Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare në Kosovë (ARKEP) e ka autorizuar kompaninë amerikane Starlink, për ofrimin e qasjes në internet në çdo lokacion të Kosovës.
“Në të gjithë globin, Starlink u ka mundësuar komuniteteve në nevojë të kenë qasje në arsim, shërbime shëndetësore, të mundësojnë punën në distancë dhe të ofrojnë mbështetje kritike të komunikimit gjatë fatkeqësive natyrore ose raste tjera të emergjencave kombëtare”, është thënë në njoftimin e ARKEP-it, duke shtuar që hyrja e kësaj kompanie globale në tregun vendor, do të ndikojë edhe në përfitime ekonomike dhe zhvillim të përgjithshëm të Kosovës.
Starlink është rrjet privat satelitor i internet që zotërohet prej kompanisë SpaceX, të miliarderit Elon Musk.
Starlink besohet se i ka rreth 4.800 pajisje në orbitë, përmes së cilave ofrohet internet në rreth 100 vend të botës.
Musk pati vendosur që t’i ofrojë qasje Ukrainës në këtë rrjet, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, si pasojë e së cilës shteti pati mbetur pa linja komunikimi.
Starlinku përdoret nga miliona njerëz në gjithë botën, pasi ofron internet më të shpejtë sesa disa ofrues vendorë.
Në faqen zyrtare të kompanisë mjafton të kërkoni adresën më të afërt dhe aty më pas duhet kryer pagesën për të marrë shërbimin.