Ndërlidhjet

Vuçiq: Shtensionimi i situatës është detyrë kyçe


Admirali i NATO-s, Rob Bauer, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit në Beograd.
Admirali i NATO-s, Rob Bauer, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit në Beograd.

Presidenti i Serbisë, Aleksadar Vuçiq, tha se paqja dhe shtensionimi i tensioneve janë detyra kyçe për të gjithë.

Më 28 tetor, Vuçiq u takua në Beograd me kreun e Komitetit ushtarak të NATO-s, admiralin Tob Bauer. Siç njoftoi presidenti serb përmes llogarisë së tij në Instagram, shteti i tij vazhdon të jetë neutral në aspektin ushtarak, por do të vazhdojë të ketë “bashkëpunim korrekt” me NATO-n.

Takimi midis Vuçiqit dhe admiralit Bauer vjen katër ditë para përfundimit të afatit të vendosur nga Qeveria e Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa me akronime serbe për qytetet e Kosovës.

Serbët në veri të Kosovës kryesisht përdorin targa KM (Mitrovica e Kosovës), që Kosova i konsideron ilegale. Prishtina ka thënë se nga 1 shtatori deri më 31 tetor, të gjithë qytetarët që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, mund t’i konvertojnë në targa RKS – Republika e Kosovës.

Besohet se në katër komunat në veri të Kosovës (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq) janë afër 10.000 makina me targa të lëshuara nga Serbia, dhe sipas shifrave të fundit, vetëm 20 prej tyre janë riregjistruar në RKS.

Kryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë – më 27 tetor paralajmëroi se do të vendosen bllokada në veri, nëse Kosova pas 31 tetorit do të konfiskojë targat dhe makinat e serbëve.

Kosova ka thënë se pas kësaj date, makinat me targat e lëshuara nga Serbia nuk do të mund të qarkullojnë brenda territorit të shtetit, e as të kalojnë kufirin.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Kosova që të shtyjë afatin për riregjistrim për dhjetë muaj, por sipas zyrtarëve në Uashington, Prishtina ende nuk i është përgjigjur kësaj kërkese.

Më 25 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Kosova merr seriozisht sugjerimet e aleatëve ndërkombëtarë lidhur me shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat.

Por, Kurti ka thënë se afati është shtyrë një herë, pasi vendimi për riregjistrim ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht. Por, serbët lokalë atëbotë bllokuan rrugët në veri, për të kundërshtuar këtë vendim si dhe vendimin për lëshimin e dokumenteve për hyrje/dalje dhe ekzekutivi shtyu për një muaj zbatimin e vendimeve. Pak më vonë, çështjen e dokumenteve për hyrje/dalje, Kosova dhe Serbia e kanë zgjidhur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG