Ndërlidhjet

AI kërkon nga Kelkos të kthejë mbrapsht paditë ndaj Loshajt dhe Gacaferit


Pamje nga punimet te Lumëbardhi në Deçan.
Pamje nga punimet te Lumëbardhi në Deçan.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, i ka bërë thirrje kompanisë Kelkos Energy, që po ndërton hidrocentrale në zona të mbrojtura në Kosovë, të kthejë mbrapsht paditë e “pabaza” kundër dy aktivistëve për ambientin.

“Shpresa Loshaj dhe Adriatik Gacaferi, kanë bërë fushatë të palodhshme për të ngritur shqetësimet rreth ndikimit që kanë hidrocentralet në rajonin e mbrojtur të Deçanit", ka thënë Jelena Sesar, hulumtuese për Ballkanin Perëndimor në organizatën Amnesty International, me bazë në Londër.

“Këta aktivistë, kanë reaguar më trimëri për komunitetin dhe ambientin e tyre, dhe paditë e Kelkos Energy, duket se janë përpjekje cinike për t’i heshtur ata”.

Kelkos Energy është kompani vartëse e ofruesit të energjisë me bazë në Austri, Kelag International.

Loshaj dhe Gacaferi kanë shfrytëzuar mediat sociale dhe paraqitjet televizive për të ngritur shqetësimet për ndikimin e hidrocentraleve në ambient, ka thënë kjo Organizatë.

Aktivistët po ashtu kanë vënë në pikëpyetje legjitimitetin e licencave që janë lëshuar për kompaninë Kelkos Energy dhe kompani të ngjashme, nga ana e autoriteteve të Kosovës.

Vitin e kaluar Kelkos Energy ka paditur Loshajn, duke i kërkuar 100,000 euro dëmshpërblim për prishje të imazhit, të shkaktuar nga fushata e saj, kundër projektit të kompanisë në rajonin e Deçanit.

Kjo kompani ka kërkuar nga aktivistja që të kërkojë falje publikisht dhe të përmbahet nga deklarimi i “fakteve të pavërteta” për kompaninë, në të ardhmen.

Përmes një padie të ngjashme, Kelkos Energy ka kërkuar 10,000 euro dëmshpërblim edhe nga Gacaferi, për shkak të një postimi në Facebook, në të cilin ka kritikuar projektin e kompanisë.

Kompania po ashtu ka kërkuar nga Gacaferi, që të heqë postimin dhe të publikojë një reagim.

Kelkos Energy, i ka thënë organizatës Amnesty Interenational, se paditë synojnë të mbrojnë kompaninë kundër “deklaratave që janë të gabuara”.

Kompania po ashtu ka thënë se vepron sipas ligjit dhe ka hedhur poshtë pretendimet se hidrocentralet e saj kanë degraduar ambientin.

Të dyja rastet ndaj aktivistëve, aktualisht janë në pritje për t’u trajtuar nga gjykatat në Kosovë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG