Ndërlidhjet

BE-ja thotë se veprimet e autoriteteve të Kosovës në veri rrezikojnë rritjen e tensioneve


Flamuri i Bashkimit Evropian brenda ndërtesës së Këshillit Evropian në Bruksel, 17 qershor 2024.
Flamuri i Bashkimit Evropian brenda ndërtesës së Këshillit Evropian në Bruksel, 17 qershor 2024.

Bashkimi Evropian ka thënë të premten se veprimet e ditëve të fundit të autoriteteve të Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri të vendit, rrezikojnë përshkallëzimin e tensioneve dhe dëmtojnë imazhin e Kosovës në botë.

Blloku evropian reagoi pak orë pasi Policia e Kosovës e mori në kontroll të premten një ndërtesë që përdorej nga Shërbimi Nacional për Punësim, i cili funksionon në kuadër të sistemit të Serbisë.

Aksioni i së premtes ishte pjesë e një sërë veprimesh të ndërmarra ditët e fundit, gjatë të cilave autoritetet e Kosovës kanë marrë nën kontroll ambientet e Ndërmarrjes Publike Komunale “Ujësjellësi Ibër”, të palestrës sportive, muzeut të qytetit dhe të disa institucioneve të tjera që funksionojnë në sistemin e Serbisë.

Autoritetet zyrtare të Prishtinës i cilësojnë ato si struktura paralele dhe të paligjshme.

BE-ja i bëri thirrje kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, ta ndalë mbylljen e institucioneve paralele serbe në veriun e banuar me shumicë serbe, të tregojnë përmbajtje dhe të shmangë masa që mund të çojnë në përshkallëzim.

“Jemi veçanërisht të shqetësuar për operacionet ndaj kompanisë ‘Vodovod Ibar’ në Mitrovicën e Veriut dhe ndaj impiantit të furnizimit me ujë dhe ndërmarrjes publike në Zubin Potok, të cilat ofrojnë shërbime publike themelore për komunitetet që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës”, thuhet në reagim.

BE-ja tha se veprimet “e njëanshme dhe të pakoordinuara” minojnë përpjekjet për ndërtimin e besimit ndërmjet komuniteteve.

Ajo kërkoi nga Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë “konstruktive” në dialogun e lehtësuar nga blloku për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe Aneksin e Zbatimit nga viti 2023, si dhe marrëveshjet e tjera të arritura në kuadër të këtij dialogu, “pa vonesa apo kushte të mëtejshme”.

“Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit/Komunitetit të Komunave me Shumicë Serbe. Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane për të dyja palët”, thuhet në njoftim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG