Ndërlidhjet

Kurti dhe Rama nuk pajtohen për “Mini-Shengenin” ballkanik


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët për media. Tiranë, 11 shkurt, 2020.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët për media. Tiranë, 11 shkurt, 2020.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën, në vizitën e tij të parë zyrtare jashtë Kosovës. Ai u prit nga homologu i tij në Shqipëri, Edi Rama me pritje shtetërore në Pallatin e Brigadave.

Në një konferencë të përbashkët për media, të dy kryeministrat folën për një shpejtësi të re që i duhet vendeve për bashkëpunim mes vete. Ata bënë të ditur sa janë dakorduar për krijimin e një komisioni ndërshtetëror për rishikimin dhe zbatimin e marrëveshjeve që janë nënshkruar deri tani mes dy vendeve në mbledhjet e përbashkëta të qeverive.


“Do të vendosim në funksion një komision ndërshtetëror të përbërë nga ministra dhe përfaqësues të komisioneve parlamentare për të ndjekur ecurinë e marrëveshjeve, për të identifikuar problematikat në zbatimin e tyre dhe për t’i adresuar mbledhjes së të dy qeverive në funksion qoftë arritjeve, qoftë nevojave për vendimmarrje të tjera”, tha kryeministri Edi Rama.

Ai foli për rëndësinë e procesit të Berlinit dhe për katër liritë themelore të Bashkimit Evropian, të cilat sipas tij, rajoni duhet t’i zbatojë.

“Kemi diskutuar me kryeministrin edhe për procesin e Berlinit dhe vazhdojmë të flasim për të harmonizuar veprimet dhe hapat në funksion të nismës për implementimin e katër lirive themelore të Bashkimin Evropian në rajonin tonë, ku për ne bashkëpunimi me Kosovën mbetet prioritet i prioriteteve. E kam thënë edhe më parë, ja thash edhe kryeministrit sot, po e them edhe këtu publikisht përsëri, që për mua nëse nuk realizojmë lëvizjen e plotë të lirë të njerëzve në radhë të parë dhe pastaj edhe lëvizjen e plotë të mallrave, të kapitaleve dhe shërbimeve, nuk e kemi kryer detyrën tonë ndaj të ardhmes dhe njerëzve tonë”, theksoi Rama, duke shtuar se janë plotësisht të angazhuar në “heqjen e kufirit mes të dy shteteve” përmes ndërveprimit dhe bashkëpunimit.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se dëshira e tij është që vendet të kenë një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit dhe se duhet të jenë prioritet i njëri-tjetrit pa humbur kohë.

Ai tha se komisioni për të cilin u morën vesh të krijojnë do të sigurohet që 77 marrëveshjet e nënshkruara nga qeveritë e dy vendeve duhet të zbatohen dhe të arrihen marrëveshje të reja.

“Duam që ta shtojmë bashkëpunimin, ta shtojmë bashkërendimin duke e thelluar e duke e zgjeruar atë”, tha Kurti.

Ai shtoi se të dy vendet duhet të bashkëpunojnë me një ritëm më të shpejtë, sidomos në fushat që ata i shohin se prioritare.

“Në veçanti duam që të bashkëpunojmë në aspektin ekonomik, të prodhimtarisë, të arsimit, të sigurisë e të politikës së jashtme. Besojmë se këto janë fusha në të cilat i kemi preokupimet e njëjta dhe partnerët tanë demokratikë, të zhvilluar e perëndimorë, janë po të njëjtit”, tha Kurti duke shtuar se beson që së bashku me Ramën do të avancojnë bashkëpunimin që të dy vendet kanë dashur gjithmonë ta kenë, por nuk e kanë arritur deri tani.

Të pyetur rreth qëndrimeve sa i përket planit për “Mini-Shengenin” ballkanik, kryeministrat mbajtën qëndrime të ndryshme, me zotin Kurti që tha se nuk mund të ketë një “Mini-Shengen” ballkanik pa pasur, siç tha ai, “Makro-Shengen” shqiptar.

“Kjo ishte një temë që e trajtuam, por shkurtimisht, meqenëse takimi i parë i ynë sot ishte le të themi për 'Makro-Shengenin' shqiptar sesa për 'Mini-Shengenin' ballkanik”, tha Kurti.

Rama në anën tjetër, ritheksoi qëndrimin e tij ndaj kësaj iniciative rajonale, dhe sa se nuk ka “Makro-Shengen” shqiptar pa “Mini-Shengen” rajonal.

“Unë besoj se 'Makro-Shengeni’ shqiptar është i lidhur ngushtësisht me ‘Mini-Shengenin’ rajonal sepse nëse ne jemi konsistent në vazhdën e procesit të Berlinit dhe nëse ne jemi të harmonizuar në ndërveprimin tonë, çka e kemi diskutuar, atëherë na hapet rruga që është e mbyllur prej të gjitha viteve, për të pasur një hapësirë të përbashkët mes dy shteteve”, tha Rama.

Ai shtoi se “duke thyer këtë rezistencë, askush, as Serbia nuk thonë dot se po bëjmë Shqipërinë e madhe nëse heqim kufirin”.

Kryeministri Kurti është takuar edhe me presidentit e Shqipërisë Ilir Meta. Përmes një postimi në Facebook, Meta shkroi se qeveria e Kurtit i ka të gjitha mundësitë të jetë një shembull pozitiv i mirëqeverisjes në rajon.

Kryeministri Kurti gjatë vizitës së tij në Shqipëri u takua edhe me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Kreu opozitar i Shqipërisë tha se opozita e bashkuar e Shqipërisë i ka prioritetet e qarta sa i përket bashkëpunimit me Kosovën.

“Ne do të bëjmë gjithçka për të ndihmuar në tregtinë e lirë, në integrimin ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës, për t’i dhënë shanse për punësim qytetarëve tanë e në veçanti rinisë; për të ndalur shpopullimin që është produkt i drejtpërdrejtë i korrupsionit dhe i kapjes së shtetit nga krimi i organizuar, sikur edhe për angazhimin tonë sot dhe nesër për të vazhduar mbështetjen nga Republika e Shqipërisë për Republikën e Kosovës”, tha Basha.

Kryeministri Kurti gjatë vizitës në Shqipëri u takua edhe kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG