Ndërlidhjet

Lukashenka fiton mandatin e shtatë në Bjellorusi, BE-ja i cilëson votimet si të rreme


Udhëheqësi autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka. Minsk, 26 janar 2025.
Udhëheqësi autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka. Minsk, 26 janar 2025.

Udhëheqësi autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, ka siguruar mandatin e shtatë, pas mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale që udhëheqësit e Bashkimit Evropian i kanë cilësuar si “të rreme”.

Me të gjitha votat e numëruara, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Bjellorusi tha se sipas rezultateve preliminare, Lukashenka ka fituar 86.8 për qind të votave në zgjedhjet e 26 janarit. Kundërshtari i tij, Sergei Syrankov fitoi 3.2 për qind të votave.

Ministria e Punëve të Brendshme tha se nuk kishte shkelje të mëdha gjatë procesit zgjedhor. Punëtorët e ministrisë dhe personeli ushtarak “zbatuan masat për të ofruar siguri publike gjatë zgjedhjeve”, tha kjo ministri përmes një postimi në Telegram.

Lukashenka, aleat i Rusisë i cili është në pushtet që tri dekada, pasi votoi deklaroi për mediat se Bjellorusia është një “demokraci e fortë”.

Por, opozita, grupet për të drejtat e njeriut dhe Perëndimi deklaruan të kundërtën.

Grupi avokues, Freedom House, me seli në Uashington, në raportin e tij të fundit e ka përshkruar Bjellorusinë si një “shtet autoritar në të cilin zgjedhjet haptazi vidhen dhe liritë civile janë thellësisht të kufizuara”.

Udhëheqësja opozitare, Svyatlana Tsikhanouskaya, e cila jeton në Lituani, shkroi në X më 26 janar se tubimet kundër zgjedhjeve po mbaheshin në disa qytete në mbarë Evropën, duke shtuar se “Bjellorusia kërkon liri”.

Para zgjedhjeve, zyrtarë të lartë të BE-së vunë në pikëpyetje legjitimitetin e votimeve dhe fitores së pritur të Lukashenkës.

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, tha se zgjedhjet ishin “të rreme”. Ajo shkroi në X se “mesazhi im për popullin e Bjellorusisë është: mbahuni të fortë, keni mbështetjen tonë, diktaturës do t’i vjen fundi”.

Shefja për politikë të jashtme e BE-së, Kaja Kallas, kritikoi Lukashenkan, duke thënë se ai ka “kapur pushtetin që 30 vjet” dhe po e “rizgjedh veten edhe përmes një votimi të rremë”.

“Kjo është një fyerje flagrante për demokracinë”, shkroi ajo në X.

Megjithatë, Lukashenka hodhi poshtë kritikat e udhëheqësve perëndimor.

“I pranoni ose jo këto zgjedhje: është çështje shijesh. Nuk më bëhet vonë. Kryesorja për mua është se bjellorusët i njohin këto zgjedhje”, tha ai gjatë konferencës për media në Minsk më 26 janar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG