Paneli i Gjykatës Supreme, që funksionon në kuadër të Gjykatës Speciale në Hagë, ia ka rikthyer sërish Apelit rastin e Salih Mustafës dhe dënimin ndaj tij për krime lufte.
Mustafa, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është dënuar fillimisht në dhjetor të vitit 2022, me 26 vjet burgim, për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.
Në dhjetor të vitit 2023, Apeli ia pati ulur dënimin në 22 vjet burgim.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 - dhjetor 2000.
Gjykata e ka selinë në Hagë të Holandës, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.
Përmes një komunikate për media më 30 korrik, Gjykata Speciale ka thënë se, pas kërkesës së bërë nga Mustafa për mbrojtje të ligjshmërisë, paneli i Supremes e ka rikthyer rastin e tij te Apeli, për të shqyrtuar uljen e dënimit.
Mbrojtja e ligjshmërisë është mjet juridik, përmes së cilit synohet të korrigjohet ndonjë gabim potecial në procedurë gjyqësore.
“Paneli është i mendimit që paneli i Apelit duhet të ketë mundësi për të vlerësuar nëse dënimi prej 22 vjetësh burgim për Mustafën është ende i arsyeshëm, pas jurisprudencës së analizuar”, është thënë mes tjerash në vendimin e Supremes.
Mustafa ka qenë personi i parë që është dënuar prej Gjykatës Speciale, lidhur me akuzat për krime lufte.
Në korrik të këtij viti, Gjykata ka dënuar edhe Pjetër Shalën me 18 vjet burgim, për krime lufte.
Sipas Gjykatës, viktimat kanë qenë kryesisht shqiptarë të Kosovës, të cilat kanë pësuar dëme nga shqiptarë tjerë të Kosovës.
Përveç Mustafës dhe Shalës, të akuzuar për krime lufte janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi.
Gjyqi ndaj tyre është duke vazhduar.
Më herët, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë, por më pas janë liruar me kusht.