Ndërlidhjet

Austriakët votojnë teksa partia e së djathtës ekstreme synon fitore historike


Postere elektorale të kancelarit austriak, Karl Nehammer, shihen në një stacion tramvaji në Vjenë, Austri, 28 shtator 2024.
Postere elektorale të kancelarit austriak, Karl Nehammer, shihen në një stacion tramvaji në Vjenë, Austri, 28 shtator 2024.

Austriakë kanë filluar të votojnë mëngjesin e së dielës për ta zgjedhur Parlamentin e ri, ku partia e së djathtës ekstreme, Partia e Lirisë (FPO), synon ta korrë fitoren e parë në zgjedhje të përgjithshme në një garë të ngushtë me partinë konservatore në pushtet, Partia Popullore Austriake.

Fushatë zgjedhore u mbizotërua nga shqetësimet e votuesve për ekonominë dhe emigracionin.

FPO-ja kryesoi me muaj të tërë në sondazhet publike, por epërsia e saj ndaj partisë konservatore (OVP) është tkurrur pothuajse plotësisht, pasi kancelari Karl Nehammer e paraqiti veten si burrështetas dhe e përshkroi rivalin e vet, liderin e FPO-së Herbert Kickl, si një njeri të rrezikshëm dhe toksik.

Kushdo që i fiton këto zgjedhje nuk do të arrijë ta fitojë edhe shumicën në Parlament, sipas sondazheve, por do ta gëzojë të drejtën për ta udhëhequr koalicionin qeveritar.

Fitorja eventuale e së djathtës ekstreme frikëson migrantët në Austri
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:08 0:00

Qendrat e para të votimit u hapën në orën 7:00 dhe do të mbyllen në orën 17:00.

Rezultatet preliminare pritet të bëhen publike menjëherë pas mbylljes së votimit.

“Çështja është kancelari do emërohet nga radhët e FPO-së”, tha Katherin Stainer-Haemmerle, profesoreshë e shkencave politike në Universitetin Carinthia.

“Nëse ndodh kjo, atëherë më duhet të them se roli i Austrisë në Bashkimin Evropian do të jetë krejtësisht tjetër. Kickl ka thënë shpesh se [kryeministri i Hungarisë] Viktor Orban është shembull për t’u ndjekur për të dhe ai do ta mbajë këtë qëndrim”, shtoi ajo.

Fitorja e FPO-së do ta bënte Austrinë vendin më të fundit në BE që shënon rritje të mbështetjes për të djathtën ekstreme, pas vendeve si Holanda, Franca dhe Gjermania.

FPO-ja është euroskeptike dhe miqësore ndaj Rusisë, si dhe kritike ndaj islamit dhe është zotuar për rregulla të ashpra ndaj azilkërkuesve.

Ajo e mposhti OVP-në për më pak se një për qind në zgjedhjet për Parlament Evropian në Austri qershorin e kaluar.

OVP-ja, e cila sikurse FPO-ja mbështet rregulla më të ashpra për emigrantët, është partia e vetme e hapur për koalicion me partinë e së djathtës ekstreme.

Megjithatë, Nehammer thotë se partia e tij nuk do t’i bashkohet një qeverie pjesë e së cilës është edhe Kickl.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG