Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut: 6 milionë euro për inteligjencë artificiale, asnjëri projekt funksional


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Edhe pse inteligjenca artificiale është prioritet global, në Maqedoni të Veriut ende mungon kuadri ligjor, strategjia kombëtare dhe koordinimi institucional për zbatimin e saj. Sipas raportit të Auditorit të Përgjithshëm, asnjë nga 48 projektet e bashkëfinancuara nga viti 2018 deri më 2023 nuk është zbatuar në sektorin publik.

Brenda pesë vjetëve, në Maqedoninë e Veriut janë shpenzuar mbi gjashtë milionë euro për 48 projekte që përdorin inteligjencën artificiale (IA) për ta zgjidhur ndonjë problem, por asnjëri prej tyre nuk është zbatuar në sektorin publik, ka bërë të ditur Enti Shtetëror i Auditimit (ESA) në raportin auditues për mundësitë e përdorimit të IA-së në sektorin publik në Maqedoninë e Veriut.

“Sado që nuk ka të dhëna zyrtare financiare për investimet e sektorit publik në projekte që lidhen me IA-në, Qeveria me buxhetin në periudhën 2018-2023, në bashkëpunim me Bankën Botërore, përmes Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, ka bashkëfinancuar 48 projekte që përfshijnë IA-në. Në 17 sektorë janë financuar projekte në një shumë të përgjithshme prej 375.768 mijë denarësh, apo 6.110.044 eurosh, nga të cilat, shuma e bashkëfinancimit për këto projekte ka qenë 267.104 mijë denarë, apo 4.343.161 euro,” ka bërë të ditur ESA-ja.

Pesë projekte janë bashkëfinancuar nga Banka Botërore, pesë nga fondet e përbashkëta të Bankës Botërore dhe buxhetit të shtetit, ndërsa 38 të tjera janë financuar nga buxheti i Maqedonisë së Veriut. Projektet u përkasin fushave të industrisë së aviacionit, auto/agroindustrisë, veterinarisë, e-biznesit, energjetikës, shëndetësisë, financave, IT-arsimimit, sektorit publik, sektorit juridik, prodhimit dhe financave.

Megjithëse janë shpenzuar miliona euro, auditorët kanë konstatuar se sektori publik nuk është i përgatitur për përdorimin e inteligjencës artificiale në aktivitetet e tij, ndërsa shteti nuk ka strategji kombëtare apo kuadër ligjor, buxhet për zhvillim dhe as staf të kualifikuar për zhvillimin e IA-së.

Qeveria investoi 150 mijë euro në asistentin ADA, i cili u shua pas dy vitesh

Në vitin 2023, Qeveria e udhëhequr nga Dimitar Kovaçevski, promovoi asistentin e parë digjital të bazuar në inteligjencë artificiale, të quajtur ADA, me qëllim rritjen e transparencës dhe përmirësimin e informimit mbi mundësitë për investime.

“Sot kjo vegël nuk është më funksionale, dhe një nga arsyet është moszgjatja e kontratës me operatorin ekonomik që e kishte zhvilluar dhe mirëmbajtur aplikacionin”, thuhet në raportin e auditimit.

ADA ishte konceptuar të ishte asistenti i parë digjital në sektorin publik në rajon dhe më gjerë, që do t’iu ndihmonte kompanive të merrnin informacion të plotë për kushtet e investimit në vend, i disponueshëm 24/7 në gjuhën maqedonase, shqipe dhe angleze.

Teknologjia Park në Shkup është një tjetër projekt që ishte paralajmëruar, por ende nuk është ndërtuar. Auditorët kanë konstatuar, gjithashtu, se portali i të dhënave të hapura, i zyrtarizuar në vitin 2018, nuk funksionon që nga fillimi i vitit 2025, duke kufizuar transparencën dhe potencialin inovativ të sektorit të biznesit.

Ndërkohë, në kuadër të një projekti pilot për numrin 112 për rastet emergjente, po përdoret inteligjenca artificiale për analizë në kohë reale dhe dhënie rekomandimesh gjatë thirrjeve urgjente, por zbatimi i plotë i tij është i kufizuar për shkak të kërkesave shtesë financiare dhe mungesës së një kornize ligjore dhe teknike.

Raporti i auditimit thekson se projekte sikurse sistemi 112, ku po testohet transkriptimi dhe përkthimi në kohë reale përmes inteligjencës artificiale, kërkojnë një vlerësim të veçantë për ndikimin në privatësi – një praktikë që ende nuk është e vendosur në mënyrë sistematike.

Investime të papërfillshme në infrastrukturën e TIK-ut

Edhe pse inteligjenca artificiale në nivel global ka depërtuar në shumë sektorë të jetës së përditshme, sipas auditorëve, në vend investimet në infrastrukturën e TIK-ut për kapacitete të avancuara kërkimore mbeten të papërfillshme.

“Edhe pse 96.99 për qind e popullsisë mbulohet me rrjet 5G dhe mbi 68 për qind e amvisërive kanë qasje në rrjete fikse me kapacitet shumë të lartë, Republika e Maqedonisë së Veriut ende nuk disponon me infrastrukturë digjitale moderne dhe gjithëpërfshirëse, që është parakusht për zbatimin e inteligjencës artificiale. Mungojnë gjeneratat e reja të superkompjuterëve, qendrat e qëndrueshme të të dhënave dhe sistemet e specializuara për përpunimin e të dhënave të mëdha, çka e kufizon gatishmërinë e vendit për përdorimin e IA-së në sektorin publik,” thuhet në raportin e auditimit.

Në Maqedoninë e Veriut, projektet e para që e kanë përdorur inteligjencën artificiale datojnë që nga viti 2012. Ndër to është sintezuesi i parë i plotë i të folurit në gjuhën maqedonase, TTS-MK, i cili është përdorur si mjet ndihmës në Bashkimin Kombëtar të të Verbërve dhe është financuar nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA) dhe Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve. Gjithashtu, për nevojat e Shkollës Shtetërore për Rehabilitimin e Fëmijëve dhe të Rinjve me të meta në shikim “Dimitar Vllahov” – Shkup, nga stafi i Fakultetit të Informatikës pranë AUE-FON është zhvilluar një ndërfaqe për funksionalizimin e një printeri për alfabetin Braille (donacion nga MSHIA dhe Qeveria).

Në Evropën Juglindore, Sllovenia është i vetmi vend që ka strategji kombëtare për inteligjencën artificiale dhe renditet e para për politikat proaktive në këtë fushë. Maqedonia e Veriut gjendet në mesin e listës, pas saj renditen Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova.

Edhe indeksi i Fondit Monetar Ndërkombëtar për gatishmërinë për IA e pozicionon vendin në vendin e 77-të nga 174 shtete. Sipas Entit Shtetëror të Auditimit, kjo tregon se, ndonëse ekziston potencial, nevojiten përmirësime të mëdha në infrastrukturën digjitale, kapitalin njerëzor, inovacionet dhe integrimin ekonomik, si dhe në rregullativën dhe etikën që lidhet me inteligjencën artificiale.

Bashkimi Evropian në vitin 2024 miratoi Ligjin për Inteligjencën Artificiale – rregulloren e parë gjithëpërfshirëse në botë për këtë teknologji. Ligji inkurajon vendet ta adoptojnë IA-në dhe të krijojnë kushte për mbështetjen e inovacionit dhe investimeve në këtë fushë.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG