Evropa do të investojë më shumë në siguri dhe do të jetë në krye të garancive të ofruara për Kievin, mirëpo bashkëpunimi me Uashingtonin për të arritur paqen është i domosdoshëm, kanë thënë liderët evropianë pas një takimi urgjent që kanë mbajtur të hënën në Paris, pak para nisjes së bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë lidhur me Ukrainën.
Presidenti francez, Emmanuel Macron i ka mbledhur liderët evropianë, pasi presidenti amerikan, Donald Trump është pajtuar që delegacione të Uashingtonit dhe Moskës të takohen në Arabinë Saudite, duke përjashtuar aleatët evropianë dhe Ukrainën prej këtyre zhvillimeve.
“Evropa është gati dhe e gatshme të angazhohet”, ka thënë shefi i NATO-s, Mark Rutte përmes një postimi në X – dikur Twitter, pas takimit.
“Të gatshëm të jemi në krye të garancive të sigurisë që ofrojmë për Ukrainën. Të gatshëm për të investuar shumë më shumë në sigurinë tonë”.
Macron ka thënë pas takimit se ka biseduar edhe me presidentin amerikan, Donald Trump dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Ne kërkojmë paqe të qëndrueshme në Ukrainë. Për të arritur këtë, Rusia duhet t’i japë fund agresionit dhe kjo duhet të përcillet me garanci të forta dhe kredibile të sigurisë për ukrainasit. Përndryshe, ekziston rreziku që ndonjë armëpushim do të përfundojë sikurse marrëveshjet e Minskut. Ne do të punojmë së bashku me të gjithë evropianët, amerikanët dhe ukrainasit. Ky është çelësi”, ka thënë Macron.
Presidenti amerikan, Donald Trump e ka tronditur Ukrainën dhe aleatët evropianë javën e kaluar, kur ka bërë të ditur se ka biseduar me presidentin rus, Vladimir Putin, për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë.
Çfarë thanë liderët tjerë?
Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka bërë thirrje për unitet mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara sa i përket përgjegjësisë dhe garantimit të sigurisë për Ukrainën.
“Nuk duhet të ketë ndasi për sigurinë dhe përgjegjësinë në mes të Evropës dhe SHBA-së”, ka thënë Scholz për gazetarët, pas mbajtjes së një samiti urgjent evropian në Paris.
“Me fjalë tjera, NATO-ja funksionon mbi faktin se ne veprojmë gjithmonë së bashku dhe ndajmë rrezikun, dhe kështu edhe garantojmë siguri. Kjo nuk duhet të vihet në pikëpyetje”, ka thënë mes tjerash Scholz.
Shefja e BE-së, Ursula von der Leyen, ka thënë pas takimit se liderët evropianë janë pajtuar në Paris që Ukraina meriton "paqe përmes forcës".
“Paqe duke respektuar pavarësinë e saj, sovranitetin, integritetin territorial, me garanci të forta të sigurisë. Evropa mban përgjegjësi të plotë për dërgimin e ndihmës ushtarake në Ukrainë. Në të njëjtën kohë, na duhet të rritje e mbrojtjes në Evropë”.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka thënë pas takimit se duhet të ekzistojnë garanci amerikane të sigurisë pas arritjes së paqes në Ukrainë, pasi ato janë e vetmja mënyrë për t’u siguruar që Rusia nuk do të sulmojë më Ukrainën.
Ai ka thënë se do të shkojë javën tjetër në Uashington për të takuar presidentin amerikan, Donald Trump dhe për të diskutuar “ata që i konsiderojmë elementë kyç për paqe afatgjatë”.
Starmer ka thënë se do të bisedojë edhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në ditët në vijim.
“Ne duhet ta pranojmë epokën e re në të cilën jemi, të mos endemi të pashpresë në të kaluarën. Është koha të marrim përgjegjësi për sigurinë tonë, për kontinentin tonë”, ka thënë ai, duke treguar se e ka bërë të qartë se Britania do të jetë në krye të përgjegjësisë.
Ai është pyetur nëse SHBA-ja e ka minuar rolin e Britanisë, Evropës dhe Ukrainës, duke nisur njëanshëm bisedime me Rusinë.
Starmer ka thënë se SHBA-ja është në kërkim të paqes afatgjatë, dhe atë e dëshirojnë edhe Britania, edhe aleatët evropianë, edhe Ukraina.
Sipas tij, është e rëndësishme që Ukraina të jetë në pozicionin më të fortë të mundshëm kur të nisin bisedimet.
Sipas tij, garancitë e sigurisë “duhet të jenë një pako e përkrahur nga SHBA-ja, sepse ndryshe nuk mendoj që do të shihen si garanci, meqë nuk do të jenë masë efektive parandaluese”.
I pyetur për garancitë amerikane, Starmer ka thënë se diskutimet janë në faza të hershme.
Starmer e ka përmendur sërish se Britania ka gatishmëri të angazhojë trupa në Ukrainë, në cilësinë e paqeruajtësve, nëse arrihet paqja.
Kancelari gjerman e ka quajtur shumë të hershëm diskutimin për dërgimin e forcave evropiane paqeruajtëse në Ukrainën.
“Jam pak i irrituar nga këto debate”, ka thënë Scholz pas takimit me liderët evropianë.
Sipas tij, ky diskutim nuk po bëhet në kohën e duhur, sepse ende nuk është arritur paqja, por Ukraina është në mesin e një lufte brutale të nisur nga Rusia.
Scholz ka thënë se është krejtësisht kundër dërgimit të ushtarëve në Ukrainë pa përfshirjen amerikane.
Zyrtarë të lartë amerikanë dhe rusë do të takohen të martën në Arabinë Saudite.
Këto diskutime të nivelit më të lartë në vjetët e fundit pritet të pasohen me një takim mes Trumpit dhe Putinit.
Princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman, është takuar të hënën me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio në Riad, me Këshilltarin për siguri kombëtare, Mike Waltz dhe të dërguarin amerikan për Lindje të Mesme, Steve Witkoff, si pjesë e ekipit negociator të SHBA-së.
Në anën ruse do të marrin pjesë ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov dhe Këshilltari për politikë të jashtme, Yuri Ushakov.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë se bisedimet do të përcaktojnë nëse rusët janë seriozë për bisedime të paqes.
Kremlini ka thënë se bisedimet do të fokusohen në “përmirësim të marrëdhënieve komplekse ruso-amerikane”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, që është për vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka thënë se nuk ka marrë ftesë për takime.
“Ukraina e konsideron secilën negociatë për Ukrainën, pa Ukrainën, pa asnjë rezultat dhe nuk mund të njohë asnjë marrëveshje për ne, pa ne”, u ka thënë ai gazetarëve.
I dërguari i Trumpit për Ukrainën, Keith Kellogg, ka thënë të shtunën se Evropa mund të mos ketë ulëse në tavolinën e negociatave.
Megjithatë, ai ka thënë të hënën para gazetarëve në Bruksel se në fund do të jetë Zelensky dhe populli i Ukrainës që do të vendosë nëse duhet pranuar marrëveshjen.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.