Armëmbajtja, me ose pa leje, duket sikur është e theksuar në shoqërinë kosovare.
Shumica e personave që mbajnë armë, sipas statistikave zyrtare, i takojnë kategorisë së personave që mbajnë armë pa leje. Por, ka edhe persona që armëmbajtjen e kanë legalizuar për arsye nga më të ndryshmet.
Aktualisht, në Kosovë janë rreth 270 leje të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme për armëmbajtje nga personat fizikë. Në këtë numër hyjnë edhe politikanë, përfshirë ish-deputetë e ministra si dhe persona të tjerë.
Disa e mbajnë armën për rekreacion, gjueti e sport, e të tjerë edhe për sigurinë e tyre, ngase autoritetet përgjegjëse e kanë vlerësuar se janë persona që i takojnë kategorisë së kërcënuar.
Shkumbin Demaliaj, deputet nga legjislatura e fundit, tashmë e shpërndarë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ka një armë për të cilën posedon leje pesëvjeçare me mundësi vazhdimi.
"Armën e kam me leje, rreth një vit e gjysmë para se të kandidohesha për deputet. Është armë shenjëtarie për sport dhe e mbaj me dëshirë, edhe për faktin se me ligj është e lejuar”.
“E dua armën, e kam dashur edhe kur ka qenë lufta dhe e mbaj me krenari. Por, është armë e sportit, është armë për shenjëtari. Nuk e kam me leje të veçantë, e kam si të gjithë qytetarët e tjerë të Republikës së Kosovës që kanë drejtë të pajisen me armë të vogla", thotë Demaliaj.
Zyrtarët në Ministrinë e Punëve të Brendshme thonë se ministria ka nisur të bëjë reduktimin e lejeve për armë. Ministri i Punëve të Brendshme në dorëheqje, Ekrem Mustafa, thotë për Radion Evropa e Lirë, se aktualisht janë 270 armë me leje.
"Sa u takon armëve me leje, unë si ministër kam filluar t'i reduktoj. Përveç një, vetëm një personi, ia kam nënshkruar pajisjen me leje të armës deri më sot, bëhet fjalë për një vit si ministër. Kemi filluar, pra, që të zvogëlojmë lëshimin e lejeve për armë. Sa u takon deputetëve, nuk e di, nuk kam listë se cilët kanë pasur më herët leje të armëve", bën të ditur Mustafa.
Ish-deputeti në largim, të cilit i është lejuar mbajtja e armës nga Ministria e Punëve të Brendshme është kryetari i Partisë së Pavarur Liberale, Sllobodan Petroviq.
Ministria e Punëve të Brendshme i kishte lëshuar atij lejen për armë pas një rasti, kur Petroviq ishte sulmuar fizikisht nga dy persona, të cilët, sipas Petroviqit, ishin njerëz të afërt me ish-ministrin e Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikallo, nga Lista Serbe.
"Unë jam me polici [përcjellje policore] 24 orë bashkë. Ju e dini pse, dhe arsyen e di i gjithë populli", tha shkurt, Sllobodan Petroviq pa dashur që të komentonte më shumë për këtë çështje.
Ligji për armë - Pëlqimi për blerjen e armës mund t’i lëshohet personit fizik në bazë të kërkesës së paraqitur, nëse i plotëson kushtet si në vijim: 1.1. të ketë mbushur moshën njëzet e një (21) vjeçare; 1.2. të posedojë aftësi të plotë ligjore për veprim; 1.3. të posedojë aftësi psiko-fizike; 1.4. të mos paraqesë rrezik për vetveten, për rendin publik dhe sigurinë publike; 1.5. të ketë të kryer testin teorik dhe praktik për përdorimin e armës, e të tjera.
Posedimi i armëve dhe përdorimi i paautorizuar i tyre në ahengje e dasma, përbën një veprim tjetër, me të cilin çdo vit përballen organet e rendit. Ndërkaq, nuk kanë munguar as rastet kur, ministra e zyrtarë të lartë shtetërorë janë parë në videot amatore duke shtënë me armë në ahengje, për çka edhe ekziston një rast i hapur në gjykatë, ku protagonistë janë pikërisht figura të njohura politike.
Dy ministra, tashmë në largim, të Qeverisë së Kosovës, Dardan Gashi, ministër për Diasporë dhe Investime Strategjike si dhe Endrit Shala, ministër i Tregtisë dhe Industrisë janë ndëshkuar me gjobë nga Gjykata Themelore e Gjakovës, Dega në Malishevë, për të shtëna me armë. Po ashtu, në të njëjtin rast ishte dënuar edhe ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Sami Lushtaku.
Ish-deputeti i partisë Nisma Socialdemokrate, Haxhi Shala, i cili ishte kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se armët me leje zakonisht personat juridik apo politikanët mund t’i mbajnë për çështje sigurie dhe, sipas tij, arsye të tjera nuk mund të ketë.
"Arma kërkohet vetëm nëse me të vërtetë të duhet për sigurinë tënde personale, por të tjera arsye nuk ka. Edhe pse për të tjera arsye nuk duhet të mbahet arma, unë për vete nuk e ndiej veten të rrezikuar në këtë Kosovën tonë", shprehet Shala.
Megjithatë, Shala thotë se ka një armë.
"Dashuria për armën është diçka tjetër. Ajo mund të jetë suvenir, vendoset si suvenir dhe atë e kam edhe vetë, por është e mbyllur e çmontuar dhe e mbaj si suvenir të luftës. Kurse, arma e brezit pse të mbahet?", thotë Shala.
Njohësit e çështjeve e të sigurisë thonë se Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme që të ofrojë mbrojtje për zyrtarët publikë që mund të jenë nën rrezikshmëri të sigurisë.
Ata nuk e shohin të arsyeshme bartjen e armëve nga një numër i madh i zyrtarëve publikë.
Përderisa armëmbajtja me leje konsiderohet si veprim ligjor dhe nën kontroll, një shqetësim të vazhdueshëm për sigurinë publike të qytetarëve paraqet armëmbajtja pa leje.
Bazuar në të dhënat e MPB-së, numri i armëve ilegale në posedim të qytetarëve llogaritet të jetë rreth 260 mijë sosh.
Në një llogaritje të thjeshtë, përqindja e kërkesave për legalizim, në raport me numrin e përgjithshëm të armëve në posedim pa leje, është vetëm 0.3 për qind.