Ndërlidhjet

Tridhjetë vjet pas krijimit, Astana mbetet magnet për kazakët


Akorda (në qendër, me kupolë blu dhe majë të artë), rezidenca zyrtare e presidentit, bie në sy gjatë natës mes horizontit të Astanës.
Akorda (në qendër, me kupolë blu dhe majë të artë), rezidenca zyrtare e presidentit, bie në sy gjatë natës mes horizontit të Astanës.

Presidenti i Kazakistanit, Qasym-Zhomart Toqaev, thotë se Astana është “një qendër e rëndësishme e rajonit tonë gjeopolitik”, ndërsa urbanisti dhe blogeri rus, Ilya Varlamov, e cilëson atë si “një qytet të tmerrshëm e të papërshtatshëm për jetën [njerëzore]”.

Por, për rreth 1.5 milion njerëz - kryesisht me origjinë nga pjesë të tjera të Kazakistanit - kryeqyteti i vendit, Astana, është shtëpi.

Përse ata zgjodhën një qytet monolit, që u krijua vetëm 30 vjet më parë? Dhe, a mund ta shohin ndonjëherë veten duke e lënë atë?

Jo Nur-Sulltanit

Astana ka shumë përvjetorë të ndryshëm.

Por, fundjava e parë e korrikut ishte e rëndësishme, pasi shënoi 30 vjet që kur presidenti i atëhershëm, Nursultan Nazarbaev, ndërmori nismën për themelimin e kryeqytetit kombëtar mbi një qytet provincial, të quajtur Akmola e të themeluar në vitin 1830.

Nazarbaev ua paraqiti propozimin ligjvënësve në një seancë të Sovjetit Suprem në kryeqytetin e atëhershëm, Almati, më 6 korrik të vitit 1994.

Ai u pranua, megjithëse jo pa disa kundërshtime në Rusi, ku vendimi u pa si përpjekje për të kundërshtuar ndikimin e mundshëm të Moskës te popullatat rusishtfolëse, që jetojnë në anën e Kazakistanit të kufirit më të gjatë tokësor në botë.

Përpjekja për ta bërë Astanën kryeqytet u finalizua tre vjet më vonë dhe në vitet që pasuan qyteti mbajti vulën e presidentit të parë, madje duke e shënuar edhe ditëlindjen e tij në të njëjtën ditë me të - 6 korrik.

Por, tani, duket se po e tejkalon krijuesin e tij.

Kjo vjeshtë do të shënojë përvjetorin e dytë që Astana do të quhet përsëri Astanë, pasi trazirat më të këqija politike të vendit - në fillim të vitit 2022 - luajtën rol në nxitjen e zyrtarëve që të hiqnin dorë nga emri Nur-Sulltan, i cili iu dha kryeqytetit për nder të Nazarbaevit.

Riemërtimin më 2019 e propozoi vetë Toqaev, për ta lavdëruar njeriun që po shkonte për ta zëvendësuar.

Por, vetëm tre vjet më vonë, ai e miratoi heqjen dorë prej këtij emërtimi, pasi Nazarbaev nuk ishte më popullor.

Pra, nuk është çudi që kryeqyteti i Kazakistanit ka rekord botëror në Librin Guinness për kryeqytetin me më shumë ndryshime emri në kohët moderne.

Presidenti i Kazakistanit, Qasym-Zhomart Toqaev (majtas) dhe paraardhësi i tij, Nursultan Nazarbaev (foto nga arkivi).
Presidenti i Kazakistanit, Qasym-Zhomart Toqaev (majtas) dhe paraardhësi i tij, Nursultan Nazarbaev (foto nga arkivi).

Në vitin 2019, Toqaev shënoi festën zyrtare të Astanës duke e vlerësuar atë si “mishërim të gjallë të sukseseve të Kazakistanit” dhe produkt të “vullnetit dhe vendosmërisë” së mentorit të tij veteran, por, këtë vit, ai ia la urimet kryebashkiakut Jenis Qasymbek, i cili nuk e përmendi fare arkitektin kryesor të qytetit, tani 84-vjeçar.

Rinat Balgabaev, regjisor dhe specialist i komunikimeve, i njohur për humorin e tij satirik në internet, ishte në mesin e banorëve të shumtë të kryeqytetit që festuan ripagëzimin e Astanës në vitin 2022.

“Jam çmendur sa herë që kam parë [Nur-Sulltanin] në një dokument zyrtar”, kujton Balgabaev, i cili u zhvendos në Astanë nga qyteti verior i Pavlodarit më shumë se një dekadë më parë, për të përfaqësuar një agjenci reklamash me bazë në Almati, për të cilën punonte nga distanca.

“Nuk mund t’ia shkruaja emrin. Nëse zyrtarët që takoja më kërkonin ndonjë sugjerim për ndryshime në qytet, unë do t’u thosha: Ndryshojani emrin [në Astanë]”, thotë ai.

Rinat Balgabaev
Rinat Balgabaev

Balgabaev, 38 vjeç, thotë se ka ende probleme me një qytet, i cili “duket bukur nga lart”, por është “çnjerëzor”, i pakëndshëm për këmbësorët dhe jo i mirëmbajtur.

Megjithatë, Balgabaev thotë se ai ka disa avantazhe kundrejt Almatit - qytet i rrethuar me peizazhe të bukura malore, por i zhytur në smog të rëndë gjatë muajve të dimrit dhe në rrezik nga tërmetet.

“Në Astanë ka më shumë mundësi pune”, thotë Balgabaev.

“Almati është ende një vend i mrekullueshëm për t’u vizituar dhe për të shijuar kulturën e kafesë. Por, njerëzit këtu e mbajnë fjalën e tyre më shumë. Për shembull, kam bërë një film për varësinë nga droga. Në Almati, ishte e vështirë që njerëzit të vinin për intervista në ditën e duhur dhe kjo më kushtonte me para. Në Astanë, edhe të varurit nga droga vinin pa vonesa”, thotë ai.

Balgabaev shton se Astana ka qenë tradicionalisht e zbrazët sa i përket aktivizmit politik, por thotë se tani ka një aktivizëm qytetar në rritje sa i përket strehimit dhe shërbimeve komunale.

“Njerëzit janë bërë shumë më aktivë pasi e kanë quajtur qytetin Nur-Sulltan”, thotë Balgabaev, duke përmendur si shembull tjetër rritjen e pjesëmarrjes në demonstratat në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Kujdesi për “Shtëpinë e Gazetarëve”

Roza Aldabekova ka lindur më shumë se 1.600 kilometra larg Astanës, në qytetin Maktaral, afër kufirit të Kazakistanit me Uzbekistanin.

Ajo u zhvendos në veri me dy fëmijët e saj më 2006 - disa vite pasi burri i saj i parë vdiq nga një sulm në zemër.

Pamje nga Astana.
Pamje nga Astana.

Me origjinë nga një rajon i nxehtë ku rritet pambuku, Aldabekova, në fillim, e kishte të vështirë të adaptohej me klimën në kryeqytetin e dytë më të ftohtë në botë - pas Ulan Batorit të Mongolisë.

“Ngrica prej minus 40 gradësh celsius! Dhe stuhi si në filmat horror”, kujton ajo.

“Por, pastaj, u mësova. Tani, edhe mund të shohim se qyteti po përmirësohet. Po bëhet më i gjelbër, si [qytetet] në jug. Pemët që u mbollën, janë të larta. Njerëzit vijnë këtu nga i gjithë [Kazakistani] për të punuar. Por, kështu duhet të jetë, është kryeqyteti ynë”, thotë Aldabekova.

Kur ajo arriri në Astanë, Shtëpia e Gazetarëve - një ndërtesë përballë administratës presidenciale të Kazakistanit, ku gjenden zyrat e disa mediave - ishte ende duke u ndërtuar.

Por, ajo dhe një burrë - që u bë bashkëshorti i saj i dytë - u kujdesën për të për gati dy dekada. Burri punonte si roje sigurie, ndërsa Aldabekova - biologe për nga shkollimi - punonte si pastruese dhe kopshtare në muajt e ngrohtë.

“Ai është nga veriu dhe unë nga jugu, por ne jemi kazakë. Ai ka lindur në Jermentau, rreth 120 kilometra larg nga këtu, në zonën nga është heroi ynë kombëtar, Bogenbai Batyr”, tregon Aldabekova për bashkëshortin e saj, tani në pension.

Çifti nuk ka fëmijë bashkë, por bashkëshorti i Aldabekovës ka tre nga një martesë e mëparshme.

“Ne jemi një familje e madhe së bashku... Ashtu si këtu, në Shtëpinë e Gazetarëve”, thotë Aldabekova.

Edhe pse kostoja e jetesës është rritur kohët e fundit në qytet, “përderisa të kemi shëndet, do të gjejmë para”, shton ajo.

Roza Adalbekova
Roza Adalbekova

Qytet i zyrtarëve?

Ndërrimi zyrtar i kryeqytetit në vitin 1997 e uli presionin demografik në Almati - një qytet që ende rritet me rreth 60.000 njerëz në vit.

Por, migrimi i brendshëm në qytetin që quhej Tselinograd në kohët sovjetike, u zhvillua gradualisht.

Ata që kishin pak zgjedhje, ishin zyrtarët e shtetit, pasi shumë pak institucione federale qëndruan në zyrat e tyre në Almati.

Në vitin 2014, sipas të dhënave nga agjencia private e lajmeve, Vlast.kz, një në 66 persona në Astanë ishte zyrtar shtetëror, krahasuar me një në 175 në vendin si tërësi dhe një në 335 në Almati.

Në kohë të caktuara në mëngjes dhe në mbrëmje, në “bregun e majtë” të lumit Ishim që ndan Astanën, qyteti mund të duket si i krijuar për zyrtarët, pasi shumë prej tyre mund të shihen duke nxituar me kostume blu pranë ndërtesave super-moderne, me pseudonime të tilla si “çakmak” apo “kanaqe birre”.

Issatay Minuarov
Issatay Minuarov

Issatay Minuarov, 31 vjeç, udhëheqës i kërkimeve sociale për fondin sovran të pasurisë “Samruk Kazyna” në Kazakistan, thotë se Astanën e ka vizituar për herë të parë në vitin 1999 nga Karaganda - një qytet rreth dy orë larg.

“Atëkohë, kishte vetëm disa vende që mund të konsideroheshin si vende argëtimi”, kujton ai.

Minuarov u transferua në qytet në vitin 2010, për të studiuar sociologji, përpara se të përfundonte masterin në të njëjtën lëndë në Universitetin e Mançesterit në Britani.

Më pas, ai u kthye në Astanë, të cilën thotë se e sheh si “shtëpi për mua dhe fëmijët e mi të ardhshëm”.

"Stereotipi i Astanës si një qytet administrativ i punëtorëve me kollare nuk është më i saktë”, thotë ai.

“Fytyra e qytetit po ndryshon. Nuk është më një qytet me 700.000 banorë, ku mund të habitesh nëse përplasesh me një bashkatdhetar nga vendlindja. Tani është një vend ku të gjithë po përpiqen të zhvendosen, sepse tregu i punës në Astanë po zgjerohet me shpejtësi dhe pagat janë më të larta se në pjesën më të madhe të Kazakistanit. Edhe kostoja e jetesës është ende dukshëm më e lirë se në Almati”, thotë Minuarov, duke vënë në dukje se migrimi në qytet nga vendet e tjera të Azisë Qendrore është gjithashtu në rritje.

“Kjo ka efekt pozitiv në cilësinë e shërbimeve. Nëse e dini se shefi i kuzhinës në një restorant pilafi është nga Uzbekistani, ju mund të prisni që ai të jetë mirë”, sipas tij.

Rezidenca zyrtare e presidentit e fotografuar para pesë vjetësh.
Rezidenca zyrtare e presidentit e fotografuar para pesë vjetësh.

Loja e pritjes

Sundeti, një shofer taksie nga fshati Karaultobe në provincën Kyzlorda, jep një përgjigje të shpejtë kur pyetet se çfarë do të ndryshonte në qytetin ku jeton që nga viti 2013.

“Ata i riparojnë rrugët çdo vit”, thotë Sundeti, i cili nuk do që të identifikohet edhe me mbiemër.

“Unë mendoj se kjo ndodh për shkak të korrupsionit me tenderë. Por, ata duhet të investojnë më shumë para për të ndërtuar shtëpi më shpejt, e jo të shpenzojnë aq shumë në ndërtesat qeveritare”, thotë ai.

Disponueshmëria e banesave është një çështje që shkakton presion në Astanë.

Sundeti, gruaja e tij, gjashtë fëmijët dhe një tjetër që e presin, janë në pritje të strehimit që ofron Qeveria për familjet e mëdha që kur ai arriti në qytet, shtatë vjet më parë.

Ai tani shpreson se janë në vitet e fundit të pritjes së gjatë.

Vendosja në shtëpi që siguron shteti, nënkupton zvogëlim të pagesave mujore të strehimit.

“Nuk mund të them se kemi filluar të jetojmë më mirë. Fillon të fitosh më shumë, por më pas ushqimi fillon të kushtojë më shumë”, thotë Sundeti, i cili ka punuar edhe si shofer kamioni në distanca të gjata në Evropë dhe po përpiqet t’i kthehet sërish kësaj pune.

Sundet duke ngarë taksinë.
Sundet duke ngarë taksinë.

Sundeti kthehet në provincën Kyzlorda një herë në vit.

Ndërsa gruaja dhe fëmijët e tij marrin trenin, ai i grah makinës, duke marrë pasagjerë rrugës, në përpjekje për t’i mbuluar sadopak shpenzimet e transportit të familjes.

Ai thotë se njerëzit në Kyzlorda janë më miqësorë se në Astanë, ku “gjithçka ka të bëjë me makina dhe para”. Por, megjithatë, nuk ka plane të kthehet në atë vend.

Dimrat e Astanës nuk janë më aq mizorë si dikur, thotë ai, duke shtuar se nuk shikon prapa.

“Të flas sinqerisht për rrugëtimin tim, ai ka qenë i vështirë. Shumë nga të afërmit e mi kanë vdekur dhe kemi pak njerëz te të cilët mund të mbështetemi”, thotë Sundeti për Radion Evropa e Lirë.

“Por, unë jam falënderues ndaj Allahut. Ai më ka krijuar vështirësi, por gjithashtu më ka dhënë forcë për t’i tejkaluar ato”, përfundon Sundeti.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG