Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnje e Hercegovinës (BeH), si dhe paqes së arritur përmes Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe.
Kështu deklaroi Ronald Johnson, i nominuari për ambasador të SHBA-së në Bosnje e Hercegovinë, gjatë dëgjimit para Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, më 17 shtator në Uashington.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të senatorëve, Johnson tha se në Srebrenicë, më 1995, u krye pa dyshim gjenocid. Ai tha gjithashtu se nuk do t’i mbyllë sytë ndaj veprimeve destabilizuese që mund të ndërmerren nga ish-presidenti i entitetit të Republikës Sërpska (RS), Millorad Dodik.
Në të njëjtin dëgjim iu përgjigj pyetjeve edhe Michael Young, i nominuari për ambasador të SHBA-së në Serbi. Si prioritete të tij ai përmendi punën për zvogëlimin e ndikimit të Rusisë dhe Kinës në Serbi, si dhe nxitjen e interesit për investime amerikane në këtë vend të Ballkanit. Ai tha gjithashtu se do të angazhohet për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.
Të dy të nominuarit për ambasadorë u pyetën edhe për interesat e biznesit në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi, të shfaqura nga disa anëtarë të familjes së presidentit amerikan Donald Trump.
Si e sheh Johnson Bosnje e Hercegovinën?
Në fjalën e tij hyrëse, Johnson, gjeneral brigade në pension i Trupave të Marinës së SHBA-së, theksoi se Shtetet e Bashkuara synojnë një Bosnje e Hercegovinë stabile, të sigurt dhe të prosperuar.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme, tha ai, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen pas dy javësh, më 4 tetor.
“Duke pasur parasysh se zgjedhjet po afrohen me shpejtësi, është e rëndësishme që udhëheqësit politikë të përqendrohen në qeverisje të përgjegjshme dhe të arrijnë rezultate konkrete për qytetarët e Bosnje e Hercegovinës”, tha Johnson.
Ai shtoi se, 30 vjet pas Marrëveshjes së Dejtonit, “e ardhmja e Bosnje e Hercegovinës duhet të varet gjithnjë e më shumë nga udhëheqësit dhe institucionet e saj”.
“Shtetet e Bashkuara mund të luajnë një rol të rëndësishëm si partnerë dhe ndërmjetësues, duke ndihmuar në krijimin e kushteve për paqe dhe prosperitet afatgjatë, ndërkohë që fuqizojnë udhëheqësit vendorë që të marrin më shumë përgjegjësi për të ardhmen e vendit të tyre”, tha Johnson.
Johnson theksoi se, nëse konfirmohet në detyrën e ambasadorit në Sarajevë, do t’i japë përparësi zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes Shteteve të Bashkuara dhe Bosnje e Hercegovinës.
“Do të punoj për forcimin e sigurisë energjetike, rritjen e eksporteve amerikane dhe nxitjen e një mjedisi biznesi që inkurajon investimet amerikane në sektorët kyç”, tha Johnson.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara janë “të përkushtuara ndaj nxitjes së stabilitetit dhe begatisë në rajon”.
“Nëse konfirmohem, do të bashkëpunoj me Bosnje e Hercegovinën dhe partnerët tanë për të kufizuar mundësitë për ndikim të dëmshëm nga Rusia dhe Kina. Do të bashkëpunoj me kolegët për dobësimin e organizatave kriminale ndërkombëtare dhe aktorëve të tjerë që veprojnë në mënyrë të dëmshme, duke shfrytëzuar dobësitë politike, ekonomike dhe të sigurisë. Një Bosnje e Hercegovinë e qëndrueshme dhe e begatë është në interes si të Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe të popujve që jetojnë në Bosnje e Hercegovinës”, tha Johnson.
Përgjigjet për Srebrenicën dhe Dodikun
Duke iu përgjigjur pyetjes së senatores demokrate Jeanne Shaheen nëse në Srebrenicë, më 1995, ishte kryer gjenocid, Johnson u përgjigj në mënyrë pohuese: “Mendoj se mund t’ju them pa asnjë mëdyshje ‘po’. Në Srebrenicë kishte gjenocid, siç është konfirmuar edhe nga vendimet e dhëna nëpërmjet sistemeve gjyqësore. Absolutisht”.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje për tensionet që, sipas senatores Shaheen, po nxiten nga Millorad Dodik, lideri i partisë kryesore në Republikën Sërpska, Johnson tha: “Mund të jeni të sigurt se, kur të jem në detyrë, do të jem shumë i vendosur në rekomandimin e këtyre drejtimeve të veprimit”.
Johnson ka marrë më herët pëlqimin nga Presidenca e Bosnje e Hercegovinës. Ky pëlqim paraprak merret nga shteti pritës në mënyrë që një person të mund të emërohet në krye të një misioni diplomatik.
Nëse konfirmohet, Johnson do të bëhet ambasadori i 11-të amerikan në Bosnje e Hercegovinë që nga viti 1995.
Që nga shtatori i vitit 2025, misionin diplomatik amerikan në këtë vend e drejton John Ginkel, si i ngarkuar me punë.
Çka tha i nominuari për ambasador të SHBA-së në Serbi për Kosovën dhe Bosnjën?
Thellimi i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me Serbinë është një nga prioritetet që Michael Young, i nominuari për ambasador të SHBA-së në Serbi, përmendi në fjalën e tij.
“Do ta inkurajoj Serbinë që të kontribuojë në sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin në të gjithë Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën”, tha Young, ish-zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit gjatë administratës së presidentit George W. Bush.
Ai tha se do ta inkurajojë Serbinë që ta përdorë ndikimin e saj për ruajtjen e stabilitetit në rajon, veçanërisht në Bosnje e Hercegovinë.
Po për marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë dhe Kinën?
“Do ta inkurajoj Serbinë që të zgjedhë një të ardhme politike dhe ekonomike që u sjell përfitime Shteteve të Bashkuara, e jo konkurrentëve si Rusia dhe Kina”, tha Young.
Ai saktësoi se do të punojë edhe për zvogëlimin e ndikimit rus, përfshirë varësinë energjetike të Serbisë nga Rusia.
Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), furnizuesit kryesor të vendit, i cili është në pronësi shumicë ruse, në janar të vitit 2025. Zbatimi i sanksioneve është shtyrë tetë herë, në pritje të ndryshimit të strukturës së pronësisë së NIS-it. Afati i fundit për zbatimin e tyre skadon pas pak më shumë se dy javësh.
Young tha se ekziston potencial i madh për kompanitë amerikane në Serbi.
“Do të sigurohem që industria amerikane të jetë në një pozitë të mirë për t’iu përgjigjur interesimit në rritje të Serbisë për përmbushjen e nevojave të saj të mbrojtjes përmes pajisjeve amerikane dhe bashkëpunimit me industrinë amerikane të mbrojtjes”, tha ai.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë ambasador në Serbi që nga janari i vitit 2025, kur nga kjo pozitë u largua Christopher Hill.
Interesat e biznesit të familjes Trump
Young dhe Johnson u pyetën gjithashtu nëse, përmes ambasadave të SHBA-së në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë, do të ishin të gatshëm të ndihmonin interesat e biznesit të presidentit amerikan Donald Trump dhe familjes së tij.
Pyetjen e shtroi senatori demokrat Chris Murphy, i cili përmendi vizitat në Serbi të djalit të Trumpit, Donald Trump Jr., si dhe vizitën e tij në Banjallukë, në Republikën Sërpska, të cilën Murphy e përshkroi si “aleate shumë të afërt të Rusisë”.
“Para së gjithash, nuk besoj se presidenti Trump do të më drejtonte një kërkesë të tillë. Dhe, nëse do ta bënte, do t’i drejtohesha Departamentit të Shtetit”, u përgjigj Johnson.
Kur Young tha se “është detyrë e ambasadorëve të inkurajojnë të gjitha mundësitë e biznesit”, senatori Murphy e ndërpreu, duke thënë se pyetja nëse ai do të angazhohej për biznese që mund të ndërmerrte familja e presidentit kërkonte një përgjigje të thjeshtë: “Jo”.
Donald Trump Jr. e ka vizituar Beogradin disa herë, ndërsa në mars të vitit 2025 u takua në Beograd edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në prill të vitit 2026 ai vizitoi Banjallukën, me ftesë të Igor Dodikut, djalit të Millorad Dodikut, ku mori pjesë në një forum biznesi.
Gjatë dëgjimit, Young tha se për vizitat e Trump Jr. në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi kishte mësuar nga mediat dhe se kishte kërkuar informacione nga Departamenti i Shtetit.
“I kam bërë këto pyetje, por nuk kam pasur qasje në informacione të klasifikuara, prandaj ajo që di për këtë çështje vjen nga mediat”, tha Young.
Procedura e emërimit të ambasadorëve amerikanë
Procedura e emërimit të ambasadorëve amerikanë mbështetet në parimin kushtetues të “këshillimit dhe pëlqimit” të Senatit.
Fillimisht, presidenti propozon të nominuarin për ambasador, i cili mund të jetë diplomat karriere ose i emëruar politik. Më pas, kandidatura i dërgohet Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit për shqyrtim.
Komisioni zakonisht organizon një seancë dëgjimore, gjatë së cilës i nominuari u përgjigjet pyetjeve të senatorëve për politikën amerikane, vendin ku do të shërbejë dhe tema të tjera të rëndësishme. Më pas, komisioni voton për kandidaturën dhe ia përcjell rekomandimin Senatit, ku ajo shqyrtohet dhe hidhet në votim.
Vetëm pasi Senati ta konfirmojë të nominuarin me shumicë votash, presidenti e emëron zyrtarisht ambasadorin.
Ambasadori i ri më pas shkon në vendin pritës dhe ia dorëzon letrat kredenciale kreut të shtetit, duke marrë zyrtarisht detyrën.
Ndryshe nga shumë vende të tjera, ambasadorët amerikanë nuk e marrin detyrën menjëherë pas propozimit nga presidenti. Konfirmimi nga Senati është një mekanizëm i rëndësishëm i kontrollit mbi pushtetin ekzekutiv dhe procesi shpesh mund të zgjasë javë ose muaj, veçanërisht kur kandidatura shoqërohet me polemika politike.