhur 10 muaj pas incidentit. Krejt kjo është thënë të ketë ndodhur për shkak të pavendosshmërisë britanike, sipas disa diplomatëve me të cilët kam biseduar.
Francezët dhe gjermanët janë edhe më pragmatikë. Si palë të Bisedimeve të Normandisë, lidhur me konfliktin në lindje të Ukrainës, këto palë kanë rol tejet të rëndësishëm çdo gjashtë muaj kur vazhdohen sanksionet evropiane kundër Rusisë.
Derisa kjo është një nga çështjet e mëdha të politikës së jashtme, për të cilën këto shtete gjenden në ulëset e para në tavolinën e negociatave, ato po ashtu krenohen se kanë arritur të bindin disa shtete që konsiderojnë Rusinë “partnere”, për të vazhduar sanksionet për pothuajse pesë vjet kundër Moskës. Mirëpo rezistenca e tyre ndaj këtij shteti përfundon këtu.
Dyshimet e presidentit francez, Emmnauel Macron rreth Kremlinit për ndonjë frymëzim të mundshëm të lëvizjes së Xhaketave të Verdha, janë përballur me dëshirën e Macronit për ta kthyer Francën në investitorin më të madh në Rusi.
Ndërkohë mospëlqimi personal i kancelares gjermane, Angela Merkel ndaj presidentit rus, Vladimir Putin është në kundërshtim me përpjekjet e palodhshme të Berlinit për të siguruar ndërtimin e gazsjellësit Rrjedha Veriore 2 përmes Detit Baltik, pavarësisht kundërshtimeve të ashpra të disa vendeve të BE-së.
Diplomatët lindorë dhe ata nordikë në Bruksel kanë ngritur pyetje edhe privatisht për rolin e madh që ka luajtur Gjermania për mënyrën si është trajtuar Gazpromi në kohën kur Komisioni Evropian kishte pretendime se kjo kompani ka abuzuar me tregjet e brendshme të BE-së, ndërkohë që gjigantët amerikanë të teknologjisë, Apple dhe Google janë ndëshkuar me gjoba të mëdha.
Nën hijet e sistemit politik që bazohet në parime praktike dhe jo morale, shtetet që i përkasin grupit të “sfidës strategjike”, “partnerit strategjik” dhe “problemit strategjik” vazhdojnë ta luftojnë atë.
Në grupin e fundit, tri shtetet e Baltikut, së bashku me Danmarkën, Poloninë dhe Suedinë janë duke shtyrë përpara idenë për sanksione më të ashpra dhe më shumë ndihmë nga BE-ja për vendet siç janë Gjeorgjia dhe Ukraina. Mirëpo secilën herë ato janë duke u ndeshur me kundërshtimet e grupit të “partnerëve strategjikë”. Një dëshirë austriake, siç më është thënë nga disa diplomatë, për të ftuar, Sergei Lavrovin në një takim jozyrtar të ministrave evropianë për punë të jashtme tani është hedhur poshtë dhe tentimet italiane për të gjetur hapësira në regjimin e sanksioneve, të cilat janë parandaluar duke qenë më pak agresivë ndaj problemeve buxhetore të Romës, por edhe gjetja e një kompromosi për shprehjet e përdorura në një dokument të BE-së, ashtu që të shmanget vetoja e Hungarisë për të drejtat e një minoriteteti në Ukrainë, duket se janë pjesë një loje.
Kur është fjala për marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me Rusinë, kjo lojë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, teksa diskutohen konceptet nëse Kremlini është partner apo problem.