Ndërlidhjet

Mbyllet ujësjellësi në Mitrovicën e Veriut, Lista Serbe i shkruan faktorit ndërkombëtar


Heqja e tabelës së ujësjellësit në Mitrovicën e Veriut.
Heqja e tabelës së ujësjellësit në Mitrovicën e Veriut.

Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur sot ujësjellësin “Ibar” në Mitrovicën e Veriut, një kompani që funksiononte në kuadër të sistemit paralel serb.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se ky veprim u bë me kërkesë të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike të dikasterit qeveritar që ajo drejton.

“Ky është një hap konkret që i shërben sundimit të ligjit dhe funksionalizimit të shërbimeve publike nga institucionet e shtetit tonë”, shkroi ajo në Facebook.

Sipas Rizvanollit, në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar në janar të këtij viti, ndërmjet Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Mitrovica dhe Komunës së Mitrovicës së Veriut, “shërbimet e rregullta e më cilësore për qytetarët e Komunës së Mitrovicës së Veriut do të ofrohen nga KRU Mitrovica”.

Ndaj këtij veprimi ka reaguar Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – duke iu drejtuar komunitetit ndërkombëtar në Kosovë me një letër të hapur.

“Ky akt përfaqëson një tjetër në vargun e veprimeve të njëanshme dhe provokuese, të cilat në vend se të kontribuojnë në stabilizimin e situatës, thellojnë tensionet dhe shkaktojnë frikë të justifikuar tek popullata”, thuhet në këtë letër, drejtuar ambasadave të vendeve të QUINT-it, Bashkimit Evropian, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë - KFOR, të cilën kjo parti e ka shpërndarë për media.

“Qytetarët janë me të drejtë të shqetësuar për sigurinë dhe furnizimin e rregullt me ujë, veçanërisht të institucioneve shëndetësore dhe konvikteve studentore. Nëse veprime të tilla vazhdojnë, ekziston rreziku real për pasoja serioze humanitare dhe shëndetësore”, thuhet më tej në letër, ku u bëhet thirrje institucioneve ndërkombëtare të reagojnë.

Mbylljen e ujësjellësit e ka dënuar edhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka theksuar se ky institucion punëson mbi 80 punëtorë, “për të cilët Serbia do të vazhdojë të kujdeset”.

“Theksojmë se nuk bëhet fjalë për ndonjë ‘institucion paralel’, siç po përpiqen ta paraqesin autoritetet në Prishtinë, por për një ndërmarrje komunale, e cila, si e tillë, duhet të jetë pjesë e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili duhet të ketë kompetenca për ofrimin e shërbimeve komunale – dhe këtë Kurti e di shumë mirë".

Prishtina zyrtare i konsideron institucionet e Serbisë për komunat në Kosovë si paralele dhe ilegale, dhe ka nisur mbylljen e tyre në fillim të vitit 2024.

Deri më tani, për shkak të “aktivitetit të paligjshëm” ose “falsifikimit të dokumenteve” – siç e përshkruan Prokuroria e Kosovës punën e institucioneve serbe – janë mbyllur organet komunale të përkohshme, qendrat për punë sociale, Posta e Serbisë, Banka Kursimore Postare, Fondi i Sigurimit Pensional, Shërbimi Kombëtar i Punësimit dhe institucione të tjera.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG