Numri i fëmijëve me nevoja të veçanta në Kosovë llogaritet të jetë mbi 50 mijë. Bazuar në deklaratat e dhëna nga zyrtarët në Ministrinë e Arsimit në Kosovë, saktësisht në shkollat fillore dhe të mesme, janë 6,049 nxënës me nevoja të veçanta, derisa në institucionet parashkollore, janë 99 fëmijë me nevoja të veçanta.
Megjithëkëtë, këta fëmijë nuk kanë asistentë në klasa, që ua siguron sistemi arsimor. Nëse individualisht ndonjë fëmijë ka pasur asistentë, prindërit e tyre është dashur që me mjetet e veta të paguajnë deri në 150 euro në muaj, në mënyrë që fëmijën e tyre ta asistojë edhe një mësues shtesë.
Leonora Shabani-Bajraktari, asambliste në Kuvendin Komunal të Prishtinës, njëherësh bashkëthemeluese e organizatës ‘Down Sindrom Kosova’, tha për Radion Evropa e Lirë se duke shfrytëzuar Ligjin për vullnetarizëm, ka shfrytëzuar mundësinë që të mbledhë studentë të Fakultetit të Edukimit, Psikologjisë, Logopedisë si dhe të Punës Sociale, që t’i ndihmojnë fëmijët me nevoja të veçanta, duke i asistuar në klasë dhe njëkohësisht ata të përfitojnë nga praktika e tyre profesionale.
“Kjo iniciativë ka filluar në vitin shkollor 2017-18, pasi nuk u votua amendamenti i propozuar nga deputetët dhe kërkesat e prindërve ishin të mëdha për ofrimin e një asistenti për fëmijën e tyre, lindi ideja se si të ofrojmë këtë me punë vullnetare”.
“Duke u bazuar në Ligjin për vullnetarizëm, kam filluar të kërkojë përmes rrjeteve sociale vullnetarë, ku njëkohësisht ata përfitojnë nga praktika e tyre profesionale e gjithashtu ndihmojnë fëmijët me nevoja të veçanta duke i asistuar në klasë, por edhe pajisen me një letër reference që i përshkruhet përvoja e punës, pra shkollës ku ai ose ajo asiston”, tha Shabani-Bajraktari.
Nëna e fëmijës me nevoja të veçanta, Ardiana Salihu thotë se asistentët vullnetarë po e kryejnë një punë të madhe dhe, siç thotë ajo, ua kanë lehtësuar jetën prindërve.
Ajo bën dallimin me kohën kur fëmija i saj vijonte mësimin pa asistentë dhe tash me të.
“E kam fëmijën me nevoja të veçanta. Ai vijon mësimin në Prishtinë. Përpara kemi pasur shumë vështirësi pasi nuk kemi pasur asistentë në klasë për djalin. Por, tash me ndihmën e vullnetarëve asistentë, na është lehtësuar shumë jeta. Fëmijët po përfitojnë shumë, e edhe personalisht djali im, meqë kjo vërehet edhe nga vullneti për mësim që ka ai tash. Prej shtatorit djali im ka asistente dhe gjithçka po shkon shumë mirë. Djalin vazhdimisht e kanë përkrahur shumë, por ka pasur ngecje sidomos me arsimtarë. Ata nuk kishin kohë shtesë të merren vetëm me djalin tim”, thotë Salihu.
Ndërkaq asistentja vullnetare, Toska Vuniqi, e cila studion logopedinë, duke folur për Radion Evropa e Lirë tha se është iniciativë e qëlluar dhe se punën me fëmijët me nevoja të veçanta është duke e kryer me përkushtim dhe dëshirë.
“Mendoj se është iniciativë tepër e mirë, sepse jo vetëm neve si studentë na zhvillon anën profesionale, por edhe atë humane. Me aq njohuri dhe aftësi që kam, po mundohem që të jap maksimumin. Unë jam duke punuar aktualisht me dy fëmijë me çrregullime të ndryshme dhe po ia dalim mirë. Përzgjedhjen e kemi bërë në mënyrën më të mirë, pra prindërit që nuk kanë mundësi financiare të paguajnë asistentë, ne po asistojmë për ata fëmijë”, tha Vuniqi.
Ndërkohë, Leonora Shabani-Bajraktari shton se tash për tash janë 35 asistentë të angazhuar në shkolla të rregullta, prej tyre tre, në shkolla të mesme.
Kryesisht janë në Prishtinë, por janë edhe pesë vullnetarë në komuna tjera. Kjo siç thotë ajo, pasi është përhapur lajmi dhe është shtrirë rrjeti në disa qytete tjera.
Sidoqoftë, në Kuvendin e Kosovës, kohë më parë, shumica e deputetëve nuk e ka përkrahur një amendament për fëmijët me nevoja të veçanta, ku kërkohej që ata të kenë në shkolla asistentë shtesë, psikologë e pedagogë në çerdhe.
Ndonëse me ligj, shteti i njeh ata si të barabartë me fëmijët tjerë, vetë shteti, sipas organizatave për të drejtat e fëmijëve, nuk ka ndarë ndonjë buxhet për nevojat e asistencës.